Sovjetikët po përgatisin një grusht shteti: Çfarë shkruante New York Times në 1982, për Shqipërinë komuniste?

13 Korrik 2021, 11:39Politika TEMA

“Nëse Perëndimi nuk krijon një kordon mbrojtës diplomatik për Shqipërinë, duket e mundshme që ajo përsëri të bjerë nën Bashkimin Sovjetik – një ngjarje që mund të paralajmërojë zhvendosjen më drastike në ekuilibrin e fuqisë Evropiane, që nga Lufta e Dytë Botërore”. Kjo ishte frika më e madhe e shprehur në një analizë të të përditshmes prestigjoze New York Times, në vitin 1982 dhe që bota.al e sjell sot në shqip.

Sipas të përditshmes amerikane, sovjetikët nuk e kanë harruar 1961-shin kur u dëbuan nga shqiptarët. Ata kanë organizuar tre grushte shteti, dhe duke patur parasysh sëmundjen e Enver Hoxhës dhe lajmet për vetëvrasjen e Mehmet Shehut, mund të jenë duke organizuar një të katërt, bashkë me një pushtim nga ajri, toka dhe deti. Sipas kësaj analize, për sovjetikët Shqipëria ishte e rëndësishme për dominimin e Mesdheut, njësoj si Hauai për dominimin e Paqësorit nga SHBA.

Lexoni më poshtë analizën e plotë:

Nga Eric Margolis

Shqipëria, vendi më pak i njohur evropian, mund të jetë skena e një ndryshimi drastik në ekuilibrin e fuqisë Lindje-Perëndim. Vlera strategjike e Shqipërisë, megjithëse harrohet praktikisht në Perëndim, është kuptuar plotësisht nga Moska. Në afërsi të Jugosllavisë, Greqisë dhe Italisë, Shqipëria me dy porte të shkëlqyera të ujërave të thella, në Vlorë dhe Durrës, dominon gadishullin Ballkanik dhe hyrjen në Detin Adriatik. Bregu italian është vetëm 50 milje larg, përtej ngushticës së Otrantos.

Në vitin 1961, Shqipëria u bë i vetmi vend që dëboi me sukses forcat “okupuese” Sovjetike dhe një establishment pro-konsullor. Në atë kohë, lideri i partisë Enver Hoxha, një admirues i madh i Stalinit, prishi papritmas të gjitha lidhjet me Moskën për shkak të programit të de-stalinizimit të Nikita S. Hrushovit. Rusët sapo ishin duke përfunduar një kompleks instalimesh detare dhe vendqëndrimesh nënujore për nëndetëse në ishullin e gurtë të Sazanit, i njohur si “Gjibraltari i Adriatikut”, në portin e Vlorës. Sazani, dhe bazat e tij ajrore dhe logjistike shoqëruese në Shqipërinë kontinentale, do të kishin qenë baza pararojë, nga e cila Kremlini do të përhapte ndikimin e vet në të gjithë Evropën Jugore dhe në Lindjen e Mesme.

Shqiptarët i morën të gjitha këto instalime, duke dëbuar mijëra këshilltarë sovjetikë dhe madje duke marrë dy nëndetëse. Megjithëse i indinjuar, Bashkimi Sovjetik nuk ishte në gjendje të organizonte një përgjigje efektive ushtarake sepse 21 vjet më parë, kur Flota e Gjashtë e Shteteve të Bashkuara mbizotëronte në Mesdhe, rusëve u mungonte forca ajrore dhe amfibe me rreze të gjatë veprimi.

Rusët nuk e kanë harruar këtë poshtërim nga një vend me 2.5 milion banorë dhe modeli i veprimtarive antishqiptare të Moskës gjatë dy dekadave të fundit, tregon se rivendosja e kontrollit mbi Shqipërinë është një qëllim i rëndësishëm i strategjisë së madhe të Kremlinit.

Provat e prekshme të interesit të Moskës për të përmbysur regjimin e Shqipërisë kanë qenë të qarta. KGB, duke përdorur një kolonë të gjerë të pestë pro-sovjetike në Shqipëri, ka organizuar të paktën tre përpjekje grushte shteti.

Sot, ngjarjet në Shqipëri mund t’i paraqesin Moskës mundësinë që ka pritur me shumë durim. Z. Hoxha, 73 vjeç, raportohet të jetë në gjendje të keqe shëndetësore. Lajmi i radios shqiptare për ”vetëvrasjen për shkak të depresionit nervor” të Mehmet Shehut, i dyti në komandë, sugjeron praninë e presioneve në rritje në Partinë Komuniste Shqiptare, ndërsa dita e lënies së trashëgimtarit afrohet.

Ndjesia e njëshansi të ri për Moskën padyshim që rritet nga izolimi i plotë i Shqipërisë. Amerika kapitaliste është armiku numër 1 i Z. Hoxha, i ndjekur nga Bashkimi Sovjetik. Pas vdekjes së Mao Ce Dunit, Shqipëria futi Kinën, dikur aleatin e saj të vetëm, në një grup me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Sovjetik. Jugosllavët dhe grekët, armiq tradicionalë të shqiptarëve, kanë ende projekte territoriale për Shqipërinë. Në procesin e ruajtjes së pastërtisë ideologjike marksiste të vendit të tij, zoti Hoxha e ka lënë atë fare pa miq ose aleatë.

Skenari sovjetik për veprim kundër Shqipërisë mund të jetë i parashikueshëm: një grusht shteti që pason operacionet e suksesshme në Çekosllovaki dhe Afganistan. Ndryshe nga situata në vitin 1961, Bashkimi Sovjetik sot ka forca të bollshme për ndërhyrje me rreze të gjatë dhe nuk jeton më me frikë nga Flota e Gjashtë. Forcat ajrore mund të hidhen në Shqipëri, të kapin pistat kryesore të avionëve dhe të sjellin pajisje të rënda dhe forca të blinduara. Forcat amfibe nga skuadriljet e Detit të Zi dhe Mesdheut do të izolonin dhe mbështillnin Shqipërinë. Rezistenca nga ushtria dhe policia prej 50,000 njerëzish e Shqipërisë, do të shtypej shpejt.

Shqipëria mund të bëhet baza më e rëndësishme pararojë e Bashkimit Sovjetik, aq e rëndësishme për ambicien e saj shekullore për të kontrolluar Mesdheun dhe Lindjen e Mesme, ashtu siç është Hauaii për dominimin e Paqësorit nga Shtetet e Bashkuara. Pasojat politike të pranisë së Ushtrisë së Kuqe 50 milje nga Italia dhe disa qindra milje në veri të Athinës mund të imagjinohen kollaj.

Por imagjinata duket se mungon në Uashington. Mungesa e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë që nga Lufta e Dytë Botërore e ka çuar Perëndimin në një lloj amnezie për ekzistencën e saj, dhe dikush pyet veten nëse ka ndonjë plan rezervë për t’u përballur me një krizë atje.

As Shtetet e Bashkuara dhe as Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut nuk kanë mbështetur zyrtarisht pavarësinë e vazhdueshme të Shqipërisë, duke e lënë Moskën me synimin joshës të një çmimi të vlefshëm strategjik, që mund të kapet pa rrezikun e një reagimi efektiv Perëndimor. Nëse një regjiment ajror Sovjetik do të ulej në aeroportin e Tiranës, përgjigja e mundshme e Uashingtonit do të ishte, “Ku është Tirana?”

Nëse Perëndimi nuk krijon një kordon mbrojtës diplomatik për Shqipërinë, duket e mundshme që ajo përsëri të bjerë nën Bashkimin Sovjetik – një ngjarje që mund të paralajmërojë zhvendosjen më drastike në ekuilibrin e fuqisë Evropiane, që nga Lufta e Dytë Botërore. / The New York Times (1982) – Bota.al

8 komente në “Sovjetikët po përgatisin një grusht shteti: Çfarë shkruante New York Times në 1982, për Shqipërinë komuniste?”

