Mbyllen hetimet për sulmin ndaj hotel “Volorekës”, prokuroria i akuzon të dyshuarit për “vrasje të mbetur në tentativë”

21 Shtator 2021, 16:04Kronika TEMA

Mbyllen hetimet për dy ngjarjet që tensionuan Pogradecin më datat 1 dhe 8 të Gushtit të kaluar, kur breshëri plumbash u shkrehën ndaj hotel “Volorekës”. Hetuesit u kanë komunikuar të dyshuarve akuzat, duke i çuar për gjykim për veprën penale “vrasje e mbetur në tentativë”.

Në dosjen e prokurorisë thuhet se Meard Berberi, Anterio Kaloshi dhe Ervin Kalaja, më datë 1 Gusht 2020, dyshohet se kanë lëshuar me dhjetra plumba duke zbrazur karikatorët e armëve në drejtim të makinave të parkuara në hotel “Voloreka”. Sipas procesverbalit të vendit të ngjarjes në drejtim të makinës së Johan Muçollarit u qëlluan 24 plumba.

Po i njëjti sulm është përsëritur edhe në datën 8 Gusht. Ata dyshohet se kanë qëlluar në drejtim të dhomës ku flinte i riut, pasi kishin konflikt me këtë të fundit. Gjatë të dy sulmeve në vendin e ngjarjes janë gjetur më shumë se 100 gëzhoja. Në dosje thuhet se gjithçka ka nisur kur Johan Muçollari do të ikte për të dëshmuar në një proces gjyqësor, që po zhvillohej në dëm të shokut të personave të përfshirë në ngjarje.

Gjithashtu thuhet se fillimisht Muçollari është telefonuar dhe kërcënuar nga të dyshuarit. Meard Berberi, i cili është me profesion avokat ka bërë kallëzim për prokurorin e çështjes në SPAK dhe në ILD. Berberi  kërkon rikualifikimin e veprës penale me argumentin se nuk ka persona të plagosur apo viktima që të akuzohet për “vrasje të mbetur në tentativë”.

Prokuroria e posaçme ka shpallur moskopetencën për të hetuar kallëzimin dhe e ka dërguar atë në Korçë, nga ku ka kaluar në prokurorinë e Elbasanit. Ndërsa Inspektori i Lartë i Drejtësisë po kryen verifikimet në lidhje me pretendimet e Meard Berberit për shkelje të ligjit nga prokurori.

1 komente në “Mbyllen hetimet për sulmin ndaj hotel “Volorekës”, prokuroria i akuzon të dyshuarit për “vrasje të mbetur në tentativë””

  1. aleks says:

    Ky hotel qe qelben Drilonin te rrafshohej sa me pare.Pogradeci duhet te heqe kete shemtire sllave nga ai vend.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje