O tani o kurrë! Ky është paralajmërimi që i bëjnë krerët e Manchester City-t drejtuesit më të lartë të Tottenham-it Daniel Levy, në lidhje me kapitenin e përfaqësueses angleze Harry Kane. Pas largimit të argjentinasit Sergio Aguero, që hyri thellë në historinë e “citizens” si golashënuesi më i mirë në historinë e klubit, “sky blues” po këmbëngulin për një sulmues. Vazhdimisht, madje edhe në sfida shumë të rëndësishme Pep Guardiola ka preferuar që ta interpretojë pjesën më të madhe të ndeshjeve pa një sulmues të deklaruar, megjithatë tani është e qartë që këto zgjedhje janë duke dëmtuar ekipin, në aspektin e rezultateve.
Pas disfatës së rëndë në “Estadio do Dragao” të Portos, ku “sky blues” u mundën në finalen e madhe të Champions-it me Chelsea-n, City humbi gjithashtu edhe takimin e parë zyrtar të sezonit të ri në Community Shield, pra Superkupën e Anglisë, teksa ekipi i Guardiolës u mposht minimalisht nga Leicester City, ndërkaq fundjavën e kaluar kampionët në fuqi e nisën gjithashtu keq edhe aventurën e mbrojtjes së titullit, duke u thyer në Londër pikërisht nga ekipi aktual i Kane-t Tottenham Hotspur. Vetë “uragani” mungoi në takimin hapës të këtij edicioni, madje golashënuesi më i mirë i sezonit të kaluar nuk u përfshi fare në këtë takim, teksa u la jashtë nga trajneri i ri i “gjelave” Nuno Espirito Santo.
Kurioz është fakti që ekipi i Guardiolës jo vetëm që i ka humbur minimalisht tre sfidat e fundit kompetitive, por mbi të gjitha “citizens” kanë dështuar për të shënuar qoftë edhe një gol të vetëm në këto ndeshje. Situata për 28-vjecarin duket vërtet shumë e paqartë, sidomos pas lajmeve kontradiktore që u përhapën nëpër mediat e ndryshme në ishull. Fillimisht u fol shumë mbi një marrëveshje “gentleman”-ësh ndërmjet sulmuesit londinez dhe shefit të klubit Daniel Levy. Idea është e qartë Kane i pati kërkuar bosit të klubit që verën e kaluar që të lirohej nga detyrimet kontraktuale, nëse ekipi do të mbetej sërish pa një trofe.
Siç dihet Tottenhami nuk fiton një trofe që nga viti i largët 2008, ndërsa vetë Harry Kane deri tani është gëzuar thjesht nga arritjet individuale dhe çmimet e veçanta që ka marrë, si lojtari i ri më i mirë i vitit, futbollisti më i mirë i sezonit, golashënuesi më i mirë apo qoftë edhe si organizatori më i mirë, çmim që e përfitoi pikërisht pak muaj më parë, si playmaker-i më i mirë i edicionit të shkuar me 14 asiste, pra dy më shumë se sa dyshja Kevin De Bruyne – Bruno Fernandes.
Më vonë u fol për një kthim me vonesë të Kane-t pas pushimeve nga Bahamasi dhe Shtetet e Bashkuara në Hotspur Way, në Enfield, ku Tottenhami grumbullohet dhe “spurs” kanë qendrën e tyre stërvitore, ndërsa versioni tjetër sipas shtypit britanik është se Harry e ka ndarë mendjen për t’u larguar nga klubi londinez, ngaqë Levy ka shkelur premtimin dhe fjalën e dhënë.
Pasi morën kapitenin e Aston Vilës, Jack Grealish për vlerën e 100 milionë stërlinave, duke thyer rekordin britanik, drejtuesit e City-t matën gjithashtu edhe pulsin e Daniel Levy-t me një ofertë tjetër prej 100 milionë paund për Kane-n. Siç dihet 59-vjeçari nga Essex është një ndër njerëzit më të vështirë për të biseduar dhe gjetur gjuhën e përbashkët, për të arritur një marrëveshje. Është e famshme historia e tij me futbollistin Gareth Bale në vitin 2013, kur Levy nuk lëshoi asnjë centimetër dhe presidenti i Realit Florentino Perez u shtrëngua për të thyer rekordin botëror të këtij sporti, duke paguar plot 100 milionë euro për lojtarin uellsian.
Pasi iu nënshtrua karantinimit të detyrueshëm 5-ditor për momentin Harry Kane është rikthyer në stërvitje dhe Nuno vijon të deklarojë se numri 10 do të vazhdojë të jetë pjesë e “gjelave” edhe për këtë sezon, madje trajneri portugez e ka regjistruar zëvendës-kapitenin në listën me 25 emra, që klubi ka dorëzuar në zyrat e UEFA-s për kompeticionin më të ri të Kupave të Evropës, pra Ligën e Konferencës, ku Tottenhami këtë të enjte do të masë forcat në orën 20:30 në Portugali me skuadrën e Ferreira-s.
Sigurisht pas ndryshimit të rregullave, edhe nëse Kane përfshihet në një nga dy takimet me Pacos de Ferreira-n në Ligën e Konferencës përsëri zëvendës-kapiteni i Tottenham-it mund të jetë i vlefshëm për Manchester City-n në Kupat e Evropës, natyrisht nëse “sky blues ia dalin për të bindur Levy-n me një kontratë të kënaqshme. Daniel Levy kërkon me ngulm 150 milionë stërlina, përndryshe sipas tij Kane nuk lëviz. Nga ana e tyre ndonëse kanë presidentin më të pasur në glob të një klubi futbolli, si Khaldoon Al Mubaraak, krerët e City-t nuk kanë ndër mend të shpenzojnë 150 milionë pound për kapitenin e përfaqësueses së “tre luanëve”.
Vitin tjetër lirohet edhe një sulmues si Erling Haaland, i cili mund të bëhet i vlefshëm për “sky blues” për vetëm 67 milionë stërlina dhe siç dihet në një kalim të tij te citizens mund të ndikojë edhe babai i tij Alf – Inge Haaland, që është aktivizuar te City për tre sezone, si mbrojtës dhe mesfushor nga viti 2000 deri në 2003, sidoqoftë më herët bëhet fjalë për një sezon tepër të gjatë përpara, ku trajneri katalanas ka nevojë urgjente për një sulmues, sidomos pas largimit të Sergio Aguero-s, që gjatë një dekade ka realizuar 184 gola.
Harry Kane është kurorëzuar tre herë në historinë e Premier League-s si golashënuesi më i mirë, në vitet 2016, 2017 e 2021 respektivisht me nga 25, 29 dhe 23 gola dhe sulmuesi londinez për momentin pozicionohet në vendin e shtatë, në listën e golashënuesve më të mirë të historisë së Premiership-it Anglez, ku kryeson prej shumë kohësh ish-sulmuesi legjendar Alan Shearer, me 260 gola gjithsej.
Tani sipas gjithë mediave britanike drejtuesit e City-t kanë kërcënuar se nuk kanë aspak ndër mend për t’u gjunjëzuar ndaj kërkesave të larta të Daniel Levy-t. Pra gjithçka është e qartë. Krerët e citizens do të bëjnë në këto dy javë që mbeten edhe një ofertë të re, më të lartë për Kane-n, por nëse Tottenhami refuzon përsëri për të firmosur, atëherë ky do të jetë edhe fundi i interesimit të “sky blues” për këtë lojtar, që pas 12 muajve do të festojë 29-vjetorin e tij.