Fitorja e një Kampionati Europian është një eveniment që nuk ndodh shpesh në karrierën e një futbollisti e për këtë arsye, shumë lojtarë janë gati të bëjnë sakrifica apo të premtojnë gjëra që nuk i kanë bërë më parë, nëse do të arrijnë këtë objektiv. Por rasti i mesfushorit të Anglisë, Deklan Rajs, është unik.
Mesfushori mori ftesën pas një sezoni të shkëlqyer me Uest Hemin dhe premtimi që ka bërë para aktivitetit ka qenë me të vërtetë shumë i veçantë e i ndryshëm, pasi ai ka premtuar se do të pijë një… birrë.
“Jam 22 vjeç dhe deri tani nuk kam pirë asnjëherë birrë në jetën time. Nuk më pëlqen era, ndaj as nuk i jam afruar ndonjëherë birrës.
Por e dini çfarë? Do ta provoj një të tillë nëse shpallemi kampionë”, ishte premtimi i lojtarit i cili mund të jetë një nga zbulimet e këtij Europiani.