Ende mister vdekja e rusëve në Qerret, Prokuroria do të kryejë një eksperiment hetimor, celularët dërgohen në Izrael

28 Tetor 2021, 19:15Kronika TEMA

Pas kthimit të disa përgjigjeve negative nga ana e Institutit të Shëndetit Publik dhe Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare, Prokuroria ka menduar të bëjë një eksperiment hetimor për të zbardhur misterin e vdekjes së katër turistëve rusë në një resort në Qerret.

Sipas asaj që gazetari i A2, Julian Kasapi, ka mësuar, prokurorët, në bashkëpunim me ekspertët e shëndetit publik do të rikrijojnë të njëjtën situatë që ishte në resort më 15 tetor, duke hedhur sërish klor në pishinën e brendshme të hotelit. Pas kësaj do të merret sërish një provë ajri dhe uji të pishinës, për të konfirmuar apo hequr, të gjitha dyshimet në lidhje me vdekjen e katër turistëve rusë.

Kur kanë kaluar gati 2 javë nga vdekja tragjike e tyre, ende nuk kemi përgjigje për shkaqet e vdekjes. Nga ana tjetër, ushqimet që ata kanë përdorur nuk janë ekzaminuar, pasi ISUV tha se marrja e mostrave të ujit nuk ishte bërë sipas procedurës.

Ndërkohë, në Institutin e Policisë Shkencore janë dërguar dy celularë të fikur, të cilët nuk janë hapur dot dhe do të dërgohen drejt Izraelit për të parë komunikimet e fundit që kanë pasur turistët.

Sergey Burenkov, 60 vjeç së bashku me bashkëshorten Natalya Burenkova, 58 vjeç ishin me pushime në Shqipëri, së bashku me vajzën e tyre Katia, 31 vjeç dhe partnerin e saj Nikita Belousov, kur u gjetën të “asfiksuar” në sauna më 15 tetor.

Ata u shuan disa minuta njëri pas tjetrit pasi ishin kthyer në hotel nga një udhëtim. Një re e madhe misteri ka përfshirë vdekjen e tyre dhe prokuroria e Kavajës e ka regjistruar çështjen penale për vrasje.

Trupat e tyre janë tërhequr disa ditë më parë nga zyrtarë rusë. Ambasada ruse në Tiranë tha se edhe atje mund të kryhet një ekspertizë mjeko-ligjore shtesë, por nuk ka publikuar më informacion nëse kjo është realizuar apo jo.

1 komente në “Ende mister vdekja e rusëve në Qerret, Prokuroria do të kryejë një eksperiment hetimor, celularët dërgohen në Izrael”

  1. Nga nje ish ..... says:

    Per ceshtjen e proves se klorit ne uje une mendoj se duhet patur parasysh temperatura qe kishte ate dite uji , si dhe temperatura e ambjentit te brendshem dhe gjithashtu te jashtem , duke i krahesuar keto me temperaturen e ftohjes te trupave te vdekur ; gjithashtu ketu edhe ceshtja e nivelit te ventilimit te ajrit te brendshem .
    Gjithashtu pershkrimet e ndryshimeve pathologjike reale tek trupat e vdekur , krahesuar keto edhe me ato qe jane potencialisht te mundeshme nga pershkrimet ekzakte tek literatura shkencore per rastet e helmimit tipik nga klorinimi per te cilen gje juve po dyshoni .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje