Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi në ceremoninë mortore të nënkomisarit Saimir Hoxha e ka konsideruar vdekjen e tij si një “Humbje të rëndë dhe detyrim për të vazhduar me vendosmëri luftën kundër krimit dhe trafikut të drogës”.
Më poshtë po pasqyrojmë fjalimin e plotë të ministrit:
E nderuara zonja Lisiana Hoxha,
Të nderuar zonja Raze Hoxha dhe zoti Bilal Hoxha,
Të dashur familjarë të tjerë dhe miq të nënkomisarit Saimir Hoxha,
Kjo është një ditë tejet e trishtuar për ju, familjarët dhe miqtë e nënkomisarit, por edhe për të gjithë ne, kolegët e tij. Ju humbët djalin, burrin, e babain tuaj të shtrenjtë dhe ne të gjithë humbëm një njeri të rrallë, një funksionar shumë të mirë të Policisë së Shtetit, një koleg të përkushtuar dhe të ndershëm, një punonjës fisnik në mbrojtje të rendit e të sigurisë së qytetarëve.
I rritur në një familje të nderuar në Pukë, i arsimuar në Akademinë e Rendit në Tiranë, Saimiri la kudo ku punoi – në Tropojë, Shkodër, Tiranë dhe Lezhë – përshtypjet më të mira si një punonjës policie i drejtë dhe rigoroz në zbatimin e ligjit, i qetë dhe i komunikueshëm me qytetarët, dhe i dashur e bashkëpunues më kolegët e tij.
Humbja e një kolegu dhe njeriu me vlera të tilla është veçanërisht e rëndë, por është, në të njëjtën kohë, edhe një detyrim më shumë për të nderuar sakrificën e nënkomisar Saimir Hoxhës dhe të dëshmorëvë të tjerë të kombit në rradhët e Policsë së Shtetit.
Ndaj, në emër të qeverisë dhe në rolin tim si Ministër i Brendshëm, ju siguroj për pëkushtimin tonë të plotë dhe pa kushte për të vazhduar me vendosmëri luftën kundër krimit dhe kundër trafikut të lëndëve narkotike, dhe për të çuar përpara, pa u lodhur, përpjekjet për forcimin e sundimit të ligjit dhe të sigurisë për qytetarët.
Të dashur familjarë të nënkomisarit Saimir Hoxha,
Në këtë ditë dhembjeje të pamatë, ju jemi afër me gjithë zemër. Por, po kështu do t’ju jemi pranë edhe në shumë vite që vijnë.
Do të kujdesemi për familjen e këtij dëshmori të kombit, për dy djemtë e tij, të cilëve do t’ju mungojë shumë i ati, por nuk do t’ju mungojë kurrë vëmendja e shoqërisë dhe shtetit, për mbrojtjen e të cilave nënkomisari Saimir Hoxha dha jetën në krye të detyrës. I paharruar qoftë kujtimi i Dëshmorit të Atdheut, nënkomisarit Saimir Hoxha!
Prehu në paqe, i dashur Saimir!
Ore legena, harxhoni ca para’ per te pajisur policine me jeleke antiplumb, e lereni keto lote krokodili se nuk i duhen kujt.