Pasaporta e Shqipërisë ndër vite dhe “atentati” me kombësinë gjatë komunizmit: Rreziku që i kanosej vendit pas shembjes së regjimit

25 Dhjetor 2021, 11:48Dossier TEMA
Pasaporta e Shqipërisë ndër vite dhe “atentati” me

Nga Hasan Bello

Në pasaportat shqiptare kanë lënë gjurmë të gjitha regjimet politike të kohës. Kjo duke nisur që nga vitet 20-të shekullit të kaluar kur për herë të parë shteti shqiptar filloi t`i pajiste nënshtetasit e tij me pasaporta për të udhëtuar jasht shtetit.

Kështu, një pasaportë e viteve 1920-1924 ka elementë të ngjashëm, por ajo ndryshon me pasaportat e periudhës së Republikës (1925-1928) e sidmos me ato të Monarkisë (1928-1939). Përveç formës së regjimit që gjendet e stampuar në ballinën e çdo dokumenti dhe elementëve të tjerë të sigurisë, të dhënave personale etj, pasaportat e periudhës së Monarkisë ishin pajisura me disa këshilla, që kishin për qëllim forcimin e ndjenjës së atdhedashurisë.

Por vlera dhe rëndësia e një pasaporte është në raport të drejtë me kredibilitetin politik që shteti gëzon në arenën ndërkombëtare. Nga ky këndvështrim qytetarët shqiptarë nuk kanë qenë njëlloj të vlerësuar në periudha të ndryshme historike.

Në çdo pasaportë krahas të dhënave të përgjithshme vendoseshin edhe dy elementë të rëndësishëm “besimi” dhe “kombësia”. Por në vitet 60-të kur vala e luftës kundër fesë dhe besimeve fetare po vinte duke u rritur, prania e këtyre elementëve në pasaporta do të vihet në diskutim.

Më 10 maj 1965 pedagogu i Katedrës së Filozofisë të Universitetit të Tiranës, Hulusi Hako, i cili njihej për aktivitetin e tij propagandistik kundër fesë, do t`i drejtoi kryeministrit Mehmet Shehu një letër. Sipas tij, me dhjetra e qindra qytetarë mernin pasaporta të reja ose këmbenin ato të vjetrat në degët e punëve të brendshme. Në pikën nr.9 figuronte edhe “besimi”, i cili plotësohej automatikisht, në bazë emrit të qytetarit.

Përpara disa kohësh ishte diskutuar lidhur me vijimin e kësaj pike. Ai shprehte bindjen se ekzistonin të gjitha argumentet teorike, politike e praktike, që kjo pikë të mos vendosej fare në pasaportë, ose të paktën të mos plotësohej. Ky propozim i Hulusi Hakos kishte dhe një arsye tjetër. Ai do të shërbente për të zhdukur një nga “argumentet” ku sipas tij kapeshin predikuesit fetarë dhe besimtarët.

Në fakt kjo nuk ishte asgjë tjetër veçse një marrëzi e radhës, e cila do të merret seriozisht nga drejtuesit më të lartë të shtetit. Më 10 qershor 1965 zëvendëskryeministri Manush Myftiu i shkruante kryeministrit Mehmet Shehu se, këtë çështje e kishte biseduar me ministrin e Brendshëm Kadri Hazbiu dhe ministrin e Drejtësisë Bilbil Klosi dhe që të gjith ishin të mendimit që në pasaportat shqiptare të mos vihej “besimi”.

Madje, fryma antikombëtare që dominonte në psikologjinë e elitës komuniste i kapërceu të gjitha parashikimet. Ata propozonin gjithashtu që të mos vihej as “kombësia”.

 

Ky veprim,-theksonin ata,-nuk prekte cilësitë esenciale, që kërkoheshin për shtetasit. Kjo tregon se deri ku arriti regjimi komunist që t`i zhvishte shqiptarët nga identiteti i tyre fetar dhe ai kombëtar.

Sipas shënimeve me dorë të kryeministrit Mehmet Shehu, ai ishte dakort me propozimet e zëvendëskryeministrit dhe ministrave.

Por ndërsa për “besimin” ishte krejtësisht e lehtë për ta hequr, duke e lënë bosh pikën nr.9, për kombësinë nevojitej një dekretligj i ri. Kjo vihet re dhe nga përgjigjja që sekretari i përgjithshëm i kryeministrisë, Spiro Rusha i kthente pedagogut të Katedrës së Filozofisë, Hulusi Hakos.

Ai e konsideronte si të drejtë letrën që ky i fundit i kishte drejtuar Këshillit të Ministrave dhe, se për këtë qëllim ishin njoftuar organet kompetente, që në të ardhmen të mos vendosnin asnjë shënim.

Ajo që të bën përshtypje është qëndrimi dhe arsyetimi i ministrit të Drejtësisë Bilbil Klosi. Kjo për shkak se të hiqje nga pasaporta “besimin” nuk ishte problem shumë i madh, por të hiqje “kombësinë” do të thoshte të hiqje një nga elementët më të rëndësishëm. “Kombësia” ishte dhe mbetet një nga elementët më të rëndësishëm të shtetformimit.

Në një shkresë drejtuar sektorit juridik të kryeministrisë që mban datën 8 maj 1965, Bilbil Klosi shkruante se ishte bërë rregull që në letër njoftime, pasaporta dhe dokumente të tjera zyrtare të pasqyroheshin, përveç të dhënave dhe cilësive të nevojshme për përcaktimin e identitetit të shtetasit, edhe kombësia me besimin e tij fetarë.

Ai shprehte mendimin se, ky rregull, nuk ishte i drejtë. Sipas tij, në dokumentet e identitetit duhej të përfshiheshin vetëm ato të dhëna, që kishin rëndësi ligjore dhe që tregonin karakteristikat e nevojshme të personit.

“Kombësia” dhe “besimi”, sipas tij, nuk sillte ndonjë pasojë ligjore. Prandaj, nuk shërbente për përcaktimin e identitetit të personit. Këtë qëndrim, ai e arsyetonte me faktin se, në vendin tonë të gjith shtetasit kishin të drejta dhe detyrime të barabarta pavarësisht besimit dhe kombësisë.

Për ta përforcuar këtë, ai i referohej nenit 15 të Kushtetutës, ku thuhej se: “Të gjith shtetasit janë të barabartë pa ndryshim kombësie, rrace ose feje. Çdo akt që sjell privilegje në favor të shtetasve ose që kufizon të drejtat e tyre për shkak ndryshimi në kombësi, rracë ose fe, është kundër Kushtetutës dhe sjell me vete dënime të parashikuara me ligj”.

Nga ky nen sipas Bilbil Klosit, dilte se cilësitë e shtetasit shqiptar, në lidhje me kombësinë dhe besimin fetar, nuk ishin karakteristika ligjore. Prandaj, ishte e panevojshme dhe e tepërt, që ato të shënoheshin në dokumentet e identifikimit personal.

Por jo vetëm kaq. Bilbil Klosi theksonte se pasqyrimi i këtyre cilësive në dokumente, që përdoreshin nga qytetarët, mund të linte shteg për keqinterpretime në lidhje me respektimin e plotë të këtij parimi kushtetues.

Për këtë arsye, ai e gjente jo vetëm të panevojshme, por edhe të parregullt pasqyrimin e cilësive të shtetasve. Sipas tij, kombësia dhe besimi i shtetasve ishin cilësi që mund të përdoreshin vetëm për arsye statistikore. Ato duhej të shënoheshin vetëm në dokumentet dhe regjistrat e disa zyrave shtetërore. Ai propozonte që, tani e tutje, organet shtetërore të mos i shënonin këto dy elementë. Por ministri i Drejtësisë ishte në dijeni se për këtë kishte një pengesë ligjore.

Në nenin 1 të Dekretit “Mbi paisjen me letërnjoftim të popullsisë së Republikës Popullore të Shqipërisë” nr.2760 datë 22.9.1958 bëhej fjalë se letërnjoftimi duhej të përmbante edhe kombësinë e personit. Për këtë arsye, ai propozonte ndryshimin e nenit 1 të këtij Dekreti, si vijon:

“Letër njoftimi (pasaporta) është një dokument zyrtar që vërteton shtetësinë, identitetin e shtetasit (emrin, emrin e të atit dhe të nënës, datëlindjen, vendlindjen, gjendjen shoqërore dhe gjendjen familjare të mbajtësit).

Të gjitha faktet që shënohen në letër njoftim (pasaportë) quhen të pakundërshtueshme dhe kanë fuqi detyruese për çdo veprim që kryen shtetasi (martesë, etj), gjersa nuk provohet e kundërta”.

Përgjegjësi i sektorit juridik të kryeministrisë i shkruante zëvendëskryeministrit Manush Myftiu se për projektligjin në fjalë pikëpamja e tij kishte qenë që të mos bëhej asnjë ndryshim për kombësinë.

Kjo tregon se Manush Myftiu kishte reflektuar, ose kishte hasur pengesë nga drejtues më të vetëdijshëm lidhur me pasojat e këtij veprimi. Prandaj mbi këtë shkresë ai shkruan me dorë se, tani për tani, të mos përpilohej një dekret i ri. Ai ishte i mendimit që të mbetej “kombësia” dhe të hiqej “besimi”. Por gjithnjë kjo duhej bërë jozyrtarisht.

Për reflektimin e Manush Myftiut ndoshta duhet të ketë ndikuar dhe një këshillë e një specialisti të Byrosë Juridike të kryeministrisë, i cili lidhur me pikëpamjet e ministrit të Drejtësisë, Bilbil Klosi shfaqte rezerva.

Sipas tij, propozimi për ndryshimin e Dekretit që hiqte “kombësinë” dhe “besimin” nga pasaporta duhej të vinte nga Ministria e Punëve të Brendshme, ose më së paku duhej marrë mendimi i këti institucioni, që merej direkt me paisjen e qytetarëve me pasaporta.

Nga ana substanciale dekreti mund të ndryshohej vetëm përsa i përkiste “kombësisë”, sepse ai nuk e përmendte fare “besimin”, i cili ishte kopjuar si praktikë nga pasaportat e huaja.

Ky i fundit nuk ishte element thelbësor i pasaportës, duke patur parasysh se çdo shtetas kishte të drejtë që të shprehej ose jo lidhur me përkatësinë e tij fetare. Por ndryshonte puna lidhur me “kombësinë”.

Kjo, sepse shtetas shqiptarë ishte ai që lindte nga prindër shqiptar, ose që e fitonte shtetësinë nga natyralizimi. Ata që e fitonin shtetësinë shqiptare me natyralizim nuk kishin kombësi shqiptare. Kështu që element thelbësor i identitetit të çdo shqiptari mbetej kombësia.

Neni 15 i Kushtetutës që sillej si argument për ndryshimin e Dekretit mbi letër njoftimet, nuk kishte të bënte me identitetin e shtetasve, por me të drejtat e tyre të barabarta përpara ligjit, pavarësisht origjinës dhe besimit fetar.

Prandaj, ai propozonte që Ministria e Punëve të Brendshme mund të hiqte nga pasaportat vetëm “besimin”, që nuk parashikohej në ligj, por jo “kombësinë”. Për ata që mernin shtetësi shqiptare me natyralizim, në pasaportë duhej të shënohej edhe kombësia e tyre.

Pavarësisht përpjekjeve për ta hequr “kombësinë” nga pasaportat shqiptare në vitin 1965 ajo nuk u bë mundur.

Konfuzioni që do të shkaktonte një veprim i tillë, sot do të kishte pasoja të pallogaritshme. Shqipëria do të mbushej me pakica inekzistente nga të gjitha vendet e botës, në varësi të parave që ato do të kishin në dispozicion, për të korruptuar politikanët e pas viteve 90-të./ abcnews.al

6 komente në “Pasaporta e Shqipërisë ndër vite dhe “atentati” me kombësinë gjatë komunizmit: Rreziku që i kanosej vendit pas shembjes së regjimit”

  1. Moisi Golemi says:

    Can Belloja, turkoshak i 10-rë.

    1. i cudituri says:

      Kush eshte ky GOMAR Hasan Bello qe shkruan idiotizma te tilla!? Jo vetem mos-shkrimi i fese ne dokumente zyrtare,por zhdukja e institucioneve fetare dhe shkaterrimi i cdo feje, ishte nje nga arritjet me te medha historike te shtetit shqiptar, qe realizoi ngjizjen dhe formesimin kombetar te shqiptareve. Kush nuk e kupton kete eshte IDIOT!!
      Shteti shqiptar me deklarimin e fese, ka bere qe para 50 vitesh ate qe bejne sot vendet e BE-se, qe e kane te ndaluar deklarimin e fese ne dokumentet e leternjoftimit! Madje sot ne BE e kane te ndaluar edhe shkrimin e kombesise ne dokumentet personale!!! Se kush eshte budallai ketu, eshte thjesht e kuptueshme.

  2. KOZi... says:

    Ka shume komente per periudhen e Monarkise dhe Ahmet Zogun ! Ama kjo eshte e vertete , pasaporta e asaj periudhe ecte ne europe e amerike ! Edhe monedha shqiptare e asaj periudhe ecte ne europe e amerike ! Dilte cdo dite ne kursin e kembimit ne gazeta te europes ! Leku shqiptar preferohej ne Jugosllavi dhe Greqi ! Dhe si ka mundesi qe nuk ka patur largime nga Shqiperia ( as kerkesa per azil si sot ). Emigracioni ka qene i pa perfillshem ! Fshatari ka punuar token ! Ka mbajtur mjaftueshem bageti aq sa arriten per te mbajtur me ushqim sa forca partizane gjate luftes ( 70000 partizane ishin ne 1944 thone ca ) dhe tepruan per kooperativat.?! Interesant ………

    1. ca po thua says:

      O KOQE, a i ke trute ne vend o kokrra e budallait. Keto qe thua ti jane muhabete pijanecesh ne kafenene e lagjes. Duket qe ti ate nivel katunaresk ke o debil inferior, qe “ecen” me pashaporten e gomarit ne maje te mullarit.

  3. Emri says:

    Heqja e besimit dhe e kombesise nuk eshte aspak marrezi, por perditshmeria e sotme. Ne leternjoftimet dhe pasaportat europiane nuk shenohen besimi dhe kombesia, por vetem shtetesia. Besimi eshte individual, nuk mund te vihet automatikisht sipas emrit. Cdo njeri zgjedh vete te besoje, te nderroje fene e prinderve apo te mos besoje. C’pune ka shteti ketu? E fundit ne BE ishte Greqia qe u detyrua te hiqte besimin nga leternjoftimet, me gjithe rezistencene forte te kishes greke qe vuri ulurimen se po na prishen traditat. Konservatoret e gjithe botes jane njelloj qesharake dhe absurde.
    Kombesia, qe ne e perdorim ne vend te etnise, eshte e dhene e ndjeshme, qe nuk shenohet ne dokumente per te mos diskrimunuar individin. Etnia eshte çeshtje individuale, ne BE çdo njeri deklaron vete perkatesine etnike dhe shteti nuk ka te drejte t’i thote jo, atje ku kjo pyetje perfshihet ne regjistrimin e popullsise. Ne Shqiperi kombesia kushton 300 euro ose ndonje favor tjeter. Prandaj eshte e pasakte dhe pyetja e kombesise duhet hequr nga te dhenat e regjistrimit te popullsise, si ne Greqi, France etj.
    Hulusi Hako nga ky shkrim del se paska qene gjeni, qe ka parashikuar te ardhmen. Socializmi kishte shume elemente racionale dhe shkencore, qe shoqeria e sotme qe po kthehet drejt Mesjetes nuk i ka.

  4. Vjosa.al says:

    Shkrimi i Hasan Bellos ka sjelle informacion dhe detaje te diskutimeve mbi te dhenat qe duhej te kishte pasaporta shqiptare, sidomos ne se duhej te shenohej apo jo religjioni(besimi) dhe kombesia e personit qe i leshohej pasaporta.
    Por shkrimi eshte i ngarkuar, kullon i teri nga politizimi, nga nje tendence e shpifur qe kur shkruhet per kohen e diktatures, te deklarohesh, te shfaqesh si antikomunist, te denigrosh dhe te percmosh cfardo praktike shteterore apo institucionale qe ndermerrte regjimi edhe kur ato kane brenda nje llogjike racionale apo juridike.
    Fakti qe sot demokracite perendimore nuk e shenojne as besimin e as kombesine flet se, me se paku nuk ka arsye pse ta margjinalizosh debatin e atehershem mbi detajet e pasaportes shqiptare, pavaresisht se shtysat qe kane cuar sot ne eliminimin e religjionit dhe kombesine ne parsaportat bashkekohore jane te ndryshme nga ato te regjimit shqiptar te para90-tes.
    Ne fakt, nuk do komentoja fare per kete shkrim me nje fryme qe te le nje pershtypje te keqe, por kupa e te perzjerit m’u mbush kur nga fundi i shkrimit te Hasan Bellos hasa pohimin idiot te tij:
    ” Pavaresisht nga perpjekjet per ta hequr “kombesine” nga pasaportat shqiptare ne 1965 kjo nuk u be e mundur.”
    Cfare ke dashur o Hasan me kete xhevahir?
    Mos ke dashur te thuash se nuk ja mbante partise dhe Enverit dhe shtetit te tyre ta hiqte besimin dhe kombesine nga pasaporta se doli nje nepunes dhe e kundershtoi?
    Apo se u erdhi marre nga bota?
    Apo se i frikesoheshin kundershtimit te popullit?
    Po pse e katandis veten ne kete derexhe ore Hasan?
    Si ne kohen e diktutures kur cdo material i shkruar, raport, lajm, informacion a buletin i cdo natyre duhej te fillonte me citime nga shoku Enver, sic na porosit Partia, sikurse thekson kongresi apo pleniumi i X, … edhe shkrimet e mediokerve dhe rrufianeve te sotem, si ky Hasani yne, te post diktatures, duhet pa tjeter, hapur apo neper rrjeshta, te shfaqen apo te shpallen si antikomuniste, si anti diktature, si kritikues te regjimit te atehershem edhe per ceshtje krejt pa lidhje e pa llogjike.
    Mire qe nuk keni respekt per integritetin tuaj intelektual dhe profesional, po turp a ju vjen ndopak more zoterinj te harbuterise me kollaro dhe borsalina?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje