Stërnipi i diktatorit italian Benito Mussolini është thirrur me skuadrën e parë të Lazio-s për ndeshjen kundër Verona-s.
Si për ironi të fatit, këto dy klube kanë mbështetës “me famë” të ekstremit të djathtë.
Romano Floriani Mussolini, i cili nënshkroi kontratën e tij të parë profesionale me Lazion në muajin mars, u përzgjodh nga trajneri Maurizio Sarri në skuadrën e tij prej 23 lojtarësh për ndeshjen në Stadio Bentegodi.
18-vjeçari, një anësor i djathtë, i aftë të luajë si në mbrojtje ashtu edhe në mesfushë në skemën me pesë mesfushorë, erdhi nga radhët e të rinjve.
Ai është djali i Alessandra Musolinit, një ish-deputete evropiane e partisë “Forza Italia” të Silvio Berlusconi-t.
Lajmi për përzgjedhjen e Musolinit në ekipin e parë vjen pas incidentit me Juan Bernabe, mbajtësin e shqiponjës së klubit – hajmalia e skuadrës kryeqytetase.
Ai u filmua teksa bënte përshëndetje fashiste dhe brohoriste “Duce, Duce” në fund të fitores së fundjavës së kaluar ndaj Inter-it.
Grupet e tifozëve ekstremistë janë të zakonshëm në të gjithë Italinë, por mbështetësit e Lazio-s kanë një lidhje me të djathtën ekstreme, e cila shtrihet të paktën që në vitet ’70.
Grupi i tyre historik ultras, ‘Irriducibili’, kishte marrëdhënie miqësore me homologët e tyre po aq të djathtë në Inter dhe Verona.
Tifozët e Veronës nuk janë më pak famëkeq pasi kanë orkestruar thirrje raciste ndaj ish-sulmuesit të Italisë, Mario Balotelli dhe mesfushorit të Milan-it, Franck Kessie.
Rreth 20 vjet më parë, ish-presidenti i klubit Giambattista Pastorello tha se nuk do të nënshkruante me lojtarë me ngjyrë për shkak të ndonjë incidenti të mundshëm me tifozët.
Mos ka vrare gjeln e beut futbollisti?