Tragjedia e familjes Gushi, si reflektim për të parë nga vetvetja

27 Qershor 2021, 10:52Politika TEMA

Nga Altin Ketro

Ngjarja e aksidentit tragjik në të hyrë të Vlorës, me 4 viktima të familjes Gushi, ku 2 prej tyre ishin ende fëmijë, nuk ka sesi të mos tronditë gjithkënd që ka një minimum ndjenjash njerëzore dhe që e përjeton fatkeqësinë e tjetrit si të ishte e tija. Të mblidhet një si lëmsh në stomak aq sa është e pamundur ta heqësh mendjen kur imagjinon atë dramë që përjetuan në ato momente vogëlushët e mjerë, por edhe prindërit e tyre që në ato çaste lemerie padyshim mendjen tek ta e kanë pasur.

Ata ikën të katërt, për të mos u ndarë prej njëri – tjetrit. Fëmijët nuk donin të rriteshin jetimë, me ndjesinë e mungesës së pazëvendësueshme të prindërve që u dhanë mishin e gjakun dhe i sollën në jetë. Ata fluturuan në qiell së bashku, sepse nuk mund të jetonin me dhimbjen e mungesës së tjetrit. Dhe vdekja i bashkoi në përjetësi.

Goditja e makinës vrastare ishte e pabesë dhe e shëmtuar. Ajo vinte nga pas, ku tjetri që është përpara në rrugën e vetë as nuk e çon ndërmend se ai që ndodhet prapa ka qëllim të keq. Njësoj si në lojën e futbollit, ku ndërhyrjet nga pas ndëshkohen automatikisht me karton të kuq, edhe në tragjedinë e familjes Gushi, autori duhet të ndëshkohet me kartonin e zi të ligjit.

Kjo tragjedi natyrisht solli shumë ndjeshmëri në opinionin publik. Lumë komentesh vërshuan në rrjetet sociale duke mallkuar gjithkënd që u vinte nëpër mend. Autorin të parin, natyrisht, por nuk harruan të mallkojnë edhe Shqipërinë ku familja Gushi sapo ishte thyer për pushime nga qëndrimi disa vjeçar në Greqinë fqinje.

Është e papranueshme të miratojmë në heshtje mallkime për vendin ku kemi lindur, ku kemi varret e paraardhësve tanë e ku do trashëgojmë tek pasardhësit dashurinë për tokën e të parëve të tyre. 

Nuk mundet kurrë atdheu të jetë i keqi, po secili prej nesh duhet ta kërkojë përgjegjësinë tek vetvetja. Janë njerëzit që e bëjnë atdheun, e jo e kundërta.

Ende pa u tharë jehona e aksidentit  automobilistik në Vlorë, dy familje në Shkodër u bënë shkak për hapjen e dyerve të mortit. U shuan mes veti 4 burra për hiçmosgjë… për shezllona. Fjalët janë të tepërta.

Teksa isha duke hedhur këto radhë, më erdhi ndërmend një shkrim i disa muajve më parë ku me vetveten nisa të bëj një bisedë imagjinare me dhe për Shqipërinë. Aty analizoj shumë pikëpyetje përse dështuam si ndërgjegje kombëtare në këto tre dekada demokraci. Po e sjell sërish atë shkrim, sepse më duket aktual në çdo kohë.

Bisedë me dhe për Shqipërinë!

Demokracia në Shqipëri hyri mbrapsht, tmerrësisht mbrapsht. Kur thanë: “Rroftë demokracia, rroftë liria”, nuk e dinin që në një liri pa rregulla e pa kufi, horri e teveqeli ngrenë kokën e bëjnë kërdi.

Mes studentëve idealistë që ëndërronin nga thirrjet gufuese: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, se nga na mbinë ca skutha që ishin të aftë veç për luftë partizane. Që vërtetë i vinin gjoksin pushkës, por ama edhe gjoksin e tyre e bënin gropë më pas që kanatat e dyerve të pushtetit t’u hapeshin katërsh.

U përzjenë me ta edhe disa të ditur. Hëm! Të ditur thënçin, se ashtu na i kishte reklamuar ish-regjimi. Të regjur me lëkurë e me shpirt për 45 vjet me idetë e marksizëm – leninizmit, të brumosur me mësimet e shokut Enver, të organizuar në organizata partie ku demaskohej armiku i klasës, të rekrutuar nga Sigurimi për të marrë më qafë këdo që i ishte vënë syri për likuidim, të formuar se si strategjia “përça e sundo” ka efikasitet në çdo regjim, pra këta kodoshë kollovarë, që ia dinin hilenë lirisë së fituar, morën drejtimin e asaj Shqipërie të mjerë nën petkun e “demokratit të kulluar”.

Oh Shqipëri që mund të ishe bërë Zonjë mbi Zonjat. Një pëllëmbë tokë ke dhe një grusht njerëzish mban në këtë botë të madhe. Që i kishe me shumicë aq të bukur e të pastër, se sot s’i ke më: tokë, male, kodra, dete, pyje, lumenj, liqene, ujë, ajër…

Si të qëlloi ai fat i zi që në atë virgjërinë tënde të bukur, t’i jepeshe e gjitha, me pafajësinë e një vajze të sapodalë në jetë, dhunuesve shtazarakë, të cilët nuk të lanë pjesë të trupit pa ta kafshuar, pa ta djegur, pa ta dërrmuar?

Po pse duhet t’u besoje dhunuesve e vandalëve? Apo sepse duke qenë e burgosur për 45 vjet prej të marrëve, ti e kishe të nevojshme të hallakateshe me të parin që të dilte përpara?

Apo ishe e pamësuar dhe ata shpërdoruan naivitetin tënd të çiltër?

Si ta bënë mendjen çorbë disa kameleonë që vetëm ngjyrën e lëkurës ndryshonin, por përbrenda ishin më të zinj se të zinjtë që thanë se rrëzuan?

Si e lejove të përsëritej në aq pak kohë e njëjta histori që ti mendove se e le pas?

Si nuk e kuptove se mrekullia që po të ofronin “çlirimtarët” e demokracisë ishte e gënjeshtërt?

Dallkaukët që të pushtuan nën kthetra ishin të papërmbajtshëm. Ata nuk e njihnin mëshirën. Të dëshironin të gjithë sipas mënyrës së tyre të vrazhdë. Të shpërfytyruan nga jugu në veri. Ta vranë shpresën, ta vranë të ardhmen. Të mplakën përpara kohe.

T’i shkulën përdhunshëm një nga një gjithfarë stolish kishe në trup. Janë të miat, janë të miat – ulërinin barbarët. Askush nuk të tha se është e jotja. Sepse nuk e kuptonin dot që duke qenë e jotja, është edhe e tyrja.

Ta punuan prapa shpine, sepse të premtuan botën, po në fakt të dhanë rrotën. Por jo, nuk ishte rrota e qerres që sjell zhvillimin, po e rrumpallës që solli mjerimin.

Duhet të ta kishim ruajtur bukurinë dhe freskinë që mbartje në shpirtin tënd të dëlirë. Por nuk mundëm dot të të shpëtonim prej tyre. As atëherë kur ti klithje dëshpërueshëm mes plumbash e kërkoje ndihmë për trupin tënd të bërë shoshë prej miliona predhash që të hidhnin ngado.

Na verboi liria pa kufi dhe lakmia e madhe për pasuri;

Na u ndjell zilia ndaj tjetrit dhe na humbi dhembshuria ndaj fatkeqit; 

Na u vlerësua padituria si virtyt dhe u lartësua mediokriteti që na zuri sytë;

Na mungoi modestia se na dukej pa vlerë dhe të vlerë u quajtën ato qenie pa karakter;

Na u desh të paaftin ta ngrinim në piedestal dhe intelektualin u çuam të pastronte baltërat në moçal;

Na u rrit epshi i papërmbajtur dhe humbëm busullën për të qenë mendje hapur;

Na u zhvlerësua ndjenja njerëzore dhe na u ringjallën instinktet kafshërore;

Bukëshkalit dhe rrugaçit i dhamë krah, të ndershmin e shihnim në sy dhe e konsideronim budalla;

Mashtruesit dallaveren ia quanim shkathtësi, të çiltërit sinqeritetin ia merrnim për dobësi;

Nuk dinim më se ç’ishte dashuria dhe lejuam të na hyjë sherri nëpër shtëpia;

Na u shtua uni se kushedi çfarë ishim, ku ndërkohë ndërgjegjen përtokë e kishim.

Nuk t’u treguam mirënjohës që na linde në këtë vend të bekuar, por që s’lamë rast pa të nëmur sikur të ishe vend i shkretuar. 

Sepse s’të kuptuam që je një tokë pjellore, por të trajtuam gjithherë si tokë kënetore.

