Qytetari ankohet për gjobë të gabuar, policia: Në procesverbal vendosim vendet që janë të njohura

14 Korrik 2021, 21:20Kronika TEMA

Emisioni Stop është drejtuar në qytetin e Lushnjës pas ankesës së një qytetari që pretendon se ka marrë një gjobë nga policia për parkim të gabuar, gjobë për të cilën thotë se i është vënë pa të drejtë dhe nuk kishte dijeni.

Erges Hasalla tregon se në muajin Dhjetor ka marrë një gjobë të cilën ka shkuar dhe e ka paguar. Më pas shikon në e-Albania dhe i rezulton një gjobë tjetër në muajin Tetor. Ai thotë se në atë vend që është përcaktuar, pra para një biznesi, nuk ka parkuar kurrë.

“Para 1 muaji mora një gjobë, megjithatë vajta e paguajta. Pas 2 javësh vjen postieri te shtëpia, më thotë ke një gjobë tjetër para 3 muajsh. E pashë te e-Albania. Më erdhi postieri më thotë ke një gjobë. I them ku e ke marrë këtë gjobën. E ke tek një biznes në Lushnje. Letër në xham nuk kam parë. 

Nuk kam parkuar fare në atë vend. Jam interesuar, më thanë që fletën do ta ketë marrë era, por ju e keni marrë këtë gjobë, parkim të gabuar. Unë s’kam parkuar në atë vend. Problemi është se e kanë vënë kot. Policia e Lushnjes mos vëjë gjoba kot më kot se është e dyta herë që ma bën, brenda 1 minuti vendos gjoba kot më kot”.

Gazetarja e emisionit Stop shkoi dhe u interesua pranë Komisariatit të Lushnjes. Punonjësit e policisë thonë se përveç fletës së gjobës, të cilën as këtë qytetari nuk e ka gjetur mbi makinë, nuk ka asnjë provë të tjerë që të faktohet shkelja administrative, siç mund të jetë fotografimi i vendngjarjes.

Gazetarja: Në qoftë se polici i ka vendosur një gjobë, ta verifikojmë, ta bindim dhe qytetarin…

Punonjësi i komisariatit: Tani, përderisa ai e ka gjobën, punonjësi i policisë, e ka vendosur gjobën.

Gazetarja: Ai nuk e ka gjobën. Ai nuk ka marrë kurrë një fletë gjobe, e ka parë tani.

Punonjësi i komisariatit: Punonjësi i policisë nuk vë gjoba kot.

Gazetarja: As për këtë nuk e vë dot dorën në zjarr, sepse ndodh.

Punonjësi i komisariatit: Jo, nuk ndodh.

Gazetarja: Po si mund ta vërtetojmë? Vetëm me anë të syve të policit dhe shkrimit të tij, ne vërtetojmë, që aty ka qenë makina?

Punonjësi i komisariatit: Është një proces-verbal konstatimi, që është plotësuar. Është konstatuar mjeti në kundravajtje dhe është vendosur gjoba.

Gazetarja: Po si e vërteton ai punonjës policie? Nuk bëjnë foto në momentin, që ka parkuar gabim?

Punonjësi i komisariatit: Nuk është e përcaktuar, të bëjnë ose jo.

Gazetarja: Po si mund të bindet qytetari, kur ai thotë që…?

Shefi i komisariatit: Me fletën e gjobës.

Gazetarja: Nuk e ka fletën e gjobës. Në sistem? Vetëm kur i del në sistem?

Punojësi i komisariatit: Tani kjo, që thoni ju, nuk ndodh, që të vendosi gjoba pa të drejtë.

Gazetarja: Ndodh aq shumë sa…Dhe nuk është rasti i parë, që shohim. Tani të flasim drejt.

Punonjësi i komisariatit: Mua s’më ka ndodhur asnjëherë.

Gazetarja: Si vërtetohet?

Punonjësi: Polici është më  i besueshëm, sesa qytetari. Pa dashur të gjykojmë askënd.

Gazetarja: Po e gjykon dhe po e paragjykon.

Punonjësi i komisariatit: Drejtohu me një shkresë zyrtare!

Gazetarja: Po, drejtohem unë me një shkresë zyrtare, por meqënëse është qytetari poshtë, mund ta sqaroni tani!

Punonjësi i komisariatit: Po mirë, do ta sqaroj unë.

Gazetarja: Ç’a sqarimi do i japësh?

Punojësi i komisariatit: Tani, ka mundësi…?!

Gazetaraj: Jam kurioze ta di, cfarë sqarimi.

Punonjësi i komisariatit: Besoj deri këtu jemi të qartë bashkë.

Gazetarja: Jo, nuk jam fare e qartë. Çfarë sqarimi do i japësh?

Punonjësi i komisariatit: Po do ta sqaroj. Unë e di, ca do i sqaroj. Tani do ju sqaroj juve, cfarë do i sqaroj atij?

Gazetarja: Do t’i japësh ndonjë provë qytetarit, që ka marrë gjobën?

Punonjësi i komisariatit: Provën e ka, fletën e gjobës.

Gazetarja: Nuk është provë ajo.

Punonjësi i komisariatit: Tani…

Pas gazetares, në komisariat shkoi Ergesi për t’u sqaruar në lidhje me gjobën. Aty i thonë që zakonisht policët vendosin gjoba dhe përshkrimin e vendosin në vende të njohura publikisht, pavarësisht nëse automjeti nuk është parkuar në atë vend.

Punonjësi i policisë: Si funksionon? Kur plotësohet proces-verbali i gjobës, është një rubrikë atje, vendi,- thotë. Dhe vende vihen gjithmonë vende që janë të njohura. Dhe prandaj i është referuar dhe punonjësi…Nuk e njeh njeri Gimin.(lokalin ku kishte parkuar)

Denoncuesi: Poshtë karburantit, parkim lokali o mik, jo parkim kështu.

Punonjësi i komisariatit: E kuptoj! Në parkim lokali, nuk vëmë gjoba ne.

Denoncuesi: Ajo është e keqja.

Punonjësi i komisariatit: Gjoba është vënë dhe është hedhur në sistem. Ti ke ndonjë provë, që e provon, që nuk parkon në atë vend?

Denoncuesi: Jam vetë unë!

Punonjësi i komisariatit: Unë ta provoj me gjobë, që polici ka vënë gjobë. Je ti vetë, po dhe ne jemi vetë. Ja është punonjësi i policisë. Tani kjo është masë administrative. Në qoftë se ti pretendon, se të është vënë gjoba pa të drejtë, ke të drejtë t’i drejtohesh Gjykatës Administrative!

5 komente në “Qytetari ankohet për gjobë të gabuar, policia: Në procesverbal vendosim vendet që janë të njohura”

  1. Shoferi says:

    Shef i pa edukat qe paguhet me taksat tona! Pse polici duhet te jete i besuar dhe qytetari jo! Pse polici duhet te jete i besuar kur merr rryshfet 500 lekshe dhe 1000 lekshe , dhe te provokon si e si qe ta marri paret, te kercenon se dote hiqet patenta, prandaj policet jane njerezit me te pa besueshem! Kundravajtesit veri gjoben dhe faktoje jo gjobe ne ajer ! Ka dhe me keq kur ja vendos nje gangsteri gjoben ,dhe polici e di mire kujt ja ka vene, dhe nga presioni ate gjobe ja ve dikujt tjeter ,ky eshte polici i besuar i shefit qe ka blere vendin e punes me miliona leka.

  2. Luli says:

    Ne gjithe boten u drejtohen gjykatave, vetem ne Shqiperi shkojne ne komisarjatet e policis dhe kerkojne llogari
    Shqipetaret nuk mund te mesohen me regulla sepse jane akoma Kafshe te pa zbutura

  3. Zyrtari i SPAK says:

    Po të vendosësh një gomar si polic, natyrisht qe do ndodhin gomarlleqe të tilla.

  4. George says:

    Ne SHBA qytetaret e nuk e paguajne gjoben kur nuk jane dkord me policine, por i drejtohen Prokurorit te njesise administrative (county- In the United States, a county is an administrative or political subdivision of a state that consists of a geographic region with specific boundaries and usually some level of governmental authority.) Prokurori i drejtohet policit qe ka vene gjoben. Nese nuk bien dakord me qytetarin, atehere gjoba ekzekutohet me vendim te gjykates administrative.)

  5. Zeqir says:

    MBAS 3 MUAJ E MBAKA MEND SHOKU SE KU KA PARKUAR.
    NUK VE POLICIA GJOBE KOT SEPSE I DUHET TARGA PERVEC kur PERSONI ka NDONJE problem me policine dhe kjo ZGJIDHET vetem me gjykate sepse eshte titulli ekzekutiv eshte nje fature qe dikush duhet ta paguaje.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje