"Të pres në morg të tërheqim kufomën”

1 Tetor 2021, 12:45Blog TEMA

Nga Andrea Danglli

Një punonjës morgu këto ditë ka pasur mbase punën më të vështirë pasi u gjend plot pikëpyetje përpara trupit të ftohtë të një 21-vjeçari i cili mbylli sytë bash në moshën kur jeta nis të çelë kuptimin e saj.

Edhe pse mund të ketë kaluar me qindra raste të tilla brenda atij institucioni, është e vështirë të gjendesh para një kufome të tillë kur e vetmja gjë që di është fakti se para pak orësh ai ka shkaktuar një tjetër kufomë dhe që është aq i vetëm në botë e pa mundësi, sa askush nuk vjen ta marrë.

Teksa e sheh në atë gjendje, është e vështirë ta besosh se nga ata gishtërinj të ngrirë është shkelur këmbëza që i ka këputur jetën një rojtari të pafajshëm të rendit.

Gjëja më e thjeshtë që mund të bësh para kësaj kufome është të shfaqësh anën çnjerëzore, ta përdhosësh, ta injorosh apo të shfrysh mbi të gjithë dufin si ngushëllim për shoqërinë jashtë mureve të morgut, e cila fatkeqësisht helmin e prodhon më lehtë se ilaçin.

Gjëja më e vështirë, por e duhura, ama, është të kërkosh përgjigjet e munguara që duhet t’i japësh vetes për të kuptuar një realitet që ushqehet vazhdimisht me pikëpyetje.

Pyetja që bën thjesht si punonjës morgu, me gjakftohtësinë e kalitur prej punës, është: Kush do të vijë ta tërheqë trupin e pajetë që të vijojmë procedurën standarde dhe që të mbyllet një ditë tjetër pune 8-orarëshe?

Pyetja që duhet të bëjë në fakt, ai dhe të gjithë ne, është: Kush është pjella e vërtetë e kësaj monstre që i takon ta tërheqë?

Padyshim që secili ka përgjigjet dhe gjysmë-përgjigjet e veta, të cilat disa i gjejnë në 24 orët e fundit, ca i ndajnë në mandate qeverish apo shumë edhe në sistemet politike në përgjithësi.

Së paku në këtë demek pluralizëm që kemi njohur, dëshpërimisht nuk gjetëm kurrë forcën për t’i dëgjuar këto përgjigje, andaj edhe ka pasur kaq shumë kufoma të cilat përveç familjes duhet t’i tërheqë nga morgu shoqëria, ky inkubator famëkeq ku po rrisim anti-njeriun tonë.

Në këtë inkubator, ashtu si pa e kuptuar, kemi krijuar një klimë negative thuajse në të gjitha fushat e jetës ku anti-vlerat kanë sunduar tërë qesëndi mbi vlerat. Këtu kemi qenë të gjithë dhe kemi parë se si i pandershmi e ka mundur të ndershmin, injoranti e ka shtypur të diturin, i pasuri e ka përqeshur të varfrin dhe i dobëti ka shërbyer veç si materie prej mishi për të fortin pa asnjë dritare mundësie.

Kjo është familja shqiptare që ka humbur fillin dhe nuk po e rigjen dot, pasi ka shkatërruar ekuilibrat duke humbur komunikimin e shëndetshëm si bazë vlerash.

Ky është shteti shqiptar që ka shuar perspektivën reale për rininë, ka dështuar me punësimin, ka mbjellë varfëri dhe është bërë shkaktar për 1001 gropa të tjera të zeza ku çdo 21-vjeçari mund t’i shkasin këmbët dhe të rrëzohet.

Kjo është politika malinje që kanë ndërtuar ata të cilët presin të nxjerrën dekoratat nga sirtari për heroin e radhës dhe harrojnë të merren me rrënjët e problemeve që po u vardisen deri pranë mureve të shtëpisë së tyre.

Kjo është drejtësia kandarkëputur që i përshtatet fare mirë oreksit të politikës dhe ryshfeteve, duke e bërë pandëshkueshmërinë model suksesi që duhet ndjekur pas.

Kjo është fytyra e arsimit që është bërë si dërrasë e zezë mbi të cilën më shumë zënë vend njollat e maskarenjve menefregistë sesa germat e edukuesve të vërtetë që po pakësohen gjithnjë e më shumë.

Ky është dengu i OJF-ve që denden me para për t’u marrë me plagët sociale dhe në fund si specialistë të hershëm hartojnë fabula me njerëz të cilëve pasi ua shtrydhin dhimbjen, i lenë në mjerimin e tyre të pështyjnë gjak.

Kjo është media, ah med(et)ia! Shumë nga ne në kuzhinat tona gatuajmë ushqim për të rritur monstra. Drogë në mëngjes, seks në drekë dhe armë në darkë qysh në hapat e para të jetës si alternim çmendurish duke modifikuar edhe ëndrrat e fëmijëve, që në vend të rriten me dëshirë për t’u bërë astronautë a eksploratorë, mbyten me dëshirën për famë në TikTok me makina të shtrenjta a pistoleta në tavolinën e lokalit.

Kjo është, pra, shoqëria busull-humbur, këta jemi ne hipokritët e ndershëm që nxitojmë të mprehim fjalët pas tragjedive dhe harrojmë të reagojmë drejt pas çdo të keqeje që na ka imunizuar, duke na dënuar me një heshtje vrastare dhe me një mpirje të frikshme të empatisë njerëzore.

Nëse secili do të bënte pjesën e tij, mbase në këto rreshta do të shkruanim se si një 21-vjeçar u hodh përpara mbi horizontet e jetës dhe jo sesi u hodh në varr pasi u mori babanë dy fëmijëve.

Ai i ri me kobure mund të ishim unë e ti, apo qoftë edhe miqtë tanë; e dy ditë pasi të vdisnin do gjendeshim ende në muret e morgut në pritje se mbase dikush do të vinte të tërhiqte arkëmortin.

Dhe sigurisht, askush nga këta që përmenda më lart nuk do të paraqitet në dyert e institucionit pasi do jenë të zënë duke sharë, mallkuar dhe dënuar… Atëherë, e kujt është kjo pjellë që kutërbon menefregizëm dhe vdekje vlerash?!

6 komente në ““Të pres në morg të tërheqim kufomën””

  1. DENI says:

    KETO JANE PASOJAT E DIPLOMAVE ME PAGESE TE TE GJITHA UNIVESITETEVE SHQIPTARE.
    KJO ESHTE FYTYRA E VERTETE E SHQIPTAREVE.
    UNE AKUZOJ SISTEMIN GJOJA KAPITALIST,QE U NGRIT NGA ISH KOMUNISTE DHE ISHTE I KALBUR QE NE NGRITJEN E TIJ.
    A nuk duhet qe ky i ri 20 vjecar te ishte ne bangat e shkolles,ose sepaku ne pune?!
    Ne cilin shtet perendimor kjo moshte verdalloset rrugeve?
    POLITIKANET E TE GJITHA KRAHEVE POLITIKE NUK DUAN TA BEJNE KETE VEND SI EUROPA.
    NJE VEND ME AQ NJEREZ SA KA NJE QYTET I VOGEL NE EUROPE, KA 30 VITE QE NUK PO FUTET NE RRUGEN E DUHUR!
    I KUJT MUND TE JETE FAJI??

  2. ? says:

    Nje bravo e madhe te lumte pena dhe mendja
    Kjo eshte demokaracia ku varrezat jane bere si qytete pa drita me te rinje qe nuk kane kembe te levizin
    Zot ndiqoju mendjen ketij populli

  3. eli says:

    Te gjitha keto jane te verteta dhe ajo qe i verteton edhe me shume,eshte ajo,qe u deshen 4 dite qe te dale njeri dhe te shkruaj keto qe lexuam ne kete aktakuze publicitare!
    Qe ne momentin e pare qe pashe foton e 21 vjeçarit te publikuar,çfare me beri pershtypje,ishte qe fytyra e tij,nuk ishte ajo e nje krimineli te lindur.Shpesh tiparet e fytyres e tregojne kete dhe te them te drejten perveçse nje dhembje te natyrshme per humbjen e jetes se oficerit te policise,me kaploi nje pikellim shume i madh edhe nga humbja e jetes se ketij djali!Po po Ajo ishte fytyra e nje qingji qe ashpersia e jetes qe derrmon kedo qe eshte pa perkrahje,tenton ti jape pamjen e asaj te nje ujku!Jo jo,kam bindjen e plote,qe nuk ishte temperamenti,apo ADN-ja e tij qe e beri ate ky qe ishte,por ishte lenia e tij vetem,larg ngrohtesise familjare,larg shkolles dhe shokeve te mire per shkak te varferise!Asnje mundesi nuk i eshte afruar atij nga askush.E pra çfare presim ne neser nga keta femije qe i abandonojme sot?!Asgje tjeter perveç asaj qe beri ai djale!Mediat vazhdojne te ziejne çdo dite me çeshtjen Basha- Berisha dhe pak ia ndjen te merren me fenomenin e ketij djali qe po ti ishte dhene pak dora,sot mund te ishte nje student qe perpara do te kishte perespektiven e jetes.E jetes se veshtire,por qe behet edhe e bukur nqs ne krah ke nenen,babain shoqerine,shkollen,shtetin!

  4. Tironci says:

    Rrespekte per artikullin , artikull brilant Andrea Danglli rrespekte , na ben optimist te mendojm qe ka akoma njerez te mir e te mir edukuar dhe teper profesional , ne kte vend , rrespekte .

  5. Nje mergimtar says:

    Problemi qe trajton artikull shkruesi,i trajtuar shume mire,ka rrenje te thella.Ne gjithe boten e qyteteruar ku duam te integrohemi ka fenomene te kesaj natyre,vrsje e krime.Se pari nga diktatura morrem metoden e antinjeriut qe nje i denuar ne ate kohe kur egzekutohej nuk i jepej familjes per ti bere ndereimet njerezore.Se dyti pas 1990-tes shoqeria shqiptare u shperbe.Goditja me e madhe nuk ishte shkaterimi i ekonomise por,shkaterimi i familjes dhe shkolles.Ne keto vite te pluralizmit shkolla nuk quhet me vendi edukimit por vetem i mesimit.Mesuesit nuk merren me me probleme edukimi.Edhe ndonje mesues qe kerkon ta beje ate (edukimin)perballet me koleget si prishes i rutines se tyre.Ne kete gazete kemi pere shfaqie te rrugacerise ne shkolle,ku nxenesit rrihen me njeri tjetrin,shajne mesuesit dhe nuk lejojne te behet mesim.Natyrisht jo te gjithe.Familja shqiptare nga themel i edukimit te femijeve,prej kushteve te veshtira ekonomike e shoqerore nuk u kujdes me sa duhet per femijet.Rendja per pasurim te shpejte me grabitje,droge,prositucion e vrasje ishin mesimet me te keqia per edukimin e femijve.Sa per shoqeri edukuese ajo nuk egziston.Eshte e vertete se fenomene te tilla ka kudo por shteti kryen detyren e tij kurse tek ne ne keto 30-vjet shteti eshte inegzistent.Nje aspekt tjeter eshte kultura jone e dobet.Ne Shqiperi kur nje familje ndahet,prindrit nuk kujdesen me per femijet si duhet.Femijet edukohen nga prindi qe ka ne kujdestari me urrejtjen per prindin tjeter e per rrjedhoj i kultivon armiqesi per ate e qe pasqyrohet edhe ne jete me te tjeret.Sot ne vendin tone jeta eshte pa vlere duke menduar se do te ikesh e do te vish perseri.Kjo situate do vite te rregullohet por,kerkon qe te ndryshojne shume gjera ,si ato pak qe thash me larte,por dhe shme te tjera qe sociolog,psikolog ,juriste, ekonomiste dhe politikane i dine me mire.

  6. vertino says:

    Eh Andrea me le pa fjale me shkrimin tend. Je nje talent qe kap tema te tilla sociale si askush tjeter.
    Urime te sinqerta nga miku juaj ne USA.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje