“Dobia” e masakrës zgjedhore

7 Qershor 2021, 09:00Politika TEMA

Nga Gafur Muka

Në të gjitha daljet e tij publike,veçanërisht tani në fushatën për t’u rizgjedhur kryetar i PD-së, Lulzim Basha e ka bërë refren vlerësimin që “zgjedhjet e 25 prillit ishin një masakër e vërtetë zgjedhore”. Për të gjithë ata që e dëgjojnë e, sidomos për ata që nuk janë ithtarë të tij, por nuk janë as votues të Edi Ramës, lind pyetja sa i dobishëm është ky vlersim dhe çfarë sjell ai edhe për PD-në edhe për zhvillimet demokratike në vendin tonë? Në përgjigje të kësaj pyetje ajo çfarë përftohet është një paqartësi shumë e madhe. Paqartësia lidhet në rradhë të parë me atë se çfarë do ndërmarrë PD-ja që, pas këtij vlersimi ai që ka bërë masakrën zgjedhore të marrë ndëshkimin e merituar.

Pritja është që ndëshkimin ta marrë Edi Rama, i cili sipas Lulzim Bashës është autori kryesor i masakrës. Mirpo a do ta marrë Rama këtë ndëshkim? Ka demokratë (ithtarët e Bashës) që mendojnë se Edi Rama gjirthsesi do ndëshkohet. Shpresa janë zgjedhjet e parakohshme. Të tjerët, që nuk e besojnë ndëshkimin e Edi Ramës me Lulzim Bashën në krye të opozitës, presin që ky i fundit të mos i fitojë zgjedhjet e 13 qershorit dhe në PD të largohet tersi dhe të fillojë të trupëzohet mbrothësia. Në fakt, të dyja palët shohin ëndrra me sy hapur. Si duken bathët as zgjedhje të parakohshme s’do të ketë dhe as Lulzim Basha nuk do ta lërë kreun e PD-së.

Po në çfarë rrethanash do ishte i dobishëm vlersimi “masakër zgjedhore”?

Së pari, nëse ai do të pranohej nga arbitri i zgjedhjeve, pra nga vëzhguesit e ODHIR-it. Në këtë rast pala fituese do ishte e detyruar të pranonte rekomandimet e kësaj ekspertize, në të cilat mund të kërkohej përsëritja e zgjedhjeve pjesërisht apo tërësisht. Kjo tashmë nuk ka ndodhur dhe as ka gjasa të ndodhë ndaj vlersimi “masakër zgjedhore” mbetet thjesht një retorikë elektorale e Lulzim Bashës.

Së dyti, nëse ai do të artikulohej nga shtete të veçanta si SHBA apo ato të BE-së. Përfaqësues të këtyre shteteve e kanë ndjekur dhe po e ndjekin gjithë procesin qysh nga shpallja e fushatës e deri në daljen e rezultatit përfundimtar. Është rezultat i informacioneve që ato u kanë dërguar kancelarive të tyre, urimet që kanë shkuar për atë që ata e shohin në mënyrë të padyshimtë si fitues i zgjedhjeve. Pra edhe për politikën e këtyre shteteve nuk ka masakër zgjedhore. Edhe pse Lulzim Basha deklaron se ai, nëpërmjet “librit të zi të zgjedhjeve” do t’i informojë kancelaritë perëndimore për të mos e zyrtarizuar fituesin, duket qartazi që kjo është një ëndërr me sy hapur.

Së treti, nëse ky vlersim do të çonte tek unifikimi i faktorit opozitë në gjithë spektrin e saj dhe tek kohezimi (përbashkimi) më solid i vetë PD-së si forca udhëheqëse e saj. Por ajo që ka ndodhur është e kundërta. Faktori opozitar është krejt i përçarë dhe brenda PD-së tani, jo të gjithë mendojnë se Lulzim Basha i çon drejt fitores. Natyrisht zgjedhjet janë më 13 qershor, ama duket që mosbesimi ndaj tij rritet. Edhe pse ekipi i tanishëm drejtues në PD flet në shumicë për masakër zgjedhore, grupime të tjera e shohin atë si një rrugë hileqare që ka zgjedhur L.Basha për të rimarrë drejtimin e partisë.

Për PD-në tani ka dalë edhe problemi i faktorit Berishë që konsiderohej si faktor pro Bashës. Shpallja non grata e Berishës nuk është më një “e paqenë” prandaj kjo priret të artikulohet si “e padrejtë”, e cila do të zgjasë deri ditën kur të zhvillohet gjyqi i supozuar në Francë.

Sidoqoftë tani në subkoshiencën e demokratëve ekziston njëfarë bindjeje se “Amerika nuk ia këput kot”. Kështuqë demokratëve nuk iu ngelet gjë tjetër përveç keqardhjes për liderin e tyre historik dhe vendimmarrjes për tu ndarë politikisht prej tij. Pranimi i “masakrës zgjedhore” duket se është një “ilaç gjumi” që ata e pranojnë ta marrin për të gjetur një qetësi të përkohshme, ndërkohë që e dinë se ajo nuk i çon në fitore.

Në këto kushte, po kuptohet gjithnjë e më shumë se “dobia” e vetme e “masakrës zgjedhore” është rizgjedhja e Lulzim Bashës. Ama, a do ta çojë ai një ditë opozitën në fitore? Nuk besoj që edhe pas, së paku, dy vitesh “masakra zgjedhore” e radhës të konsiderohet si fitore e PD-së, përkatësisht opozitës.

7 komente në ““Dobia” e masakrës zgjedhore”

  1. Kalec Dega says:

    “Anallim loje”, bere hile.

  2. Petrit says:

    Qe ka pasur masaker zgjedhore e dinë te gjithe.
    Qe korrupsioni shtetërorë ka arritur kulmin e dinë te gjithe.
    Qe borxhi publik ka arritur nivelin me te lartë ne histori e dinë te gjithe.
    Qe ekonomia shqiptare asht ne piken me te ulet qe nga viti ‘91 e dinë te gjithe.
    Qe shqiptarët po marrin boten me ritmin e ‘91-it e dinë te gjithe.
    Qe krimi i organizuar asht ne piken me te larte e dinë te gjithe.
    Qe shteti dhe krimi flenë ne te njejtin krevat e dinë te gjithe.
    Qe reputacioni i shtetit shqiptarë ne bote asht ne kuoten zero e dinë te gjithe.
    Por ajo qe nuk e dinë te gjithe asht fakti qe per shtetin amerikan dhe BE-ne asht çdo gja ne rregull perderisa nuk cenohet paqja sociale.
    Se sa do vazhdojë kjo paqe sociale nje zot e din sepse delet janë vertetë dele por do vijë momenti qe edhe ato do te zgjohen nga gjumi.
    p.s. jam kurioz të dije se a ju asht mbaru thesi i miellit apo kane edhe pak

    1. K says:

      Petrit apo Lulxime? Nuk kuptohet intelekti shume i ulet i komentuesit! Kjo rruge tani nuk ju shpie gjekundi! Duhet te ndroni strategji! Arbitri ka fershellyer per mbarimin e loje se zgjedhjeve! Deri ne zgjedhjet e ardhshme do te shohin ne se do
      te jete cifti Sali-Lulxime!

  3. Taulant says:

    O zoti “Petrit”
    Kujt i thone “borxhi publik” na e shkoqit pak?
    Si vjershe e njohur duket ky recitimi jot.
    Sa per ate qe je kurioz te dishe per thesin e “millit”, shko pyet ne Bathore, se ta thone ata.

  4. Rrumpalla says:

    Bravo petruc, e fitove byrekun dhe për sot. Shkruaj dhe te ndonjë artikull tjetër, që të marrësh dhe llallën, sepse byreku me llallën të shijon shumë. Meqënëse e dinim të gjithë çdo gjë që thua ti, a mund të na thuash ndonjë gjë për Non Grata të salucit dhe familjes, sepse edhe këtë e dimë të gjithë.

    1. Petrit says:

      E kam fitu byrekun edhe dhallin ketu e 25 qe jetoj i lumtur bashke me familjen ne perendim por me thimseni ju qe pritni nje thes miell çdo kater vjet.

  5. iksi says:

    Tana heret qe humb zgjedhjet Basha qe do ti humbe gjithmone me keto mend qe ka ( me mire i shkon qe nuk ka ) . Vetem n.q.s. fiton vete atehere nuk permend fjalen masaker por qe kjo nuk ka per te ndodhur kurre . Prandaj ata qe thot Basha perdite i ka merzit edhe idhtaret e tij . Nga sot e deri sa te mbaroje mandati i trete i Rames Basha do te rrije duke thene qe do te kete zgjedhje te parakoheshme ne kete ose ate muaj . Ose thenja tjeter qe Ramen do ta largojme por si do ta largoje vetem Basha e din . Si dhe tjetra thenje e tij eshte qe Rama te jape dorheqen . Ja keto jane fjalet lesh e li te Bashes . Hajde merre vesht kete figure .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje