Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka replikuar me një komentues lidhur me nismën “Open Ballkan”.
Një komentues në profilin zyrtar të kryeministrit shkruan se nuk pajtohet me të vetëm në një pikë, atë të idesë për “Open Ballkan”.
“Jetë të gjatë o kryeministër me të gjitha politikat e tua pajtohem përveç një (Jo Open Balkan). Shqiptarët kanë nevojë për bashkim kështu qe serbët nuk i duam as në Det e as në territorin tonë”, ka shkruar komentuesi.
Ndërsa, Rama shprehet se ideja e “Open Ballkan” është e ardhmja dhe se bashkimi i shqiptarëve ndodh vetëm me mjete të së ardhmes dhe jo me avazin e vjetër.
“Ora e historisë shkon përpara dhe kush ia tërheq akrepat mbrapsht thjesht gënjen veten. Open Balkan është e ardhmja dhe bashkimi i shqiptarëve bëhet me mjetet e të ardhmes, jo me avazin e vjetër të se shkuarës.
Sa për detin, duhet të jemi shumë të qetë, se detin që na e ka dhënë Zoti nuk na e merr dot askush, por duhet të jemi edhe të mençur që edhe nga deti të krijojmë më shumë ekonomi e mirëqenie” u përgjigj Edi Rama.