Edhe Parisi si Lapraka e Doktorit

2 Nëntor 2021, 10:27Blog TEMA

Nga Lorenc Vangjeli

Doktor Berisha ja doli edhe njëherë të drithërojë naivët: gjykata e Parisit e pranoi padinë time, i tha ai brohorimës së përkrahësve të tij, që e konsideruan të mbyllur me fitore hesapin e hapur me Amerikën. Edhe ata që e duan, edhe ata që e kundërshtojnë u zunë në befasi, sic ka bërë dhe shumë herë të tjera Doktori i paparashikueshëm, i cili edhe njëherë si përherë, luajti blofin në një ndeshje tek e cila më shumë është i interesuar të marrë pjesë sesa të sigurojë rezultatin. Berisha di më mirë se kushdo që Parisi është vetëm një sfond i largët sepse skena ku po luhet kjo melodramë tipike ballkanase është tërësisht lokale.

Aktorët janë gjithashtu lokalë dhe temat janë ato të zakonshmet: pushteti, hakmarrja dhe cikli që sa më shumë ndryshon, aq më shumë sillet si e njëjta gjë. Procedura ligjore në Francë, sado groteske të duket e gjitha kjo, është dicka që zgjat më shumë se mandatet e njëpasnjëshëm të Edi Ramës, kurse halli për të cilin ajo procedurë po përdoret në Tiranë, është i shpejtë.

Berisha pretendon se ka nisur të rrëzojë dicka që është përfundimtare, por kjo është dicka që i vlen shumë më pak sesa ajo cfarë është duke bërë nëpër Shqipëri. Eshtë kaq e qartë: Do partinë për të qenë sërish herët a vonë një faktor me të cilin duhet të bisedohet në tavolinë. Në politikë nuk ka as miq të përhershëm dhe as armiq që e zgjasin gjithë jetën kundërshtinë. Në politikë ka vetëm interesa. Me siguri, Doktori që e ka pasion gjeopolitikën, në mbrëmjet e tij kur ëndërron revansh ndaj atij që e ngjiti me revan në majat e pushtetit,

mendon se amerikanët që mund të bisedojnë dhe negociojnë edhe me talebanët në Afganistan, ndoshta do të kenë interes ta dëgjojnë edhe këtë krijues dhe mishërues te talebanizmit dramatik shqiptar. Me kusht që të korrë fitoren e tij lokale dhe të jetë sërish lider i opozitës. Deri atëherë do të rrjedhë shume ujë, do të konsolidohet si aleati i tij më i fortë dobësia proverbiale e Bashës dhe ndoshta edhe një riformatim i marrëdhënies së tij me Ilir Metën, në muajt e fundit të presidencës së tij.

Regresi në PD, oferta për të nesermen e saj që vjen nga e shkuara, nisi një nga aktet e saj më dramatike që të nesërmen e zgjedhjeve të 25 prillit, atëherë kur Basha që nuk mundi t’u sigurojë demokratëve ardhjen në pushtet, nxitoi të sigurojë të ardhmen e tij në krye të PD-së. Stacioni tjetër i opozitës, shpallja non grata e Berishës, ishte më pas hakmarrja e rrethanave për vetë hilen e thelbit të gabuar. Kjo solli dhe daljen edhe shumë më shumë në pah, të një rryme të nëndheshme në Tiranë. Që e dalë nga dheu, tani po dëgjohet gjithmonë e më fort.

Janë shtuar zërat që deformimet lokale, që deshtimet kombëtare, qe dramat dhe pafuqitë shqiptare dhe mbarëshqiptare madje, i adresojnë në anën tjetër të Atlantikut. Janë shtuar sovranistët, neokomunistët, anarkistët dhe gjithfarë snobësh qesharakë që kanë nisur ta shohin hapësirën ku ndjehet p…rdha e tyre si kufirin ekstrem të gjithë botës. E gjithë kjo masë që herë merr një fytyrë e një herë tjetër një zyrë, e gjithë kjo polifoto njerëzore që herë krihet si Trump kur shpreson të ndryshojë Tiranën dhe herë beson si Putin në perëndimin e SHBA-së, gjithë këta strategë të gjeopolitikës që i tundin hënës gishtin kur gremisen në shkallët e pallatit, gjithë këta Doktorë të aftë të gjejnë kurën për tumoret duke përdorur hudhra autoktone, po rriten si tumor i lig në mendimin e shoqërisë shqiptare.

Janë po ata që flasin më shumë për armë sesa për vota, janë ata që besojnë se duhen përdorur bomba për të këputur kopsat e këmishës së kundërshtarit, janë ata që për interesin e pleshtit të tyre, djegin gjithë lagjen ku banon dynjaja që mendon ndryshe. Janë ajo turmë masturbuesish që flenë në ekstreme dhe që janë të bindur se në Uashington ngrysen duke pritur që të gdhihet në Bruksel që të gjejnë se bashku si t’i përgjigjen foltores së Laprakës. Por fatmirësisht, përtej kësaj pakice të zhurmshme, këtyre “kolaboracionistëve” të ligj që i shërbejnë të ligës, ka një shumicë absolute që do të pranonte të ndërtonte kisha ku të lutej cdo mbrëmje, që do të hynte zbathur në xhami për t’u lutur cdo ditë jave, që do të bënte kurban edhe vaktin e cdo dite në Teqe apo që do të përgjerohej me dorë mbi Kushtetutë dhe Kodin Penal, vetëm që amerikanët të vazhdonin me vëmendjen e tyre për Shqipërinë.

Eshtë e dhembshme që në Shqipëri ende pritet “zbarkimi” amerikan për të shpëtuar shoqërinë nga mëkatarët e saj. Ata janë të lutur ta bëjnë sa kohë ende, edhe mbas tre dekadash pothuajpluralizëm, në Shqipëri nuk është ngjizur një shoqëri demokratike që zgjedh me votë dhe ndëshkon me drejtësi. Nga miqësia apo dashamirësia amerikane nuk duhet pritur të dhurojnë ndonjë arkë me peshk; ata tregojnë zakonisht vetëm si përdoret kallami. E megjithatë, pavarësisht kësaj, ata kanë filluar ta bëjnë punën që duhet ta bëjnë shqiptarët: nuk po dhurojnë pranga, por po përpiqen të tregojnë sesi ju vihen prangat mëkatarëve. Dhe prangat për politikën nuk janë njëlloj me ato të keqbërësve të vegjël; edhe dënimet janë të ndryshme, për shembull mund të thuhet në Kodin Penal: arrest me izolim në Laprakë, me të drejtë që t’i hidhet ndonjë sy edhe Parisit!

4 komente në “Edhe Parisi si Lapraka e Doktorit”

  1. Bozhigradi says:

    Berisha eshte shume i madh! Me Berishen merren te gjithe!
    Nga Berisha hane te gjithe! Vetem Berisha ben ate qe po ndodh ne PD! Dhe perseri fajin e ka Saliu?!

  2. Ladi says:

    Shkelqyeshem. Meriton komplimente.

  3. Sqarim says:

    Berisha ne keto kushte me guxim po ben me te miren e mundshme
    Çuditerisht koha po I jep te drejte. Çdo dite po dalin fakte qe po vertetojne tezen e tij per mardhenjen me SORROS dhe fakti qe Berisha denoncoi o pari publikisht planin e mirkopsitur per ndarjen e Kosoves. Sa I perket padise ne Paris duhet te dini te beni dallimin se ajo eshte padi per shpifje dhe jo kunder aktit administrstiv te Blinken.
    Dhe mqs vendimi i Blinken eshte bere ne rrjete sociale Berishes i lind e drejta ta beje padine edhe ne France, sepse “demtimi” ju ka bere edhe atje.
    Kaq e thjeshte eshte kjo.

  4. KUJTESË për MOS HARRESË; për militantët dhe paramilitarët që shfaqen nëpër “Foltore” nëpër qytetet e Shqipërisë duke ulëritur e shpërfytyruar në “mbështetje” të Doctor Vdekjes: Sali Berisha, por dhe Lulzim Basha me perversat që ka me vete në godinën e PD, si Bardhi+Alibeaj+Saliajni+Grida+Tabaku+ etj…
    Pregatituni për fundin tuaj jashtë Politikës dhe jo pak prej jush në BURG e sekuestrim pasurishë. DAJ SEMI mos mendoni se do ju tolerojë më Ju monstra, që nën mashtrimin Parti Demokratike dhe pseudo të Djathtë, të fusni shqiptarët në përplasje që Ju të shpëtoni, siç bëtë në 1997 e në 1998 etj ngjarje kriminale kombëtare prodhuar totalisht nga Ju, që nga 1992.
    Përgojimi edhe pse me mbulesë “kashte” dhe anti amerikanizimi që keni futur në radhët e injoranteve që ju vijnë pas dhe në 95% të Mediave, që i keni tuajat sëbashku me Ilir Metën dhe Mafian shqiptare të prodhuar nga Ju si PD dhe jashtëqitja e PS, LSI e çiftit Meta+Kryemadhi, do përfundoni sa sju ka shkuar asnjëherë në mend. Asgjë sju shpëton më për çfarë i keni bërë këto 30 vite shqiptarëve dhe Shqipërisë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje