Eno Bozdo, ish-sekretari organizativ i PD-së ka folur rreth situatës aktuale të Partisë Demokratike e cila është ndarë në dy kampe. I ftuar në “Abc Live”, Bozdo u shpreh se zgjidhja e duhur për demokratët do të ishte që kreu aktual të largohet kurse lideri historik të vetëpërmbahet.
“I kemi bërë thirrje Berishës të vetëpërmbahet të mos kandidojë. Po kandidoi ai fiton. Duhet një gjeneratë e re, me kauza të ndryshme që ta çojë PD-në përpara. Një pjesë jo-indiferente e anëtarëve të PD, pavarësisht se ku janë pozicionuar, në fund të ditës mendojnë që duhet një lider komplet tjetër.”
Por si do të shkojë PD në zgjedhjet vendore, përgatitjet për të cilat ndoshta duhej të kishin filluar, ndërsa gjendet e ndarë mes kreut Lulzim Basha dhe ish-kryeministrit Sali Berisha? Bozdo thotë se problemet duhet të zgjidhen urgjentisht ndërsa shton se demokratëve u duhet tashmë racionalitet politik dhe gjakftohtësi.
“Do të mjaftonte skandali i fundit i pagave, që opozita të zinte rrugët. Ta zgjidhim sa më shpejt këtë krizë nëse ka mundësi për zgjedhje. E duan të gjithë një ndryshim të qeverisjes por mungon besimi te opozita.”
Kurse i pyetur rreth mënyrës sesi do të “ekzekutohet” ultimatumi i bërë nga grupi i Berishës-Bashës për të lënë zyrën deri më 5 janar, ish-sekretari organizativ i PD-së nuk beson se dhuna është opsion.
“Pavarësisht toneve, të gjitha palët janë të destinuar për të kërkuar një zgjidhje të përbashkët. Retorika politike ka kapur maja të dhunshme. Demokratët nuk dhunojnë selinë e tyre, por njihet edhe e drejta shumicës për të vënë pikat mbi i. Largimi i Bashës dhe Berishës është në të mirë të PD. Shpresoj që viti i ri t’u sjellë racionalitet demokratëve.”