Nis testimi i vaksinës AstraZeneca kundër variantit Beta të koronavirusit

28 Qershor 2021, 13:55Bota TEMA

Kompania anglo-suedeze AstraZeneca dhe Universiteti i Oksfordit filluan testimin e një vaksine të modifikuar të koronavirusit, të krijuar për të vepruar kundër variantit Beta.

Ky variant është identifikuar për herë të parë në Afrikën e Jugut, por më pas është përhapur në disa vende të botës.

Mbi 2,000 vullnetarë u rekrutuan në Mbretërinë e Bashkuar, Brazil, Afrikë të Jugut dhe Poloni për testimin e vaksinës së modifikuar.

Profesori Andrew Pollard, drejtor i Grupit të Vaksinave të Oksfordit, i tha BBC-së se synim është “të testohet sistemi” i bërjes së vaksinave kundër varianteve.

Ai tha se nuk ka “asnjë urgjencë të menjëhershme” rreth variantit Delta, pasi vaksina AstraZeneca është treguar si mjaft efektive kundër tij.

Javën e kaluar, Universiteti i Oksfordit ka publikuar një studim, i cili ka gjetur se vaksinat AstraZeneca dhe Pfizer/BioNTech janë gjerësisht efektive kundër variantit Delta, i identifikuar për herë të parë në Indi.

Ky variant është përhapur në rreth 100 vende të botës dhe është duke shkaktuar shpërthime rastesh gjetkë.

Studimi i Oksfordit ka konstatuar se vaksinat AstraZeneca dhe Pfizer/BioNTech janë efektive edhe kundër variantit Kapa, i identifikuar së pari në Indi.

Kapa, tash për tash, është vetëm variant i interesit, për dallim nga variantet Alfa, Beta, Gama dhe Delta, të cilat Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka veçuar si variante shqetësuese.

Sipas OBSH-së, një variant etiketohet si shqetësues kur duket se është më ngjitës, më vdekjeprurës ose më rezistent ndaj vaksinave ose trajtimeve aktuale.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje