Nga Minxin Pei, Project Syndicate
Qeniet njerëzore që po u afrohen te 100-ave, mendojnë normalisht për vdekjen. Por partitë politike që festojnë 100- vjetorin e tyre, siç do të bëjë Partia Komuniste e Kinës më 1 korrik, janë të fiksuara pas pavdekësisë.
Një optimizëm i tillë duket i çuditshëm për partitë që sundojnë diktaturat, pasi të dhënat mbi jetëgjatësinë e tyre nuk frymëzojnë shumë optimizëm. Fakti që asnjë parti tjetër e tillë në kohët moderne nuk ka mbijetuar për një shekull, duhet t’u japë udhëheqësve kinezë arsye për t’u shqetësuar, dhe jo festuar.
Një arsye e qartë për jetëgjatësinë relativisht të shkurtër të partive komuniste ose autoritare, është se në dallim nga demokracitë, diktaturat moderne të dominuara nga partitë, u shfaqën vetëm gjatë shekullit XX. Bashkimi Sovjetik, diktatura e parë e këtij lloji, u themelua në vitin 1922.
Kuomintang (KMT) në Kinë, një parti gati-leniniste, mori nën kontroll Kinën në vitin 1927. Nazistët erdhën në pushtet në Gjermani vetëm në vitin 1933, ndërsa të gjitha regjimet komuniste të botës u krijuan pas Luftës së Dytë Botërore.
Por ekziston një shpjegim më themelor sesa rastësia historike. Mjedisi politik në të cilin veprojnë partitë diktatoriale, nënkupton një ekzistencë shumë më Hobsiane -“të keqe, brutale dhe të jetëshkurtër” – sesa ajo e homologëve të tyre demokratikë.
Një mënyrë e sigurt për të siguruar vdekjen e partive diktatoriale, është kur zhvillojnë një luftë dhe e humbin atë, një fat që e pësuan nazistët në Gjermani dhe fashistët e Mussolinit në Itali. Por shumica bien nga pushteti në një mënyrë shumë më pak dramatike (apo traumatike).
Në regjimet jo-komuniste, partitë që kanë qeverisur për një kohë të gjatë, si KMT në Tajvan dhe Partia Revolucionare Institucionale e Meksikës (PRI), panë parullat kundër tyre nëpër mure, dhe filluan me shpejtësi reformat demokratizuese, përpara se të humbnin të gjithë legjitimitetin e tyre.
Ndonëse këto parti humbën zgjedhjet, ato mbetën aktive në politikë,dhe më pas u rikthyen në pushtet duke fituar në zgjedhjet demokratike (në Tajvan në vitin 2008 dhe në Meksikë në vitin 2012).
Përkundrazi, regjimet komuniste që përpiqen të qetësojnë popullsinë e tyre përmes reformave të kufizuara demokratike, kanë përfunduar që të gjitha në kolaps. Në ish-bllokun sovjetik, masat liberalizuese të viteve 1980, nxitën shpejt revolucionet, të cilat i hodhën komunistët – edhe në vetë Bashkimin Sovjetik – në koshin e plehrave të historisë.
Gjatë festimeve për këtë përvjetor jubilar, PKK nuk dëshiron që të merret me këtë histori. Nuk ka dyshim se presidenti kinez, Xi Jinping, dhe kolegët e tij duan që të projektojnë imazhin e besimit dhe optimizmit. Por propaganda politike nuk është zëvendësuese e një strategjie për mbijetesë, dhe meqë PKK përjashton reformat si shumë të rrezikshme, opsionet e tjera në dispozicion të saj janë shumë të kufizuara.
Para se Xi të ngjitej në pushtet në vitin 2012, disa udhëheqës kinezë vëzhguan modelin e Singaporit. Partia e Veprimit të Popullit (PAP), e cila ka qeverisur qytetin-shtet pa ndërprerje që nga viti 1959, duket se i ka të gjitha:një monopol gati të plotë të pushtetit, qeverisje kompetente, performancë ekonomike superiore dhe një mbështetje të besueshme popullore. Por sa më shumë që e vëzhgonte këtë model – duke dërguar dhjetëra mijëra zyrtarë në Singapor – aq më pak dëshironte të bëhej një version gjigant i PAP. Komunistët kinezë do të donin që të kishin pushtetin e PAP, por jo të përvetësonin të njëjtat metoda dhe institucione që ndihmojnë në ruajtjen e epërsisë së PAP.
Nga të gjithë përbërësit institucionalë, që e kanë bërë të veçantë dominimin e PAP, Partisë Komuniste të Kinës i pëlqenin partitë e legalizuara opozitare në Singapor, zgjedhjet relativisht të rregullta dhe sundimi i ligjit. Udhëheqësit kinezë e kuptojnë se këto institucione, jetike për suksesin e PAP, do ta dobësonin me pasoja fatalisht monopolin politik të PKK nëse modeli të aplikohet në Kinë.
Kjo është ndoshta arsyeja pse modeli i Singaporit e ka humbur shkëlqimin e tij në epokën Xi Jingping, ndërsa modeli i Koresë së Veriut – represion politik totalitar, kulti i liderit suprem dhe juche (mbështetja ekonomike e vetvetes) – është bërë më tërheqës.
Është e vërtetë, që Kina nuk është bërë ende një “Kore e Veriut” gjigante, por shumë tendenca gjatë 8 viteve të fundit e kanë zhvendosur vendin në atë drejtim. Në nivelin politik, është rikthyer sundimi i frikës, jo vetëm për njerëzit e zakonshëm, por edhe për elitat drejtuese të PKK, pasi Xi ka rikthyer spastrimet, nën maskën e një fushate të përhershme anti-korrupsion.
Censura është në nivelin e saj më të lartë në epokën pas Mao Ce Dunit, dhe regjimi i Xi e ka eleminuar hapësirën për veprimin e shoqërisë civile, përfshirë OJQ-të. Madje, autoritetet i kanë frenuar sipërmarrësit privatë të Kinës përmes goditjeve rregullatore, ndjekjes penale dhe konfiskimit të pasurisë.
Dhe Xi ka ushqyer me ngulm kultin e tij të personaliteti. Këto ditë, faqja e parë e gazetës “Daily People”ishte e mbushur me artikuj mbi aktivitetet dhe urdhëresat personale të Xi. Historia e redaktuar e PKK, e botuar së fundmi në kuadër të 100-vjetorit të partisë, i kushton një të katërtën e përmbajtjes së saj 8 viteve në pushtet të Xi Jingping, ndërsa i jep vetëm gjysmën e hapësirës Deng Xiaoping, shpëtimtarit të vërtetë të PKK.
Në nivelin ekonomik, Kina nuk e ka përqafuar ende plotësisht ideologjinë e mbështetjes vetëm tek forcat e veta. Por Plani i ri 5-vjeçar i Partisë Komuniste Kineze parashikon një vizion të vetë-mjaftueshmërisë teknologjike dhe sigurisë ekonomike,të fokusuar tek rritja ekonomike e brendshme.
Megjithëse partia ka një justifikim të arsyeshëm – strategjia e shkëputjes ekonomike dhe teknologjike të Amerikës nuk i lë asnjë alternativë tjetër – pak demokraci perëndimore do të donin të kishin marrëdhënie të ngushta ekonomike me një vend që e sheh Korenë e Veriut si modelin e saj të ardhshëm politik. Kur udhëheqësit e Kinës të ngrenë dolli për 100-vjetorin e PKK, ata duhet të pyesin nëse partia është në rrugën e duhur. Nëse nuk është, momenti i ardhshëm i PKK mund të jetë edhe i fundit për të. /Përktheu: Alket Goce-abc
Shënim: Minxin Pei, është profesor i qeverisë në kolegjin Claremont McKenna, dhe anëtar i think-tankut “German Marshall Fund”.
… ky duhet te jete ndonje professor” alla amerikan”..! Professor at qe e dine nga ka e Dale I njohin idete Komuniste, qe jane garante per vazhdimesine e jetes se denje, me kuptim. Manjaket e parase qe paguhen nga “boset e dollarit” kryesisht, por dhe nga te “pashpirtet” apo “shpirt zinjte” e tjere, I kane syte te verber..! “qene para” kush te ka shpikur we po shkaterroni jete te denje, qe po shkaterroni c’do ndjenje te dhimshme njerezore”..! “Ndjenjat morale mbi prane”… kjo duhet te jete motoja e jetes, qe kushdo te germoj ne shpirtin e tij per miresi..! Paraja eshte semundje e shpirtit..!