Makutëria për të të rrjepur në garë për të qenë i pari, ua mori mendjen të gjorëve vdekatarë që veç një gur mbi kokë do kenë tek varri.

Eh, ti me shpirtmadhësinë tënde, mbase na i ke falur mëkatet dhe e vuan përbrenda brengën që ke se ndoshta s’do mund të bëhesh dot ashtu siç të takon të jesh. Por, edhe kështu siç të kemi bërë, do të pranojmë ashtu siç je: thjesht, Shqipëri!

7 komente në “Tragjedia e familjes Gushi, si reflektim për të parë nga vetvetja”

  1. Tiku says:

    Ky eshte vend i qelbur ku neanertalasit kane mber si pasa 20 vine vjetesh, kafshe.

    1. Taulant says:

      Nje prej atyre kafsheve jeni edhe ju.

  2. Atdheu says:

    Bravo Altin, s’na e ka fajin Atdheu, por ne vete jemi fajtoret per kete situat.

  3. Ilirikum says:

    Altin, shprehjes tende ne nje shoqeri ne liri pa rregulla dhe pa kufi, horri e teveqeli ngrene koken e bejne kerdine, une do ti shtoja dhe nje shprehje te viteve 1957 kur sapo formoheshin kooperativat, dhe njerzit e mencur e puntore nuk mund te pajtoheshin me ndryshimin dhe u shprehen se kooperativa qenka per dembelin e hajdutin. Pra pasojat e viteve te fillimit te viteve 50 dhe te 92, jane keto dukuri te vrasjeve per pronen, mos pasjes rrespekt per jeten e vete e te tjetrit, mos pasjen respekt per nenat e baballaret qe i lindin, dhe qe perfundon me largimin nga vendi. Pra mos respekti per asgje eshte forma me e keqe e edukimit qe i eshte bere njeriut ne shqiperi keto vite.

  4. aleko says:

    Ka rrjedhe shume ujra te qelbeta ne keto 30 vite dhe dhe kane helmuar vendin dhe njerezit . Edhe qeveria me e mire e botes te vije tani te ne si ben derman me kesaj epidemia helmuse pa kthim. vet shqipetaret e pelqyen , e nxiten dhe e ushqejne cdo dite pa e ditur se kejo marrezi dhe degradim kolektiv eshte me siguri dhe gremina e fundit e tij..

  5. Olsi says:

    Ne kemi toke te bekuar qe sna mungon asnje gje,kemi toke pjellore ,kemi uje, kemi lumenj,det,kemi male ,fusha kemi kohen e bukur,por nuk kemi tru ta mbajme kete parajse qe natyra na ka dhuruar. Kur shikoje izraelin ,qe nga nje cope shkretetie qe ishte ,u kthye ne fuqi ekonomike,shkencore, dhe mbi te gjitha fuqi ushtarake,dhe me bombe berthamore. Dhe po te shikoshe se sa shume e respektojne izraelianet,vendin e tyre ,me beri pershtypje njehere nje gjest qe pashe me syte e mi, nje djale i ri pa koshin e plerave ne rruge qe ishte hapur ,dhe ishin derdhur plerat perjashta, morri nje thes plastik,dhe i mlodhi ,dhe i hodhi ne nje kosh tjeter, nje turist e pa dhe i tha,bravo po shikoja dhe degjoja me vemendje,djali i ri iu pergjigje me buzeqeshje duke i thene,sir i love my country, do te thote zoteri une e dua token time ,vendin tim.

  6. Ceni says:

    Ketu problem eshte njeriu qe nuk e jeton dot te tashmen. Shqiptari qe nuk e kupton dhe jeton dot demokracine e lirine. Sepse e sotmja kerkon te jemi ndryshe, te punojme e jetojme ne paqe. Ne kete sistem nuk mund te behen te gjithe te pasur, s’mund te jene te gjithe njesoj po te ndryshem. Do kete te pasur e te varfer, do kete diferenca po cdokush te jetoje me dinjitet dhe nen sigurine e ligjit. Shqiptari i sotem eshte shume larg kohes, ka kulturen dhe veset e te shkuares. Nuk duron, nuk i bisedon problemet, eshte nevrik e i papermbajtuar. Me shume jeton per tu dukur apo per qene pak me larte se tjetri sesa per te gezuar jeten me ato qe ka. Perse mbahet arma ne shtepi apo hotel. Kjo paramendon perdorimin e saj. Pse nuk shkon ne bashki per te ndare reren? Jemi te ashper e te paperpunuar. Duhet breza per te arrijme kohen.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje