Policia greke dhe DEA amerikane kanë sekuestruar një sasi prej 350 kg kokainë në Portin e Pireut.
Sipas mediave helene, lënda narkotike ishte e fshehur në një kontejner që vinte nga Amerika Latine. Sasia e drogës ishte fshehur mes qeseve të kafesë, në mënyrë që mos zbulohej aroma e drogës.
Sipas policisë u kontrolluan gjithsej më shumë se 150 kontejnerë dhe në njërin prej tyre, me origjinë nga Guatemala me një ngarkesë me kafe u gjetën dhe sekuestruan 298 pako kokainë me një peshë totale prej 351 kg dhe 725 gram.
Operacioni është drejtuar nga DEA në bashkëpunimin me policinë greke dhe agjenci të vendeve të tjera për të zbuluar ngarkesën. Autoritet greke tashmë vijojnë hetimet për të zbuluar rrjetin e trafikut të kokainës.