Italia së shpejti mund të ketë një qeveri tepër të djathtë

13 Qershor 2021, 08:47Bota TEMA

Shenja shqetësuese po vijnë nga ekonomia me më shumë borxhe e Europës

Në shkurt, shumë ndien një lehtësim, pasi Mario Draghi pranoi që të bëhej kryeministër i Italisë. Sepse, ishte vetë “Super Mario”, ai i cili e shpëtoi euron në vitin 2012, me premtimin se ai dhe Banka Qendrore Europiane do të bënin “gjithçka që ishte e nevojshme” për të ndaluar rënien.

Këto fjalë mjaftuan për t’i qetësuar tregjet, duke ulur normat e interesit të borxheve të anëtarëve më të dobët të Eurozonës. Gjatë nëntë viteve që nga ajo kohë, këto vende kanë kursyer me dhjetëra miliarda euro, falë kostove të ulëta të huamarrjes, shkruan The Economist.

Me zotin Draghi në krye, rendimenti i borxhit italian është aktualisht vetëm rreth 1.2% mbi atë të Gjermanisë. Qeveria që ai drejton mund të mbështetet në një shumicë të madhe në Parlament, dhe Komisioni Europian është gati për të ofruar një ndihmë financiare prej 200 miliardë eurosh (245 miliardë dollarë) ose më shumë, nga fondet e rimëkëmbjes ndaj Covid-19, një shumë kjo që do të paguhet gjatë tre ose katër viteve të ardhshme.

Kjo shumë është e barabartë me 12% të PBB-së vjetore të Italisë, një stimul që do të konsiderohej i madh nga standardet e kujtdo, përveç Joe Biden. Komisioni është kënaqur nga premtimet ka bërë zoti Draghi në lidhje me mënyrën se si do t’i shpenzojë paratë dhe me reformat që ai synon të ndërmarrë për të reformuar qeverinë sklerotike të Italisë.

E megjithatë, politika italiane mbetet e paparashikueshme. Kohët e fundit, një rritje e numrit të emigrantëve që mbërrijnë me anije, kryesisht në ishullin italian të Lampeduzës, u ka dhënë shkas titujve alarmues nëpër gazeta. Rreth 13,000 persona kanë mbërritur deri tani këtë vit, sa trefishi i një viti më parë.

Kjo është shumë poshtë pikut prej 180,000 vetash në vitin 2016, por sezoni i lundrimit sapo ka filluar. Politikanët populistë e kanë bërë të qartë se do ta ndjekin këtë çështje për sa kohë që numrat vazhdojnë të rriten. (Një fluks emigrantësh në enklavën spanjolle Ceuta ka shkaktuar probleme edhe për qeverinë socialiste në Spanjë).

Tani po luftohet një betejë e tensionuar për dominim në të djathtën nacionaliste të Italisë. Matteo Salvini, udhëheqësi i Ligës së Veriut të së djathtës ekstreme, ndodhet në një pozitë të rrezikshme, pasi partia e tij po humbet përkrahjen për shkak të shfaqjes së një partie edhe më radikale, Vëllezërit e Italisë (FDI), një pasardhëse e Lëvizjes Sociale Italiane, të themeluar në vitin 1946 nga ish- mbështetësit e Benito Mussolini.

Zoti Salvini u largua nga qeveria në vitin 2019, në një përpjekje të dështuar për të imponuar zgjedhje të parakohshme, të cilat ai me shumë gjasa mund t’i kishte fituar. Partia e tij është ende më popullorja në peizazhin e copëzuar politik të Italisë, ose të paktën, kështu shprehen sondazhet. Por partia FDI e drejtuar nga Giorgia Meloni po e arrin në popullaritet.

FDI është e vetmja nga partitë kryesore që nuk ka mbështetur qeverinë e zotit Draghi, dhe kjo duket se nuk po e dëmton popullaritetin e saj në një vend ku shumë njerëz ende nuk u zënë besë bankierëve ose Brukselit. Së shpejti, FDI mund t’ia kalojë Ligës. Në disa sondazhe, ajo tashmë ka kaluar partinë kryesore të qendrës së majtë, Demokratët, e udhëhequr nga Enrico Letta, një njeri i aftë i cili shërbeu për pak kohë si kryeministër në periudhën 2013-‘14.

Së bashku, Liga dhe FDI mund të kenë vota të mjaftueshme për të formuar një qeveri, sidomos nëse arrijnë të marrin mbështetjen e ish- kryeministrit famëkeq, Silvio Berluskoni. Të dyja partitë janë tepër nacionaliste dhe dyshuese ndaj BE-së, megjithëse asnjëra nuk ka kërkuar një Ital-exit nga Bashkimi Europian.

Anëtarët e Parlamentit nuk do të përballen me elektoratin edhe për dy vjet të tjera; zgjedhjet duhet të mbahen në maj 2023. Por një zgjedhje tjetër mund të mbahet shumë më shpejt. Ata që e njohin, thonë se zoti Draghi është i etur për të qenë presidenti i ardhshëm i Italisë, një post që do të vendoset shkurtin e ardhshëm, por disa shpresonin se presidenti i tanishëm, Sergio Mattarella, mund të binte dakord për të qëndruar sërish dhe për t’i hapur rrugë z. Draghi më vonë. Këtë javë ai e përjashtoi këtë mundësi.

Ngritja e Vëllezërve të Italisë dhe nevoja e z. Salvini për të anuar nga e djathta për t’iu përshtatur atyre, është një kujtesë se nacionalizmi i hapur mbetet popullor për shumë votues në Bashkimin Europian. Megjithëse kjo ka qenë shumë e qartë në Poloni dhe Hungari, është e vërtetë edhe në Europën Perëndimore.

Disa sondazhe të fundit në Francë, parashikojnë një garë mjaft të fortë midis presidentit Emmanuel Macron dhe rivales nacionaliste Marine Le Pen, në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Në Spanjë, Partia Popullore e opozitës po kërkon një marrëveshje me Vox, një parti e sapoardhur nga e djathta, për të formuar një qeveri për rajonin e Madridit.

Qeveritë e Europës kanë pasur dështime kolektive dhe individuale me pandeminë Covid-19, duke mos i trajtuar siç duhet fazat e hershme të vaksinimit dhe valën më të fundit të infeksionit. Një sezon zgjedhjesh po afron, dhe funksionarët në detyrë mund të përballen me disa surpriza të këqija. Një surprizë e keqe në Itali, e cila mbart borxhin më të madh në Europë, do të ishte vërtet katastrofike.

1 komente në “Italia së shpejti mund të ketë një qeveri tepër të djathtë”

  1. Buci6 says:

    Ore gazetar leshi kam njezet vjet qe jetoj ne Rome dhe arrita ne konkluzionin qe kushdo te vije te drejtoje qeverine Italiane i djathte apo i majte nuk ndryshon asgje .Ne kemi nje shprehje qe thote (te gjithe derrat nje surrat kane) edhe ne Itali jane te gjithe te shitur nuk i plas fare Per vendin e tyre ti thua Mario Draghi qe eshte njeriu i bankave dhe I illuminati. Hahahahha shume nivel i ulet gazetar e visionar politik.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje