Dinamo e Laçi barazojnë në “Elbasan Arena”

17 Shtator 2021, 21:48Sport TEMA

Dinamo dhe Laçi janë ndalur në një barazim 1-1 sonte në “Elbasan Arena”, pas një ndeshje shumë të luftuar dhe të vendosur sërish nga vendimet e risisë VAR.

Ndeshja u ndez që në minutën e 4-t kur Ademi dha një pasim të saktë për Zarubica, por sulmuesi goditi keq dhe i hoqi mundësinë e festës kurbinasve.

Pas këtij rasti lojës iu rikthye barazia, por dalëngadalë Dinamo mori terren dhe krijoi disa mundësi të mira, derisa të shënonte në minutën e 42-të.

Gol, por jo i rregullt sepse gjyqtari Ferati, në bashkëpunim me VAR vendosi e cilësoi si pozicion jashtë loje vendosjen e Sofranac në momentin e golit.

Pjesa e parë u mbyll me barazim pa gola. Me nisjen e së dytës, Dinamo vazhdoi të ishte agresive dhe arriti të finalizojë me sukses punën e bërë, duke shënuar në minutën e 53-të.

Isaevski nisi një top në zonë nga e majta dhe Julian Shehu, në tentativë për ta nxjerrë jashtë, tundi rrjetën e tij, pa i lënë asnjë mundësi Sherrit për të reaguar.

Pas golit gjithçka foli për Laçin, që aktivizoi Mazrekajn dhe ky i fundit shtoi shumë klas dhe rrezik në portën e Dinamos, që ashtu si me Kastriotin, u mbyll mbrapa pas golit të shënuar.

Në minutën e dytë të shtesës Laçi shënoi me Roganovic dhe pasi gjyqtari shpenzoi rreth 3 minuta në rishikimin e golit në VAR, i dha të drejtë Laçit dhe e cilësoi golin e rregullt, duke fiksuar shifrat 1-1.

Më pas kishte shumë pak kohë për të ndryshuar rezultatin dhe të dyja skuadrave iu desh të mjaftohen me “paqen” dhe ndanë nga një pikë pas një beteje mjaft të fortë.

 

 

 

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje