Lista Serbe: Rezoluta për Srebrenicën, sulm ndaj popullit serb

7 Korrik 2021, 16:40Rajoni TEMA

Partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, tha se deputetët e saj në Kuvendin e Kosovës e kanë lëshuar sallën gjatë votimit të rezolutës për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë, pasi kanë kundërshtuar që t’iu japin “legjitimitet qëllimeve të institucioneve të Kosovës për t’ia ngjitur popullit serb etiketën e gjenocidit”

Sipas kësaj partie “rezoluta e propozuar nga deputetët boshnjakë dhe e mbështetur nga të gjithë deputetët shqiptarë, njëanshëm dhe pa asnjë bazë sulmon popullin serb, shtetin serb dhe kërcënon marrëdhëniet ndëretnike”.

“Ajo (rezoluta) nuk përmend me asnjë fjalë krimet ndaj serbëve në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci ose Kosovë “, thuhet në deklaratën e Listës Serbe.

Në muajin korrik të vitit 1995, njësitë e Ushtrisë së Republikës Serbe në Bosnje, të udhëhequra nga gjenerali serb, Ratko Mlladiq kryen një nga masakrat më të mëdha pas Luftës së Dytë Botërore duke vrarë mbi 8 mijë djem e burra myslimanë.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës të mërkurën (7 korrik), pa votat e Listës Serbe, miratuan rezolutën për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë në Bosnje e Hercegovinë. Rezoluta u iniciua nga koalicioni boshnjak ne Kuvendin e Kosovës, Vakat.

Në bazë të rezolutës, dënohet ashpër gjenocidi i shtetit serb në Srebrenicë ndaj pjesëtarëve të popullit boshnjak dhe të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut si dhe dënohet çdo tendencë për të mohuar qëllimisht dhe publikisht gjenocidin e Srebrenicës, me qëllim të denigrimit të viktimave dhe fshehjen e motiveve të krimeve të kryera. Rezoluta po ashtu fton institucionet shtetërore që të nderojnë viktimat e gjenocidit në Srebrenicë dhe, duke marrë parasysh se Parlamenti Evropian e ka shpallur këtë Ditë të Përkujtimit për gjenocidin në Srebrenicë, datën 11 korrik të shpallet ditë përkujtimi për gjenocidin në Srebrenicë.

Kuvendi i Kosovës e miratoi rezolutën para se të shënohet përvjetori i 26-të i gjenocidit në Srebrenicë. Përkatësisht, të dielën më 11 korrik parashihet edhe varrosja e 19 viktimave të gjenocidit.

Nga vendet e rajonit, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë miratuar rezoluta që dënojnë gjenocidin në Srebrenicë ndërsa në Kuvendin e Serbisë janë në shqyrtim dy rezoluta në lidhje me Srebrenicën. Në njërën kërkohet që Srebrenica të dënohet si krim, kurse tjetra si gjenocid. Diskutimi mbi rezolutat ende nuk është futur në rend të ditës atje. Shqipëria deri më tani nuk ka miratuar ndonjë rezolutë të ngjashme.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka konstatuar në vitin 2007 se vrasjet në Srebrenicë kanë përbërë gjenocid.

Më 8 qershor 2021, gjykatësit e Kombeve të Bashkuara e mbështetën dënimin me burgim të përjetshëm ndaj ish-shefit ushtarak serb, Ratko Mlladiq për gjenocidin në Srebrenicë dhe mizoritë tjera gjatë gjithë luftës së Bosnjës më 1992-95.

Mekanizmi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale, konfirmoi dënimin me burgim të përjetshëm, i shpallur nga shkalla e parë më 2017, për rolin e tij në vrasjen e rreth 8.000 burrave dhe djemve boshnjakë në Srebrenicë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka reaguar pas votimit në Kuvendin e Kosovës duke thënë se ka qenë e pritshme nga Kuvendi i Kosovës, por shtoi se është befasuar që një rezolutë të tillë e ka miratuar edhe Kuvendi i Malit të Zi.

“Rezoluta të tilla do të vazhdojnë. Ne mund t’i shmangim ato në disa parlamente, falë marrëdhënieve miqësore, por disa do të vazhdojnë me abuzimin politik të serbëve”, u tha Vuçiq gazetarëve gjatë një vizite në një spital të Beogradit.

4 komente në “Lista Serbe: Rezoluta për Srebrenicën, sulm ndaj popullit serb”

  1. Rosa says:

    HAHAHAh “sulm ndaj popullit paqedashes serv”….

  2. Nga maqedonia says:

    Po shqiperia cfar po pret?

    1. Lani says:

      O ti maqedonso! Ti i thua Shqiperise qe te beje nje politike te jashtme si Maqedonia? Nuk mungojne ketu ne Shqiperi ata qe mund te bejne nje politike te jashtme ne interes te shqiptareve. Se sa patriote e humane jane shqiptaret e Shqiperise ate e treguan ne 1999.
      Ju andej shtroni kurrizin e punoni si ketu nqs doni mireqenie e paqe!

  3. Fatosi-kosove says:

    Ne fund te fundit kjo rezolute ska asnje vlere kur dihet se kosova ka kuvend tash e 20 vite dhe gjenocidi ne bosne ka ndodhur viteve 90,pra Ku ishte kuvendi tash e 20 vite, pastaj edhe ne kosove ka ndodhur gjenocidi po nga serbia,pse kuvendi nuk ban nje rezolute per kosoven apo po prêt qe ta bej bosna ndoshta edhe vet serbia, per mua ska asnje dyshim se osmanka enderron te behet para europes dhe botes si dikur shoku tita dhe keshtu te shpallet nane shpetimtarja e serbosllvise, u ba kuvendi i kosoves te qaje per bosnen e punet e veta me shum se lluge ne vend se te bashkohen te gjitha partit dhe te bajne rezoluten pet gjenocid,ta bajne akuzen ndaj serbise per gjenocid e JO te krijojne armiq dhe te akuzojne kundershtaret edhe pet krimet qe serbia ka ber ne kosove.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje