Debati për firmat e Kuvendit Kombëtar të PD, të gjithë ‘fajin’ e ka statuti

11 Nëntor 2021, 21:20Politika TEMA

Mënyra e depozitimit të firmave të 4200 delegatëve që Sali Berisha pretendon se i ka konform statutit për të mbledhur Kuvendin e jashtëzakonshëm Kombëtar ka nxjerrë në pah një ngërç të madh në mos një proces “rrumpallë” që është ndjekur deri më tani me zbatimin e  procedurave për mbledhjen e organit më të rëndësishëm vendimmarrës Kuvendin Kombëtar.

Kuvendi i fundit kombëtar i PD u mblodh në korrik dhe shumëkush në PD (ata pro dhe kundër) e kanë të freskët procesin se si është vepruar.

Por sot të ndarë në dy fronte interpretimet për statutin janë krejt të ndryshme.

Belind Këlliçi që ishte anëtar i Komisionit të Verifikimit të Mandateve në Kuvendin Kombëtar të korrikut tha për mediat se firmat e delegatëve mund të dorëzoheshin vetëm tek zyra e Edi Palokës, “si drejtues i zgjedhur i Këshillit Kombëtar, i cili sipas statutit është organi më i lartë drejtues i Partisë Demokratike në periudhën midis dy Kuvendeve”.

Sipas tij, firmat nuk janë sekret por mund të shihen në zyrën e Palokës nga kushdo zyrtar që është i interesuar.

Por verifikimi i tyre, sipas tij, mund të bëhet vetëm ditën e Kuvendit Kombëtar dhe asnjë ditë më parë.

“I vetmi organ që ka të drejtë të bëjë verifikimin është Komisioni i Verfikimit të Mandateve që ngrihet atë ditë…

Është detyrë e vetë Kuvendit Kombëtar të vetëmblidhet në këtë rast.

Brenda 30 ditëshit njoftohet dita ora dhe vendi dhe bëhet verifikimi. Në Kuvendin e fundit Kombëtar Jemin Gjana ka njoftuar ligjshmërinë e Kuvendit…”, tha Këlliçi.

Edhe në njoftimin zyrtar të thirrjes së Kuvendit Kombëtar thuhet se, “kompetencën për verifikimin e mandateve të delegatëve që thërrasin Kuvendin Kombëtar sipas statutit, si dhe të delegatëve që do të marrin pjesë në Kuvend, e ka drejtpërdrejt dhe vetëm Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike nëpërmjet organizmave të tij”

Krejt ndryshe e sheh Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi.

Fillimisht ai iu referua të vetmit nen të statutit për këtë proces se “Sekretari i Përgjithshëm i partisë është institucioni që ka për detyrë të merret me organizimin e partisë dhe me funksionimin demokratik”

Pyetja që lind është a ka të drejtë Bardhi që të merret edhe më këtë procedure, sepse neni i sipërcituar prej tij nuk është shterues?

“Organizimi i Partisë Demokratike përfshin funksionimin e secilit prej organeve të Partisë Demokratike”, tha ai.

“Tani dua t’iu kujtoj secilit prej jush, mund edhe të nxjerrim procedurat e mbledhjes së kuvendit se cili prej anëtarëve të kuvendit, përpara ditës së kuvendit pajiset me një mandat që firmoset ose nga kryetari i partisë ose nga Sekretari i Përgjithshëm dhe me atë mandat të dhënë një muaj përpara secilit prej anëtarëve të kuvendit, paraqitesh përpara në sallën ku zhvillohet mbledhja e kuvendit dhe Komisioni i Verifikimit të Mandateve merr në dorëzim këtë mandat lëshuar nga Sekretari i Përgjithshëm apo nga kryetari i Partisë. Asnjë komision tjetër nuk i di kush janë anëtarët e kuvendit kombëtar”, sqaroi Bardhi pa cituar statutin per fazen e dyte te leshimit te mandateve.

Ndersa për komisionin e Verifikimit të Mandateve janë dakord të dyja palët.

Por deri tek ngritja e komisionit palët ndahen.

“Statuti i Partisë Demokratike parashikon një procedurë shumë të qartë se si mblidhet Kuvendi Kombëtar. Kërkon vendim të Kryesisë së partisë, që cakton rendin e ditës, orën dhe vendin e mbledhjes nuk e cakton Sali Berisha, askush tjetër, as Lulzim Basha madje, e cakton Kryesia e Partisë Demokratike, sekretari i përgjithshëm”, dha një tjetër përgjigje Bardhi.

Gjatë gjithë deklaratës se tij dhe qëndrimeve të mevonshme nëpër emisione televizive Gazment Bardhi i qëndroi kësaj procedurë, ndërsa pala tjetër akuzonte se Bardhi nuk duhet të ndërhynte fare në këtë proces se nuk e parashikonte statuti.

Të dyja palët flasin për statutin, pro asnjëra nuk referon nene konkrete dhe mbi te gjitha procedurën e lexojnë ndryshe.

Sepse si asnjëherë tjetër bëhet fjalë për një Kuvend të jashtëzakonshëm të kërkuar  nga vetë delegatët

Parimisht, në bazë të statutit, vendimin për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar e merr Këshilli Kombëtar ose Kryesia e PDSH-së, me propozim të Kryetarit të PDSH-së.

Por Kuvendi mund të mblidhet edhe kur e kërkojnë 1/4 e anëtarëve të PDSH-së ose 1/4 e anëtarëve të Kuvendit Kombëtar.

Pala zyrtare pretendon se duhet te ndiqet edhe në këtë rast procedura e deritashme, (pra mbledhja e kryesisë dhe me pas këshilli)  ndërsa pala kundërshtare thotë se nuk ka nevoje për mbledhje paraprake strukturash pasi me mbledhjen e firmave nga vetë delegatët, Kuvendi ka të drejtë të vetëmblidhet

Data e zhvillimit të Kuvendit dhe rendi i ditës njoftohen të paktën një muaj përpara ditës së parë të Kuvendit.

Pala zyrtare njofton se ajo duhet bere përmes organesh zyrtare, ndërsa pala kundërshtare e ka shpallur tashmë axhendën duke respektuar vetëm afatin një mujor.

Punimet e Kuvendit drejtohen nga një Komision i përbërë nga 5 anëtarë, i cili zgjidhet në fillim të Punimeve të tij, po me propozimin e Kryetarit të Partisë.

Për procedurën e sakte që ndiqet gjithçka veprohet me rregullore te brendshme, atë proces që e di mjaft mire i ”zoti i i punës” Jemin Gjana si kryetar i komisionit të Mandateve, por që sot në kulmin e konfliktit  është “zhdukur” pa lënë gjurme, duke lënë secilën prej palëve kundërshtare ta interpretoje gjithë debatin për firmat sipas interesit të vet politik.(SI)

2 komente në “Debati për firmat e Kuvendit Kombëtar të PD, të gjithë ‘fajin’ e ka statuti”

  1. Franci Em says:

    lajmet dhe noftimet ne TemA jane shnderruar ne Propogande bajate ne sherbim te sistemit komunist ne fuqi.
    =
    Asnje lajm per cfare u tha ne viziten midis Tulipanit dhe Piktorit.

  2. Realisti says:

    Paska statut PDja…?! Boll se e pame statutin ne kohen e Gazidedes…. Monstra te pyjeve te Tropojes!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje