Gjykata e Durrësit shpalli sot moskompetencën për çështjen e sasinë së kokainës, që u sekuestrua në kamionin me banane në portin e Durrësit.
Çështja tashmë i kalon Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndërsa ka lënë në burg administratorin e arrestuar të kompanisë “Alba Exotic Fruit”, për llogari të së cilës vinte ngarkesa.
Në gjykatën e Durrësit, sot u zhvillua seanca për vleftësimin dhe caktimin e masës së sigurisë ndaj Barjon Gumenit, administrator i kompanisë importuese në kontenierin e së cilës u gjet dhe sekuestrua sasia prej 11.6 kg kokainë.
Sasia u zbulua gjatë kontrollit në kontenierin e mbërritur nga Ekuadori në portin detar të Durrësit. Gjatë kësaj seance Prokuroria e Durrësit kërkoi dhe kalimin e hetimeve për kompentencë në Prokurorinë e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit.
I arrestuari ka vijuar të mohojë lidhjen me drogën duke deklaruar se kompania ka porositur vetëm banane dhe se nuk mban përgjegjësi për ndërhyrjet gjatë transportit detar.
Policia deklaroi se ka shpallur në kërkim edhe pronarin e kompanisë, Eduart Dauti, i cili ka qenë jashtë Shqipërisë në momentin e kontrollit në kontenier.