  1. spartak says:

    Si tha, si tha.
    Forcat e ushtrisë dhe policisë prej 50.000 veta .
    Hajde New York Times hajde . Hajde CIA hajde .
    Si tha Fatime SOKOLI, si tha .
    O dy miljon jem që e hamë bukën .
    Dyqind miljon jem që e marrim pushkën.
    Kujt ja mbante me e mendu , e jo më me ju afru Shqipërisë në atë kohë .

    1. Smokthina says:

      Lerjani historisë vitet 70-80… Nuk shkel më këmbë rusi në këtë rajon. Harroje! Jaltën e ka mbuluar pluhuri i dekadave…

  2. Bimi says:

    Edhe tani qe e dine ku bie Tirana amerikanet po mendjen dhe shpirtin te Beogradi e kane…
    Ndofta duhet te rinovojme ate kontraten e qerase te Pashalimanit me ruset se mos u kthehet kujtesa

  3. Piro says:

    Artikulli interesant. Me interesantja eshte e dhena per tre tentativat e BRSS per te rezuar udheheqjen shqiptare.
    Artikulli synon te terheqe vemendjen e Uashingtonit per kete rezik qe i kanosej Shqiperise nga Rusia, Greqi dhe Jugosllavia ne ate kohe.
    Ky interesim i vecante i Eric Margolisit per fatet e Shqiperise vec te tjerave lidhet edh me prejardhjen e tij shqiptare. Ajo qe nuk dihet nga publiku shqiptar lidhur me kete komentator ne median amerikane, duke perfshire televizionin amerikan dhe kanadez eshte fakti qe Eric Margolis eshte i biri i nje zonje libohovite (libohovitet ia dine emrin) qe pasi mbaroi shkollen e “Nenes Mbretereshe”, shkoi ne Amerike me nje martese fiktive dhe aty kreu studimet ne Wesleyan University dhe u martua me nje amerikan me te cilin pati djalin Eric Margolis.
    Kjo eshte arsyeja e perpjekjes se tij per te

  4. Drini says:

    Po Muci Xhepa, i biri Zanes, bashkepunetore e sigurimit me pseudonimin “Kumuria”, cfare mendimi ka per kete shkrim?

  5. spata says:

    Mos shkruani me keto budadalleqe .Alibi per te justifikuar kasapanen gjak derdhse te Hoxhes.Ruset nuk mund ti shkulje nga Shqiperija nese Kenedi nuk doja kerkonte Hrushovit te largohej . Pralla e I .Kadares me vepren lertare Dimri i vetmis se madhe eshte nje sajim qe i ka pelqyer Hoxhes per te ligjeruar rrezikun Rus .Ruset e dine te verteten .Ata e kane firmosur dhe pranuar ne paktin e paqes qe u vendos midis SH.B.A. per ti hapur rruge ndryshimit te mardhenjeve te acaruara qe la Stalini .Edhe sot kur degjoje se Ruset kane plane ne Ballkanin perendimor ,kjo nuk nenkupton se eduan dhe Shqiperine . Ruset duan qe te kene influencen e tyre tek popujt sllave te Ballkanit . Me Shqiperine e kane ndar mendjen dhe azgje nuk ndryshon .

    1. demokrati says:

      Tovarish Sparta, ate qe Hoxha u beri sovjetikeve, edhe ne enderr u doli.Mos je ai eksperti ushtarak, turistik dhe gjeografik qe e leshon kokrren e lotit sa nje limon per Nikita Sergejevic Hrushov dhe e adhuronte me shume se djali vet biologjik?Eric vazhdon edhe kesaj dite te jete nje shqiptar i mire ashtu si e kishte edukuar e ema ne vegjeli”Ti nuk duhet te leshosh kokerr loti pasi je Shqiptar”.Qendrimi i Hoxhes ne 61 dhe ne 68 ishte i drejte dhe nacionalist.

  6. luani says:

    o spartak po te ishte per enver mostren ruset e mbanin shqiperine gjer me 1990 sic mbajten ter lindjen por qe marrveshja usa dhe rusise besoj se te kujtohet cekija e 1969 brenda nates u blindua me tanket ruse

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje