Në 6 vjet, pagat u rritën me 5% në Tiranë, ndërsa apartamentet me 40%: Çmimet njësoj si në Milano

6 Shtator 2021, 09:10Politika TEMA

Çmimet e apartamenteve në Tiranë po shtrenjtohen vazhdimisht, ndërsa pagat nuk po rriten me të njëjtin ritëm. Sipas Bankës së Shqipërisë, që nga viti 2013-2014, çmimet mesatare të apartamenteve janë rritur me rreth 43% deri në fund të vitit 2020.

Çmimi mesatar i një metri katror në kryeqytet në fund të 6-mujorit të parë 2021 arriti në 1102 euro/metër katror, sipas indeksit të “Keydata Albania”, një publikim nga Çelësi Media Group. Çmimet luhaten nga rreth 700-800 euro/m2 në periferi deri në 4 mijë euro/m2 në kullat në qendër të qytetit.

Të dhënat e tjera të INSTAT tregojnë se për të njëjtën periudhë (2014-2020) paga mesatare në vend është rritur me rreth 18% në vlerë nominale (nga 45.5 mijë lekë në muaj në 2014-n, në 53.7 mijë lekë në muaj për 2020-n). Por e indeksuar me inflacionin mesatar vjetor, rritja reale e pagave është rreth 5% (sipas përllogaritjeve të Monitor, bazuar në të dhënat zyrtare për inflacionin nga INSTAT).

Teksa pagat mesatare mujore reale janë rritur me vetëm 5% në 6 vitet e fundit, ndërsa çmimet e apartamenteve u shtrenjtuan me 40%, kjo ka ulur ndjeshëm fuqinë blerëse, duke bërë që një familjeje apo një individ shqiptar të duhet të punojë shumë më tepër se më parë, në mënyrë që të arrijë të blejë një shtëpi.

Një individ me pagën mesatare 45.5 mijë lekë në vitin 2014 i duhej të punonte rreth 50.6 vjet për të blerë një shtëpi 90 metra katror, e llogaritur me çmimin mesatar të vitit përkatës. Gjashtë vite më vonë, një individ me pagën mesatare 53.7 mijë lekë do të duhet të punojë rreth 69.3 vjet, ose gati 19 vjet më shumë[1] (pa llogaritur marrjen e një kredie, krahasimi është bërë për të treguar se sa ka rënë fuqia blerëse nga shtrenjtimi i lartë i banesave në raport me ritmet e rritjes së pagës reale).

Në vitin 2014, paga më e lartë në vend ishte ajo e një drejtuesi komercial, me rreth 123 mijë lekë në muaj, ndërsa apartamenti më i shtrenjtë ishte rreth 2500 euro/m2. Për të blerë një banesë 100 metra katror, këtij drejtuesi do t’i duheshin 62 vjet punë. Në fund të 2020-s, paga më e lartë në vend ishte 152 mijë lekë, ndërsa apartamentet më të shtrenjta kanë arritur në rreth 4 mijë euro/m2. Si rrjedhojë, ky drejtues do të duhet të punojë 90 vjet për të blerë apartamentin më të shtrenjtë në kryeqytet, ose rreth 28 vjet më shumë[2]!

Vitet e fundit, rritja e shpejtë e çmimeve të apartamenteve është amortizuar disi nga zhvlerësimi i monedhës së përbashkët (shtëpitë kuotohen kryesisht në euro, që ka rënë nga rreth 138 lekë në 123 lekë) dhe nga ulja e normave të interesave për kredinë hipotekare në banka (nga 5.5%, në rreth 3.6%).

Apartamentet në Tiranë, njësoj si në Milano

Indeksi i pasurive të paluajtshme i publikuar nga Numbeo, sistemi i të dhënave (database) më i madh në botë për koston e jetesës, që mat raportin e çmimeve ndaj të ardhurave për pasuritë e paluajtshme, e vendos Tiranën ndër më të shtrenjtat në Europë. https://www.numbeo.com/property-investment/rankings_current.jsp

Numbeo rendit 267 qytete në botë, sipas raportit të çmimit mbi të ardhurat, që është treguesi më i mirë për të matur përballueshmërinë për blerjen e një apartamenti (sa më i ulët ky indeks, aq më mirë është).

Për kryeqytetin shqiptar, ky indeks është 16.2, njësoj si në Milano. Ndërsa apartamentet në Tiranë, sipas standardit të fuqisë blerëse janë më të shtrenjta se në Vjenë (12.9), Madrid (12.5), Stamboll (12.1), Zagreb (12.5), Stokholm (13.3) etj.

Më e shtrenjta në Europë është Moska (21.8), Parisi (19.7), Beogradi (19.3) etj.

[1] Të dhënat e përpunuara nga Monitor bazuar në inflacionin dhe formulën e vlerës në kohë të parasë

[2] Të dhënat e përpunuara nga Monitor bazuar në inflacionin dhe formulën e vlerës në kohë të parasë(Monitor)

8 komente në “Në 6 vjet, pagat u rritën me 5% në Tiranë, ndërsa apartamentet me 40%: Çmimet njësoj si në Milano”

  1. Jorgo says:

    po mbaroi Camorra duke investu ne Milano, ka vite… tani Erjona ia ka hapur dyert “biznesemeneve” Italiane te cilet shume shpejt do ta transformojne Tironen ne nje qytet kozmopolit te mbushur me Aziatike…
    Eh mi Erjona,
    n’Kine t’u boft nona

  2. GazMir says:

    Më të lumtur janë ata që jetojn me qira. Demenazhojn sa herë duan, s’kanë souci të punimeve renovuese., dhe taksave nga ministria financave apo me ata që s’respektojn kontratën.

  3. Adil says:

    Ky eshte sistemi hibrid qe drejtohet nga partia Social-iste, por qe zbatohen ligjet më te egra te kapitalizmit, shumica varferohet dhe nje pjese pasurohen.

  4. Salikoqja says:

    imagjino tepaguash 4000 euro metrin katror dhe te jeosh ne geto sic eshte Tirana

  5. Sokol says:

    E keni gabim. Pagat jane 3 fishuar gjate ketyrw 8 viteve. Dhe inflacioni pothuaj ka qene 0. Ja shikoni lajmet e tigrit. Me kot nuk u be dhe zv km

  6. flori says:

    Po rriten se investijne cunat e Ndraghetes.Cfare kujtuat ju.Erjona tha do jem kryetari qe do krijoje me shume parqe se pallate dhe per kete e hengren sapunin per djathe delet e allvanise.Tani mbajeni brenda vrimes ca vite kryetarin e lgbt se do e boje si ramazani 2 mandatet e para do boje lek pastaj do filloje ta mbledhe pak.

  7. Shqipëtar! says:

    Mafja që investon në ndërtim, kalon çfo kufi?! Jo vetëm pastrojnë paratë me 0% humbje por, shtojnë kapitalin me rreth 50-60 % (norma e fitimit në ndërtim në Shqipëri?!) .. e paparë, pa dëgjuar e pa_imagjinuar?!
    Shteti duhet të mbajë rolin e t’ijë , në favor të qytetarëve, ose të krijojë një korporatë ndërtimi dhe të ndërtojë pallate me kosto reale dhe të shasë apartamentet me normën reale të vlerës.
    Rrogat më të ulëta në Europë, çmimet pothuajse njësoj me disa qytete europiane që kanë dyfishin e popullsisë së Shqipërisë?!!!

  8. Scutari says:

    Çmimin e rrisin të ardhurat nga krimi i organizuar siç janë korrupsioni dhe trafiqet e paligjshme! Këta për pordhë të dashnores i blejnë një dyqan sa të kushtojë vetëm e vetëm të duken! Më e forta fare është sepse nuk fshihen fare dhe shteti mund t’i japë kur të dojë por siç duket nuk do .. i gëzofshin çmimet si në Tokio por shikoni a ju vjen uji,….

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje