Hetuesit janë rikthyer sërish sot në vendin ku u vra me armë zjarri ish-deputeti dhe ish-kreu i Komunës së Velipojës, Pashko Ujka.
Prokuroria e Shkodrës po vijon hetimet për të zbuluar vrasjen e Ujkës, i cili u qëllua me armë zjarri teksa ishte duke ecur në qendër të qytetit.
Burimeve nga grupi hetimor bëjnë me dije për “Klan News” se pistat kryesore janë ajo e borxheve dhe konfliktet që mund të këtë pasur ish-deputeti më herët.
Deri në këto momente nuk ka asnjë person të dyshuar për ngjarjen ndërkohë ka dyshime që vrasësit të jenë me pagesë.
Ujka u qëllua mbrëmjen e të hënës pak pasi kishte dalë nga banesa e tij i shoqëruar nga bashkëshortja. 64-vjeçari dyshohet se u qëllua me armë me silenciator sipas dëshmisë paraprake që gruaja e tij ka dhënë në polici. Ujka fillimisht mbeti i plagosur dhe më pas ndërroi jetë në spital.
Kjo ishte hera e tretë që 64-vjeçari Pashko Ujka ishte vendosur në shënjestër, pasi më parë i ishin bërë dy atentate të tjera, por kishte arritur që të shpëtonte.