Paradokse zvicerane!

31 Maj 2021, 17:29Bota TEMA

Deri në vitin 1971 shumica e burrave zviceranë thoshin: gruaja e ka vendin në kuzhinë. Dhe në bahçe, eventualisht…

Andaj deri më 1971 gratë zvicerane nuk kishin të drejtë e votës. Në disa vende të Europës veriore gratë fituan të drejtën e votës në dekadën e parë të shekullit të 20-të, pra rreth 70 vjet para grave të Zvicrës.

Nga ana tjetër: Universiteti i Zürichut ishte ndër të parët në Europë që në shekullin e 19-të ua lejoi grave të studiojnë.

Rrjedhimisht, shumë vajza nga Europa ngarendën në Zürich, mes tyre Mileva Mariq nga Vojvodina, e cila më vonë do të martohej me Albert Einstenin (një lidhje që pas pak vitesh mori fund), dhe rusja Nadezhda Susllova, e cila ka hyrë në histori si gruaja e parë që ka doktoruar në mjekësi në Universitetin e Zürichut.

E para zvicerane që më 1868 u regjistrua në Fakultetin e Mjekësisë në Zürich dhe studioi mjekësi ishte Marie Heim-Vögtlin (1845-1916).

Në atë kohë ambicia e një gruaje për të nxënë dije konsiderohej skandal. Marie Heim-Vögtlin mori lejen e të atit për të studiuar.

Përkrahja e tij qe e nevojshme edhe më 1874, kur ajo kërkoi hapjen e një ordinance private. Marie Heim-Vögtlin u martua me profesorin e gjeologjisë Albert Heim.

Në kodrat e Zvicrës, mbi fshatin Andermatt, gjendet një kasolle malore që e bart emrin e Albert Heimit. Më 1901 Marie Heim-Vögtlin themeloi spitalin e parë zviceran për gra.

Dhe u angazhua për të drejtën e grave për të votuar. 55 vjet pas vdekjes së Marie Heim-Vögtlin, burrat zviceranë u pajtuan që edhe gratë mund të votojnë.

1 komente në “Paradokse zvicerane!”

  1. Lok Berllok says:

    Dava maloksh !

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje