Këtë vjeshtë Tate St Ives po prezanton ekspozitën ‘Vullkanshëm, mbi këtë pendë të gjelbër”, një instalacion i ri dhe i rëndësishëm nga Petrit Halilaj. Kjo është ekspozita e tij e parë solo, në Mbretërinë e Bashkuar.
Halilaj njihet ndërkombëtarisht për veprat e shumëllojshme artistike, për të cilat shpeshherë përdor si pikënisje biografinë e tij, duke reflektuar mbi historinë personale dhe kolektive.
I lidhur ngushtë me historinë e vonshme të Kosovës, ai shpesh herë inkuadron materiale nga atdheu dhe i rishtjellon përmes teknikave të instalacionit, performancës, vizatimit dhe vizatimet.
Kjo ekspozitë në Tate St Ives buron nga historia personale e Halilajt, por njëkohësisht nxjerr në pah traumën kolektive të shqiptarëve të Kosovës, dhe të mbijetuarve të tjerë të konfliktit.
I ftuar në Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV, Halilaj, rrëfeu udhëtimin nga kampi në galeritë më të rëndësishme të Evropës.
Rudina Xhunga: Mbrëmë u pushtova nga një lloj gëzimi i pashpjegueshëm. Kështu mund ta cilësoj kur ky gëzim nuk ka të bëjë drejtpërdrejtë me ty, por vjen si frymëzim apo inspirim nga dikush tjetër.
Drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Erzen Shkololli, më tregoi një shkrim të Nju Jork Times, që tregonte fabulën e ekspozitës më të fundit në Tate të Petrit Halilajt. I shkrova menjëherë: Dua ta intervistojmë. Dhe sikurse e kishte Nju Jork Times, edhe ne sot do të kemi Petrit Halilajn në Shqip.
Petrit Halilaj: Kjo është intervista e parë në shqip pas ekspozitës. Vizatimet i kam bërë në Kukës në 1999, në kamp. Isha 13 vjeç atëherë, kur Anxhelo, një psikolog italian, erdhi me një program për fëmijët. Si psikolog ai kishte një ide shumë të thjeshtë.
Duke qenë italian, ne nuk mund të komunikonim sepse nuk e njihnim gjuhën e njëri-tjetrit. Dhe kishte menduar se vizatimi është gjuha me të cilën fëmijët mund të shprehen. Shumica e vizatimeve kanë sjellë traumat dhe kujtimet e hidhura të asaj kohe. E kam parë fotografinë në Nju Jork Times shumë vite pas luftës. Nuk e kam besuar që kam qenë mes atyre personave që prisnin në radhë për ushqim.
Unë isha fëmija më i madh nga 5 fëmijët e familjes. Shkoja gjithë ditën duke pritur në radhë për ushqim.
Është e vështirë të besosh që kemi kaluar këtë periudhë. Në kamp ishte gjyshi, nëna, dy motrat dhe dy vëllezërit. Babai ishte në burg. Pas shumë muajve ky program i Anxhelos ishte programi i vetëm edukativ për fëmijët. Ai program më ka sjellë vërtetë shumë gëzim.
Vizatimi ka qenë gjithmonë pjesë e jetës sime. Më shumë ndjehem mirë kur vizatoj se sa kur flas (qesh). Anxhelo ka qenë me ne për dy javë. Nga dita e parë deri në ditën e fundit që ai ka qëndruar në kamp, kam bërë 38 vizatime.
Kam sjellë kujtimet e luftës, por edhe ëndrrat që kam pasur si fëmijë. Në atë kohë shumë të vështirë, i kam treguar Anxhelos përjetimet e luftës, pa i harruar as ëndrrat për të ardhmen.
Rudina Xhunga: Ti je historia më e bukur e Kosovës, që flet kaq kohë pas 1999. Faleminderit!/L.F-dritare.net