Partia Demokratike është sot në një ditë vendimtare për fatin e saj.
Nga një anë mbështetësit e Sali Berishës mbajnë sot një referendum në të gjitha degët për të ratifikuar vendimin për shkarkimin e Lulzim Bashës si kryetar, të marrë në kuvendin kombëtar të 11 dhjetorit.
Nga ana tjetër, Basha nuk e njeh këtë kuvend dhe me anëtarët e kryesisë së PD ka thërritur një kuvend kombëtar këtë të shtunë. Por çfarë ndodh pas këtij momenti? Sipas analistit Erlis Çela, përplasja e parë do të jetë ajo e regjistrimit të statutit.
“Gjykata do të duhet të regjistroje një statut. Kështu që vendimi i gjykatës do të japë një përgjigje. Por pavarësisht si do të shkojë historiku i ndarjes apo i rrugëtimit të këtyre dy palëve, njerëzit do të provohen me votë. Procedurat nuk janë gjithçka. Në fund të fundit kur të vijnë zgjedhjet do të duhet të fitojë.
Nga ana tjetër nëse Berisha do të vijë në krye të PD dhe do të zhgënjejë sërish në zgjedhje, këtu mbaron gjithçka. PD nuk e ka luksin të humbi qoftë edhe një anëtar. Përkundrazi, do të duhet të zgjerojë bazën e votuesve. Shumë shpejt do të shohim sa ia vlen secili”, tha Çela në A2 CNN.