Veprat muzikore të pianistit dhe kompozitorit të famshëm Ludovico Einaudi interpretohen në Tiranë

31 Tetor 2021, 14:04Kulturë TEMA

Kjo fundjavë ka sjellë në kryeqytetin e Shqipërisë disa nga krijimet më të mira të Ludovico Einaudit. Në sallën Black Box të Universitetit të Arteve, Johan dhe Ami Muka ishin protagonistët e eventit artistik FQINJËT, Edicioni i Tretë.

ABC Tirana Club vendosi në qendër të këtij edicioni Ludovico Einaudin, pa diskutim një nga artistët prominentë nga Italia fqinje, partiturat pianistike të të cilit interpretohen në skena anëmbanë botës, si dhe transmetohen e ritransmetohen nga media tradicionale dhe platforma dixhitale për miliona ndjekës. Kritika muzikore e përshkruan veprën e tij si, “një aliazh ndjesor, ku rrjedhin të alternuara meditimi, imagjinata, trazimi, brishtësia, thellësia e shpërthimi– si në një matricë muzikore që tërheq dhe përhumb ata që e ndjekin”.

Qëllimi i projektit studentor “FQINJËT”, i cili ka nisur që vitin 2019, është për forcimin e urave të komunikimit dhe shkëmbimit kulturor; për promovimin e vlerave më të mira klasike dhe bashkëkohore; në favor të edukimit muzikor, veçanërisht mes nxënësve dhe studentëve.

Dy pianistët e rinj shqiptarë, Johan dhe Ami Muka, vëlla e motër, luajtën për publikun ndër pjesët më të mira të Einaudit, si “Elegy for the Artic”, “I giorni”, “Tu sei”, “Night”, “Monday”, “Life”, “Experience”, “Birdsong” etj. Udhëheqëse artistike ishte Vjollca Stamo, ndërkohë që mbështetës e projektit është Bashkia e Tiranës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje