Kryeministri Edi Rama ka mbledhur këtë të premte deputetët e vjetër dhe të rinj të cilët morën mandatin pas zgjedhjeve të 25 prillit.
Kreu i qeverisë ka pasur një falenderim për Gramoz Ruçin, i cili njoftoi dorëheqjen nga mandati i deputetit.
Në fjalën e tij, Rama tha se Ruçi do vijojë të jetë krahu i tij i djathtë.
“Këtu jam me anëtarët e mandatin të dytë dhe ato të mandatit të tretë, që sapo fillon. Por, ne këtu jemi e do të jemi një skuadër, që nga Gramozi, i cili do vijojë të jetë në krahun tim të djathtë, pavarësisht se tanimë i vetëçliruar nga çdo funksion.
Askujt të mos i vijë keq, por askush nuk e zë dot atë vend. Shumë prej jush ishin dhe do jenë në Kuvend, të tjerë janë dhe nuk do jenë në qeveri. Ne jemi një skuadër dhe ndryshimet e roleve do jenë në funksion të skuadrës për të vijuar punët e vendit.
Nuk do të jetë, asnjëherë e tepërt që të falenderoj deputetët dhe deputetet që e përfunduan punën e tyre të mandatit të dytë duke dhënë kontributin në Kuvend në periudhën e vështirësive më të jashtëzakonshme. Tërmetit dhe pandemisë sfiduese duke përfshirë dhe opozitën dhe djegien e mandateve.
Puna nuk u ndërpre, uniteti i grupit parlamentar nuk u vendos në pikëpyetje. Të gjithë ata që nuk do jenë në Kuvend, do kenë mundësi të përfshihen në punët e partisë që të japin një energji të re” – tha Rama.