Ish-deputeti i PD, analisti dhe publicisti Preç Zogaj në një fjalë të mbajtur gjatë aktivitetit të organizuar nga Partia Demokratike me rastin e Ditës së Rinisë, tha se kriza që po përjeton PD është e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund dualizmit në drejtimin e partisë.
Sipas Zogajt, PD nuk mund të fitojë asnjë palë zgjedhje nëse nuk zgjidh më parë kush është kryetari.
“PD nuk mund të shkojë në fitore pa zgjidhur dualizmin në drejtimin e saj, as kryetari s’bëhet kurrë kryetar as ish-kryetari nuk ikën kurrë”, tha Zogaj.
Nga ana tjetër, tha Zogaj, një zhvillim pozitiv përtej krizës në parti, është fakti se pas 30 vjetësh për herë të parë SHBA deklarohen për një bashkëpunim të ngushtë me PD.
“Prej disa vitesh ka pasur një pengim të SHBA ndaj PD dhe arsyet u zbuluan së fundmi. Nuk ka të ardhme PD që të rithemelohet dhe të fitojë zgjedhjet. Kjo krizë ka zgjidhur dualizmin në PD. Pas 30 vjetësh për herë të parë SHBA deklarohen për një bashkëpunim të ngushtë me PD”, tha Preç Zogaj.