Hej Broja, mos e digj veten! Nuk i përket vetëm vetes, je shpresa e Shqipërisë

10 Tetor 2021, 09:52Sport TEMA

Nga Mustafa Nano

Nuk e dija që Armando Broja kishte pasur një problem fizik, për shkak të të cilit nuk ishte i këshillueshëm aktivizimi i tij që në fillim të ndeshjes, dhe gjatë gjithë kohës (deri në çastin që Broja hyri në fushë) po mendoja keq për Edy Reja-n.

“Si e ka hallin ky njeri?” thosha për të. “Çfarë di ai që ne të tjerët nuk e dimë? Mos vallë Broja ka qenë thjesht me fat që ka nxjerrë dy ndeshje të bukura, e që ka shënuar po aq gola, dhe në të vërtetë është një lojtar i zakonshëm?” Në favor të rezervave (të supozuara) të Reja-s për Brojën fliste edhe fakti që një trajner tjetër, Ralph Hasenhuttl-i i Southampton-it, ka të njëjtat rezerva. Nuk e fut asnjëherë në fushë si titullar. Dhe kështu, puqja e qëndrimeve të dy ekspertëve të futbollit, të cilët punojnë në vijimësi me Brojën, do duhej të më bënte të mendoja se lojtarit tonë nuk i hahet haku, se nuk ka ndonjë përbetim kundër tij.

Por prapëseprapë nuk arrija të gjeja paqe. Ndonjëherë, në mënyrë budallaqe, më thoshte mendja se këta dy zotërinj duhet të kenë ndonjë paragjykim të natyrës jo futbollistike ndaj Armando Brojës, por të shumtën e kohës i mbush mendjen vetes se “ka diçka që të dyve u ikën sysh, nuk arrijnë ta pikasin”, apo se “kushedi se ç’skaramancí anti-Broja-ne besojnë”.

Edhe Mourinho nuk arriti të shihte te Luke Shaw atë që ne të gjithë (edhe Mourinho vetë) pamë më pas në Europianin e fundit. Shkurt, trajnerët, edhe ata më të mëdhenjtë, gabojnë në vlerësimin e lojtarëve të tyre.

Secili prej tyre ka fiksimet e parapëlqimet e veta, burimin e të cilave s’e ka për gjë ta kërkojë kotmëkot te arsyeja e kulluar. Ne të gjithë këtë bëjmë në jetë, apo jo? S’e kemi për gjë ta shfajësojmë veten për zgjedhjet e gabuara. Jemi të talentuar për këtë. Ndoshta ky është më i madhi talent që kemi (ne, soji i njerëzve).

Mirëpo, pas ndeshjes mora vesh se Edy Reja nuk e kishte futur Armando Brojën në formacionin e parë për shkak të pasigurisë lidhur me një dëmtim të tijin, prej të cilit nuk e kish marrë veten plotësisht. Dhe u lehtësova.

Sikur të mos ishte kjo, Reja rrezikonte të më dilte nga zemra një herë e mirë. Se, si mund të lihet në stol një si Broja? Ok, ne kemi Manajn, Cikalleshin, Uzunin, Balajn, të cilët nuk janë dosido e të cilët e kanë treguar veten në kohë “të acarta”, por Armando Broja është i një race tjetër.

Ai mund të shkojë dëm si lojtar (m’u thaftë goja!), dhe kjo mund të ndodhë për arsye nga më të ndryshmet, p.sh. mund të jetë i pamenaxhueshëm karakterialisht, mund të jetë fizikisht i brishtë, mund të jetë i pafat, apo ku di unë çfarë tjetër, por sot për sot, me çfarë po shohim, përveçse është një premtim i madh për futbollin shqiptar (dua të besoj se më në fund do ta kemi edhe ne një futbollist të madh), është gjithashtu edhe një prej yjeve të ardhshëm të futbollit europian.

Hej Broja, mos e ço veten dëm! Ti nuk i përket më vetëm vetes. Na përket të gjithëve.

Po mendoni se ky i imi është një shpërthim emocional, e kaq? Ok, puna juaj se si mendoni. Nuk janë vetëm 2-3 gola të tij që më bëjnë të besoj te këto që thashë.

Është mënyra se si luan, se si vendoset në fushë, se si luan pa top, se si vrapon, se si e kontrollon topin, se si e lëshon përpara, se si driblon, se si merr nishan portën, pa larguar nga koni i shikimit shokët që mund të ketë aty pranë, etj., etj. Unë jam një fan i tij. Forever!

21 komente në “Hej Broja, mos e digj veten! Nuk i përket vetëm vetes, je shpresa e Shqipërisë”

  1. Trotski says:

    Hello ! te njejtat mbresa perjetoj dhe une.Broja me nxjerr mallin e Panajot Panos.Luan me te njejtin stil.Po Broja eshte me fatlume .Luan ne Angli dhe eshte ne syte e te gjithe Botes.Panua mbeti ne kornizen shqiptare dhe u shua pa nxjerre madheshtine e tij. Para Broja!..Jepi Broja! .Na ben te ndjehemi Krenare.Duam nje GOAL kunder Polonise.

    1. Prandaj them unë.. says:

      ..ah, Muçi i shkretë qënka me zakone

  2. Olsi says:

    Zoteri kete qe bejne te dy traineret quhet kujdes , per mos tu djegur lojtari, eshte i ri, dhe ka talent , por shkallet ngjiten nje nga nje, broja po fiton eksperience , dhe mos harro se reja e ka futur ne ndeshje kur pa qe kundershtari ishte me i lodhur, dhe ky lojtar ka shperthim dhe goditje te mire, por mos prisni qe per 90 min , te kete kete ritem loje, se po ishte ashtu , nuk e linin ne stol, djali eshte i ri dhe duhet patur kujdes, talenti nuk mungon , por me te rinjte , sic thone shume trainere italiane dhe reja e shume mire, duhen mbajtur me karota por dhe shkop ne dore.

  3. Tirona says:

    Levizjet taktike te Brojes ne fushe jane frymezim per lojtaret e tjere te ekipit te cilet mos te qendrojne statik ,por te jene gjithmone ne levizje per ta pasur nen kontroll kundershtarin…..

  4. Albina says:

    Këpucar, rri tek këpucët …..

  5. xha Temja ose ETHEMI says:

    Dre, dre, dre, nuk mbeti fushe e jetes ku mos jape verdiktin e tij ky Muc Skraparleshi!

  6. johan cruyff says:

    O Muç, na thuaj se çfarë mendon për tavën e kosit? Pasi jam në ankth! Po ç’punë ke me futbollin o burr’! Mos dil jashtë këpuce, o cordonnier! Se t’pëlqejnë gjuhët e huaja ty dhe i shqipëron në mënyrë të palexueshme (ç’skaramanci). Hidhu alkool frenave dhe mos merr kot. Lejo specialistët të flasin, më i përunjur vlla. T lutem mos harro ç’skaramanci ke për tavën e kosit, por deshe edhe për flinë. Flm. Po pres padurueshëm!

    1. Ari says:

      You shoulb be more humble , Mr. Nano!nuk eshte as ekspertiza as fusha jote futbolli..

  7. ducati says:

    Z Nano
    Armando Broja ka per tu bere nje nga futboolistet me te mire ne bote,
    e kam thene dhe shkruajtur ne kete gazete,para 2-3 muajsh
    duket lojtari qe di te lozi TOP shume shpejte klubet si
    REAL ,BARCELONA ,BAJER, do ta blejne
    eshte talent i klasit BOTRORE,
    ARMANDO diell te ta beje zoti.
    Jemi te lumtur per ty flm.

  8. Olimpia says:

    Trocky… Jam me ty… Por me ngjan me shume nje Krujf…. Ne loje… Ne shperthim si Pano… I cili, per ne qe e kemi pare ne fushe ishte nje pararendes i Mesit.
    Ne kualifikimet e europianit kur Pano humbi nje rast ne Turqi,I fameshmi trainer gjerman Shen I tha Panos… Pse e humbe..Pano,si djale i thjeshte Tirane i tha perkthyesit… Gola humbet edhe Myler.. Atehere Shen ia ktheu… Cthua… Cfare eshte Myleri para teje??? Kishte nje adhurim per te pa arriteshmin Pano…
    Gjithesesi nuk eshte vetem Broja… Ka nje grup te talentuar qe mund ta coje Shqiperine shume lart… Plus pjekuria dhe profesionalizmi I Rejas.
    Forca djema…. Kemi barazuar me Polonine 2 me 2 kur ajo ishte ne nivelin per kampion bote..

  9. Ditoni says:

    Me këtë shkrim më kujton Mustafa në e para 20 viteve. Bravo,ndajmë të njëjtat bindje e pritshmëri për Trojën. Zoti i dhëntë shëndet e vullnet

  10. tifozi says:

    Fakt eshte se si ky lojtar, ne nuk kemi patur nje tjeter te ketij niveli. Uroj qe te vazhdoje te punoje me ngulm, pasi vetem me pune mundet te arrije aty ku duhet. Talenti nuk i mungon.

  11. Ana says:

    O Muc qe je llafazan besoj qe e di. Por bej llap llap me politiken dhe mos fut hundet kudo se te neverit pastaj. E kujt i plasi se do ta merrje Rejen inat. O muc kopetenti hahahahaha!

  12. Genci Shkupi says:

    Jo në fakt e tha vet Reja pas fundit të lojës, dhe na bëri me dije se nuk do ta fus prap në ndeshjen me Poloninë, mentaliteti italian . Kam frikë se kësaj here do humbasim po nuk e futi nga fillimi dhe nuk do mjaftojë fundi, 30 minutshi fundit, po që se Polakët e mbarojnë ndeshjen më herët. E dimë se barazimi e nxerr Poloninë të dytën, Shqipërisë i mjafton vetëm fitore dhe asgjë tjetër.
    Justifikimi i REJËS pas ndeshjes ishte se Uzuni, Cikaleshi bëjnë pressing prandaj meritojnë të luajnë, edhepse nuk e kupton si duket Reja se ata gola të bëjnë nuk dinë, dhe në ndeshjen me Poloninë na duhen gola, jo të mbrohemi!!!! Ka pasur fat Reja që Broja në pak minuta ka shënuar gola, por gjithmonë fati nuk do të jetë në anën tonë, prandaj nuk duhet t’i lihet asgjë rastësisë po Armando Broja të futet nga fillimi dhe do Zoti do fitojmë!

    1. Ana says:

      Qenke kopetent. Kot nuk je bere tranjer. Apo je kopetent per te gjitha si Muc Nano? Hahahahaha

  13. Bujar Kanapari says:

    Ne keto momente, trajneri i mer maksimumin Brojes 30 min e fundit, duke pare cilesite e tij kur kundershtari ka rene fizikisht.
    Trajneri ka vepruar drejt.
    Fitorja kerkon strategji, u shpreh Reja.
    Kur ndeshja eshte ne ekuliber, lojtaret zevendesues qe futen nga fundi, jane te fresket, nderkoh, kundershtari me i lodhur.

  14. Gaz Doku us says:

    Mustafa Nano perveç se je nje nder analistet me te mire te politikes shqiptare je edhe nje patriot i madh .
    Shkrim fantastik per nje yll ne ngritje te kombtares tone.
    Uroj ta kete lexuar dhe vete Broja kete shkrim
    E keshilloj ta printoje , ta fuse ne kornize dhe ta vari ne mur .

  15. Arber iliri says:

    O Muc me suprizove fort e kendshem me kete shkrim.Me befasove me analizen profesionale sportive qe ke bere.Je nje kale race ne gazetarine shqiptare. Nga te paktet qe lexoj me kenaqesi.Te uroj gjithe te mirat mik.

  16. luli says:

    meritat i takojne gjithe skuadres me ne krye trajnerin edi reja.

    1. lulushi says:

      O lulush merita ishte 99% personale e Brojes…. tribloj 2-3 mbrojtes o shoku para se te gjuante… apo harrova!!!!! – ti thua te ruajm unitetin e skuadres, ok.

  17. Urimi says:

    Te jesh i bindur M.Nan qe meqe je fans i tij ai maksimumi mund te behet si ty ne gazetari,ku kupton vetem vehten e te duket sikur i kuptn te gjithe!
    Ai ndoshta behet te luaj topin, por te behet futbollist me emer se besoj kurre!Ai ndoshta mund te behet deri ne ate shkalle sa te te kanaqe vetem ty nese shikon futboll duke mos e kuptuar si loje.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje