Policia greke ka goditur një grup të strukturuar kriminal të drejtuar nga një shqiptar në Mykonos, i cili trafikonte kokainën nga Holanda në Athinë me destinacionin ishullin e famshëm. Pesë persona u arrestuan nga operacioni ku u përdorën edhe dronët për të kontrolluar të gjitha lëvizjet e anëtarëve të bandës shqiptare.
Mediat greke e kanë cilësuar grupin shqiptar si “unazë” të trafikut në Mykonos, ndërsa drejtuesin si një kriminel i skeduar për disa ngjarje por që në shumë raste kishte arritur që t’i ikte drejtësisë. Operacioni kundër bandës së shqiptarit u zhvillua në fshehtësi të plotë dje.
Hetimi për grupin filloi në tetor 2020 kur një ankesë arriti në Departamentin e Sigurisë së Atikës në lidhje me disa shqiptarë, të cilët ishin aktivë në trafikimin e sasive të drogës, kryesisht kokainë, në Athinë dhe po përgatisnin një degë në Mykonos.
Hetimi zbuloi ekzistencën e një grupi kriminal, të strukturuar në mënyrë operative dhe me veprimtari të vazhdueshme kriminale, anëtarët e të cilit trafikonin kokainë dhe kanabis. Mafiozët blerjen e kokainës e bënin në Holandë.
Në fund të Prillit, anëtarët e bandës realizuan blerjen dhe transportin e 3 kilogramëve kokainë prej 28,000 euro për kilogram nga Holanda dhe e transportuan duke e fshehur në një makinë, ndërsa dega e grupit në Mykonos funksiononte me “klientë të zgjedhur”.
Goditja e grupit u realizua ditën e djeshme. Forca të shumta policie të ndihmuar edhe nga një dron arritën që të arrestonin katër persona. Në të njëjtën kohë në Athinë u kap “truri” i grupit kriminal, i cili fillimisht refuzoi kontrollin nga policia duke ikur me vrap, por u prangos pas ndjekjes.
Nga operacioni u kontrolluan 4 shtëpi në ishull dhe 4 në Athinë ku u sekuestrua kokainë, kanabis, peshore elektronike, një pistoletë, fishekë, një makinë dhe 6865 euro.
Shefi i grupit kriminal sipas mediave greke ishte një i skeduar për disa ngjarje kriminale duke filluar nga grabitje, tentativë vrasje, arratisje nga spitali i burgut duke hapur zjarr në drejtim të policisë, armëmbajtje, drogë dhe vepra të tjera penale.
Por në 2015 ai ishte lënë i lirë pasi i ishte pezulluar dënimi me 25 vite, që iu ul nga 47.6 vite në total.(ABC News)
Dhe cuditemi si eshte e mundur qe ka kaq shume kriminela shqiptare ne Greqi. Jane te njejtit qe qarkullojne disa here ne media dhe sistemin e drejtesise atje qe edhe pse duhet te kalben ne burg per gjithe jeten lirohen menjehere edhe pse kane bere krime te tmerrshme se keshtu iu intereson disa politikaneve dhe perfaqesuesve te pushtetit? Veglat me te mira qe ata mund te perdorin per axhendat e tyre. A thua do e kapin kesaj radhe te jete per gjithe jeten ne burg? E dyshoj shume kete nderkohe qe kane lene te lire per krime shume me monstrueze se ai i trafikut te droges.