Politikanë apo ‘burra shteti’…

11 Dhjetor 2021, 15:35Blog TEMA

Nga Kristaq Xharo•

Ndryshimet klimatike, përplasjet e fuqive të mëdha, por dhe më afër ideja e ndërtimit të një baze ruse pranë Kosovës e hartimi i një strategjie të re agresive serbe, në formë dhe përmbajtje nuk janë tema e ditës.

Ato, vështirë se shmangnin vëmendjen e publikut nga dy ngjarje të tjera të mëdha: ‘Big Brother’ dhe ‘Foltorja’. Kush do, apo duhet të fitojë? – është dilema më e madhe. Me një dilemë të tillë vjen edhe ky shkrim: politikanë apo ‘burra shteti? Termi ‘burrë shteti’, ose ‘shtetarë’, pa diferencë gjinie, vjen nga ‘stateman’.

Zakonisht, ai lidhet me figura të larta politike, por edhe personalitete që manifestojnë shprehi të performancës së lartë, me impakt të gjatë në histori. ‘Burrështetasi’ troket në memorien e popullit si një personalitet me urtësi, inteligjencë dhe zotësi të veçantë në çështjet madhore të vendit.

Shtetari, kur vjen nga radhët e politikës, kapërcen nivelin dhe karakteristikat e ngulitura për kategorinë politike, duke u ngritur mbi dallimet dhe ndasitë që një politikan mbart apo edhe nxit. Kohë, formë, trajtë për shtetarët. – Harry Truman, presidenti i famshëm amerikan, i pas-luftës, ka deklaruar se ‘shtetari është një politikan i larguar nga kjo jetë jo më afër se 10 apo 15 vjet më parë…’.

Morgenthau, një nga njohësit më të mëdhenj të shkollës realiste, shprehet se ‘… shtetari nuk mund të konsiderohet një politikan i rëndomtë, por një personalitet i jashtëzakonshëm që demonstron performancë në modelin e lidershipit duke e shprehur me urtësi dhe inteligjencë të veçantë. James Freeman Clarke e thjeshton dallimin midis politikanit dhe shtetarit duke shprehur se ‘…ndërsa politikanët mendojnë kryesisht për fitoren në zgjedhjet e ardhshme, ‘burrat e shtetit’ krijojnë vizionin për gjeneratat e ardhshme . .’.

Një mënyrë për të dalluar shtetarët nga politikanët? – Robin Morisey në “Veçori, mite dhe të vërteta” gjen një mënyrë intriguese për ndryshimin midis shtetarëve dhe politikanëve. Ai pyet: a dëshironi të njihni ‘shtetarët’ e vërtetë? – “Shihni kartëmonedhat”.

Midis 46 presidentëve, numërohen me gishta ata që janë ngrirë në kartëmonedhë. Dhe nuk janë vetëm presidentë, por edhe personalitete, pa ofiqe të larta në shtet, por me ndikim historik të padiskutueshëm. Ndoshta e njëjta filozofi gjendet edhe në kartëmonedhat shqiptare.

Përveç periudhës së Zogut, ku në kartëmonedhë mbreti ka vetë-lançuar portretin e tij, në gjithë periudhat e tjera, deri në ditët e sotme, ndodhen vetëm figura me peshë historike madhore. Kriter, me sa duket, janë periudhat historike: mbreti Gent (për epokën ilire); Skënderbeu i Madh (për lindjen e kombit), Bogdani për Mesjetën, Naim Frashëri (për Rilindjen) dhe Ismail Qemali (për pavarësinë).

Edhe në periudhën e socializmit nuk u vendos asnjë figurë politike. Nuk besohet që më pas të ketë qenë ëndërr e ndonjë politikani, ‘gjeniu konstant’, të ngjisë portretin e tij në kartëmonedha, pavarësisht vrullit dhe lakmisë për t’i grumbulluar ato. Shtetarë apo politikanë? – A dëshironi një model për t’i dalluar politikanët nga shtetarët? Kujtoni Sami Frashërin dhe testamentin e tij biblik për kombin ‘Shqipëria çka qenë, ç ‘është e çdo të bëhet’, demonstrim i një mendimi strategjik që i kalonte të 100 vitet, hedhur ende pa u formuar shteti shqiptar.

Ai mendon si do të jetë shteti i ardhshëm dhe parashikon ku do të jetë kryeqyteti, hekurudhat, akademitë ushtarake dhe universiteti…ai mendon gjithçka…Pa ofiq, ai mbetet një burrë shteti. Shtetarët nga politikanët dallojnë në mendim, veprim dhe objektiva. Shtetarët demonstrojnë strategji, kurse politikanët mbesin në baticën e taktikave.

Me gjithë përdorimin gojor të termit strategji, në të vërtetë idetë dhe veprimet nën këtë mbesin në nivelin e taktikave. Në mënyrën më të thjeshtë, strategjia është diçka madhore në objektiva, në kohë dhe në mobilizim burimesh. Strategji si një plan, model, apo mënyrë sjellje vlerëson dhe analizon burimet e fuqisë për të arritur interesa kombëtare.

Kështu shprehet Laurenc Friedman babai i strategjisë moderne. Shtetari ka strategji kombëtare, jo strategji partiake. Morgenthau, në librin e tij “Politika midis kombeve”, shprehet se ‘..të dy kërkojnë fuqi, por ndërsa shtetarët kërkojnë fuqi për kombin, politikanët kërkojnë për fuqi për veten apo partinë e tyre…’

Të shprehesh ‘strategjia e partisë sime për vendin’ tregon vështirësinë për t’u kthyer në shtetarë dhe të mbeturit në sinorët e politikës (partiake).

A kujtojmë ndonjë nga politikanët tanë të 30 viteve të kenë menduar, planifikuar apo realizuar një vizion të tillë strategjik? 30 vjet nga viti ‘1’. Në të vërtetë është viti 1991, por çezarët e politikës shqiptare iu pëlqen ta ndjejnë si viti ‘1’.

Në kontekstin e vlerësimit ‘trumanian’, kjo duket periudhë e mjaftueshme për të kërkuar shtetarë midis lumit të politikanëve.

Një periudha nga më pjelloret për prodhimin e politikanë, me shumicë të ardhur nga hiçi e larguar në drejtim të paditur mbetet shumë e vështirë për të gjetur se sa prej tyre kanë arritur ta kalojnë (l)lumin e politikës e të dalin në breg si burra shteti, për të mbetur në memorien e kombit si personalitete me performancë dhe zotësi në punët e këtij shteti. Kohë me sfida madhore.

Milan Kundera shprehet se ‘burra shtetasit’ shfaqen kur shteti/kombi kalon në sfida të mbijetesës. Mjafton të ndalojmë në 10-vjecarin e parë kur shteti u rrëzua së paku tri herë, me mbijetesën në pikëpyetje. Vitet ’91, ‘97, ’98, ’99. Vitin ’91, ose ‘1’ sipas kalendarit çezarian të politikanëve të rinj, gjithçka u derdh kundër shtetit, jo sistemit dhe ideologjisë.

U godit gjithçka që lidhej me themelet e shtetit: ekonomi, drejtësi, ushtri, polici, shërbime inteligjente etj., duke e trajtuar shtetin si anti-shtetarë. Si heronj rapsodish të antishtetit, ndezën urat e konfliktit dhe urrejtjes dhe ngritën ‘ushtritë’ me turma fanatikësh . V

etëm, partnerët strategjikë, posaçërisht amerikanë dhe jo rilindja e ndonjë shtetari shqiptar, shpëtoi shtetin shqiptar. Në mungesë të një analize strategjike. Ngjarjet e viteve ’96 -’97, përkundrazi, e sfiduan shtetin në pikën e tij më nevralgjike, unitetin e kombit, në ndarje krahinore. Për pasojë, shteti u rrëzua dhe vendi u ndodh pranë greminës së luftës civile.

Periudha më e errët në historinë e një shteti, e paparë e dëgjuar në histori: veriu dhe jugu kundër njëri-tjetrit. Mbi 3 mijë të vrarë.

Shteti u mbyt nga politikanët sharlatanë, duke vajtuar për shtetarë. Ishin partnerët strategjikë që shpëtuan shtetin shqiptar, ose ata që kishin mbajtur pjesën më të vështirë në krijimin e këtij shteti (1912). U realizua një operacion paqeruajtës i OKB (Alba) për të shmangur një luftë civile midis shqiptarëve. Kjo është njollë e errët në kujtesën historike, por që kurrë nuk pati një analizë strategjike.

Në kërkim të shtetarëve… vjen viti ’98. Pas 80 vjetësh nga krijimi i këtij shteti, arkivohet në memorien e këtij kombi një ngjarje tjetër famëkeqe: grusht shteti. Në mungesë të shtetarëve, politikanët dritë- e mendje-shkurtër ndezën dhe frymëzuan urrejtjen e turmave për të shkatërruar skeletin e shtetit. Zgjidhja nuk erdhi nga lindja e shtetarëve, por përsëri e përsëri nga partnerët strategjikë (SHBA). Ndërhyrja e tyre, që ‘shkeli’ rëndë sovranitetin e bejlerëve të politikës shpëtoi përsëri këtë shtet të ri, por të lodhur. Duke iu vënë frerë kuajve të hazdisur të politikës dhe i detyruar të kthehen në stallën e tyre, e shpëtuan përsëri Shqipërinë. Tragji-komedi historike. Të gjithë i njohin përgjegjësit, por askush nuk i ndëshkoi. Kërkohej burra shteti për kombin. Viti ’99 do të mbesë në memorie të kombit si një kometë që mund të kalojë vetëm njëherë në 100 vjet: shqiptarët e mbetur jashtë kufijve të kishin shtetin e vet. Edhe në këtë ngjarje politika mbyti shtetin.

Politikanë, të ndarë në disa fronte vështirë se do të përballonin sfidën e shekullit. Ishte koha për ‘burra shteti’, por ata u mbytën në lumin e politikës. Fati ju ka dhënë shqiptarëve partnerë strategjikë, për mbijetesë dhe triumf, që mundësuan atë që shqiptarët të vetëm nuk do ta arrinin asnjëherë. Duke dashur ti referohemi ‘kriterit truman’, për një distancë kohore (10- 15 vjet) nga ngjarjet dhe personazhet për të cilët sillen në analizë, vërehet se vetëm ngjarjet plotësojnë kriterin, ndërsa personazhet kanë mbetur të varur në skelat e politikës, ende aktivë dhe me të njëjtat tipare. Dilema mbetet a u kthyen ndonjëherë këta politikanë ‘burra shteti’?

Nga kjo historia nxirren gjithmonë mësime, por dy prej tyre veçohen me siguri. Së pari, ky shtet dhe komb, më shumë se për politikanë, barinj të partive, ka nevojë për ‘burra shteti’, që ‘më shumë se për fitore në zgjedhjet e ardhme, janë vizionarë dhe ndërtojnë për gjeneratat në 100 vitet e ardhme’, që më shumë se për fuqinë e vet mendojnë për fuqinë e kombit. Së dyti, në mungesë të shtetarëve, mbijetesën e këtij vendi e kanë garantuar partnerët strategjikë (SHBA). Ndaj, çdo alibi e politikanëve me idenë e ‘sovranitetit’, jo vetëm që nuk mund të jetë gomë shpëtimi, por për më tepër është vetëm një bast i rrezikshëm… por edhe i humbur. * Lektor (Prof. Dr.) për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në UET

5 komente në “Politikanë apo ‘burra shteti’…”

  1. Kombi says:

    Respekte Kristaq Xharo. ? ????

  2. american16al says:

    Artikull sh i goditur por lamashet e PD jane ajo pjese qe se kane haberin se cdo te thote burre shteti apo politikan…!!!

  3. Theatre and Drama says:

    nuk ka nevoje per burra shteti ky popull,por ka nevoje pike se pari per poltikane qe nuk shesin interesat kombetare,si plaku haxhiqamil qe ka mbledh sot ne stadium turmen e çakerdisur..
    fatkeqesia me e madhe e kombit shqiptar historikisht ka qene dhe mbetet,niveli I ulet intelektual,injornanca e theksuar,dhe pa.aftesia per te bere dallimin mes progresit dhe regresit

  4. Sokrati says:

    Meriton falënderim, respekt dhe nderim për kontributin e çmuar intelektual, z. Kristaq Xharo.
    Shkrimi është një leksion me shumë vlera atdhetare. Pas vitit “1”, ndryshe llogaritet 1991, Shqipëria prodhoi me shumicë barinj dhe parti barinjsh, se sa burra shteti…
    Barinjtë ulërasin për tufën parti, ta sjellin në pushtet me çdo mënyrë, të zënë vende pune, të zhvasin ku dhe si të munden, të pasurohen sa më shumë dhe sa më shpejt, ndërsa Burrat e Shtetit projektojnë të ardhmen e kombit dhe të shtetit për 100 vjet…
    Ky mësim i madh dhe i jashtëzakonshëm duhet të përvehtësohet nga ata, që dëshirojnë të bëhen Burra Shteti dhe jo çobanë partish…
    Kampioni i barinjve në këta 30 vjet, ulëritësi i pandalshëm për pushtet, bariu më i babëzitur, më i pangopur, më i pakënaqur dhe më i pakallur është sali bishë berisha, që nuk pyet dhe as që do t’ia dijë për shtet dhe komb. Atij i mjafton “froni” si faraon.
    Për egoizmin e tij të karrieristit korruptiv e shkatërroi kombin, duke e përçarë në krahina dhe duke i vënë shqiptarët përballë njeritjetrit. Institucionet e shtetit: drejtësinë, arësimin, administratën, ekonominë, ushtrinë, shërbimet inteligjente, diplomacinë i shkatërroi nga themelet. Tani ia vuri flakën edhe PeDesë dhe është gati t’i vërë zjarrin edhe shtëpisë e familjes së tij, vetëm të jetë “gjel”, që këndon në majë të plehut! Kjo ndodh vetëm për faktin e një drejtësie demokratike të munguar.
    Vizioni i vërtetë i tij dhe i ndjekësve fanatikë është “ecja përpara” me shpinë!
    PeDe, si salihu, ishte dhe mbeti një amalgamë regresi, një e keqe serioze dhe vdekjeprurëse për Kombin dhe Shtetin.

  5. Nje mergimtar says:

    Burra shteti dhe vizionar Shqiperia si cdo komb ka nxierr.Ndoshta me pakice por perseri kemi.I vetmi difekt i madh se i vleresojme pas brezash. Skenderbeu pati vizionin e nje bashkimi kombetar qe perkohesisht e ariti.Idea e krijimit te shetit te mosvarur Shqiptar nga politikani i mencur Ismail Bej Vlora,ideologu i Lidhjes se prizerenit Abdyl Bej Frasheri e ndonje tjeter jane figura me vizion por nuk arriten te materjalizojne shume gjera.Gjithe shtetaret ne bote kane udhehequr me vizionin e tyre dhe jo me dhunen e tyre.Ne akoma jemi primitiv ne respektimin e demokracise.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje