Alpinisti ra në humnerë në Pukë dhe vdiq, gazetari rrëfen prapaskenat: Dëgjoja rënkimet

2 Janar 2022, 09:55Politika TEMA

Nga Armir Mehaj

Ishte mbrëmje, errësira kishte zënë, kur nga ana tjetër e telefonit dikush me njofton për një aksident në Munellë. U duk se ashtu pa dashur atmosfera e festës mu prish, teksa pyesja veten kush mund të jetë. Dikush më tha janë djemtë e shoqatës që mbrojnë Rreqebullin. “Janë gjallë e kanë shpëtuar” Ishte lajm i mirë, por në pak minuta situata serish turbullohet. Në fakt e kisha një parandjenjë, por jo aq sa më tej e përjetova.

Dikush më njofton se në Munellë ishte rrezuar kolegu Alfred Lela e bashkë me të dhe katër të tjerë, mes tyre dhe dy të njohurit e mi, Ndoci e Iliri. Mes frikës për të vërteten i bie telefonit të Fredit, i cili më pohon se ishte e vërtet ndërkohë që kishte disa orë që prisnin ndihmë. “Armir unë jam mirë, kamë hallin e Ilirit, ai nuk është mirë. Ndoci na ka humbur” me thotë ndër të tjera Fredi që nuk ankohej për vete.

Rruga ishte më e gjatë se kurrë. Makina ime që atë natë kishte disa defekte nuk i ndjente gropat e rrugës “tmerr”  drejt Munellës. Lokacioni që më kishte dërguar Fredi ishte gjithnjë larg, edhe aty ku makina nuk ectë më tej. Mbaj mend që dikush me thoshte mos u nis. Mban tre orë, e ti as i përgatitur nuk qenke për një rrugë të tillë. Gjithë kohës me kujtohej aksidenti im dhe njerëzit që më patën ndihmuar.

Në nisje disa zjarrfikës i kisha para e pas e bashkë me ta dhe dy banorë të zonës, teksa ecja dikush u kthye, të tjerë ndaluan, e sa më lart aq më shumë drita shikoja. Ishin blice celularësh të banorëve të zonës që kërkonin pa orientim. Piskama e asaj nate dhe oshëtima e maleve më përsëritet dhe tani. ” Ej more” por askush nuk përgjigjej. I heshtur ndiqja lokacionin që më kishte dërguar Fredi, telefoni i të cilit tashme ishte fikur, ndërsa rruga sfilitëse nuk kishte fund. Dikund në një qafë kur era fryente pamëshirshëm takoi Shkelzenin,  infermierin e urgjencës. E mbaj mend që të dy shtrëngonim njëri-tjetrin, kur era na rrezonte mbi akullin e borës së ngrirë në Munellë që kësaj radhe nuk më shkaktonte adrenalinë si gjithnjë, por lodhje, ankth e frikë për çfarë kishte ndodhur. Se harroj kurrë kur për 30 minuta vërdalliseshim pran lokacionit që gjithnjë me tregonte 110 metër largësi, por që ishte thjesht distanca në vijë ajrore.

Kur arritëm, tre punonjës policie kishin mbërritur diku 10 minuta më parë e tentonin të ndiznin zjarr me degët e pishave. Fredi bashke me operatorin dhe një guide qëndronin ashtu të heshtur në këmbë. Aty pranë Iliri gati kishte ngrirë. Provave t’i thërras, reagoi, më njohu e më tha se kishte fort dhimbje në gjoks. Rënkimet e tij tregonin qartë situatën në të cilën ndodhej ai.  Lela thoshte se ishte mirë, por këmba nuk i levizte, dora ishte ënjtur, por nuk ankohej. Gjithnjë kërkonte të nisnin kërkimet për mikun e tij, Ndocin. Disa herë përseriste, ” Banjani si burrat e nisni me kërkuar për Ndocin. Ai ka probleme dhe me zemren e ky i ftoftë është rrezik për të” Policet dhe zjarrfikësit e ardhur nga Puka e Mirdita të prirë nga banorët e zonës nisen kërkimet. Nuk u vonuan shumë e lëshuan piskamën, “e gjetem” e u duk se  u bam ma të fort, por kjo zgjati veç pak minuta. Një burr na u afru e na tha, Ndoci nuk asht i gjall. Eh, çfar situate. Fredi ishte ba dru e nuk donte me e besu, unë nuk dija si të raportoj. Gjithë kohës telefoni nuk pushonte nga njerëzit e Ndocit që më pyesnin a u gjet e si asht. Redaksia nga ana tjetër donte një konfirmim për Ndocin, e unë nuk mundesha me e deklaru pa jetë. Me vdek Ndoci që më kishte tregu qindra histori me sfidat ndër male, ndër ta edhe atë më problemin në zemër, e të gjitha i kishte fitu?! Nuk e besoja vërtetë se ai nuk do ti shkelte ma kto male që me aq mund  e pasion ju dha emër, i bani të vizitueshme e i kthej në atraksion. Ashtu turbullt dëgjoja renkimet e Ilirit, isha përball heshtjes së Fredit, dhe pohimit të imfermjerit, Shkelzenit, se Iliri ishte akull në trup e kishte frik për gjendjen e tij.

Tashmë Iliri duhet transportuar me barrelë, helikopteri nuk vinte.  Fredi pasi u nis Iliri nuk pranonte të nisej pa njerr prej andej e marr me vete trupin pa jetë të mikut të tij. Dikur ja mbusha mendjen te niseshim bashkë me premtimin se trupin e Ndocit do e prisnim tek rruga e makines. Ai se dinte nese kyqi i kembës ishte thyer, por ne kishim vetëm një barrelë e ajo po transportonte Ilirin. E çfarë rruge sfilitëse! 30 minuta pasi u nisem muskujt e këmbëve mu kontraktuan. Pa shumë zhurmë dikujt tjetër i thash të mbante nga krahu Fredin e tashme po mundohesha të ecja pa e dhënë veten.  Situata sa vinte e vështirësohej por operatori i Fresit e kuptoj situatën time. Mes trishtimit qe kishte perjetuar me afrohet e më thot ” vlla nuk dukesh mirë”, i tregova se këmbët më ishin bllokuar, si duket nga kontraktimi i muskujve që  duket se ishin ngrirë nga i ftohti dhe bora në të cilen zhyteshim. Me ndihmoi me pak ujë që i kishte mbetur dhe një magnezium, të cilin pasi e mbajta nën gju mu duk se me forcoi pak, ose të pakten ishte efekti psikologjik. Infermjeri i urgjences shfrytëzonte rastin sa herë cunat ulnin barrelen në të cilen ishte Iliri ti jepte Ringer nga goja, teksa kryente taktika për të parë nesë Iliri reagonte. Më tej kthehej tek unë e më mbante prej krahu. Se di por udhëtimi për poshtë drejt makinave që gjithnjë dukeshin larg atë natë të mbuluar me dhimbje e acar më ngjanin më një film të trisht. Banorët e zonës u treguan tamam malësor. Edhe pse ishte sfilitëse nuk e lan Ilirin, por po e transportonin me mjaft kujdes pasi një rreshqitje këmbe ishte fatale për të sëmurin, por dhe vetë ata. Me jepte fort forcë një grua me shami të bardhë që sa herë rrezohej, ngrihej e vazhdonte rrugën, dikush më tha është nusja e xhaxhait të Ilirit. I shoqi i saj ishte mbuluar nga heshtja.

Kishte vënë mbi shpinë çantën që kishte mbajtur nipi i tij e kujdesej që Ilir të mos e merrte vesh për Ndocin. Një Polic, Marku ishte i vetmi ndoshta prej të angazhuarve të Shtetit që se leshoi barrelen. Një çun i dobët e i gjat me bënte fort përshtypje ku po e gjente gjithë atë forcë. Her pas here ju drejtohej banorve qe kishte përkrah duke mbajt barrelen, ” Mos u dorëzoni burra”  e shtonte si me shaka …A keni hangër gja sot mor” nje djal tjetër i shëndosh kujdesej për të gjetur rrugët më të shkurtra e shpesh teksa ishte me barrelen mbi supe tregonte se po ndiqte një shteg të hapur nga kanadezet. Profesori, Shkelzeni te cilin e njof prej kohësh si djalin që prodhon vorbat e Gojanit, përsëriste disa herë që prej nisjes, “hë se shkum” si për ti dhënë entuziazem Ilirit se tmerri që kishte përjetuar e po përjetonte do të marr fund shpejt. Dikush na tha se po vinin ushtarët e dukej sikur do na lehtësonin, por un e dija se ardhja e tyre ishte ende e largët për shkak të terrenit dhe largësisë. Lela dukej si nuk po e vinte më këmben në tokë, kur në po arrinim kilometrin e fundit mbërritën ushtarët dhe atë copë rruge Fredi u transportua me barrelë.

Ndërkohë Iliri ishte nisur. Doktor Modi kishte mbërritur lart në Munellë pak çaste pasi ambulanca ishte nisur. Ai kishte përforcuar me të tjera barna ndërhyrjen e infermierit duke arritur që trupi i Ilirit të ngrohej disi. Fredi sa po arrin kishte një pamje të zbehte fort. Duket se ju kishte dorëzuar dhimbjes, por se harroi që ashtu i falënderon malësorët e asaj ane dhe punonjësit e Shtetit që ishin angazhuar. Faleminderit shumë. J’ua paça borxh e veç në gëzime j’ua kthefsha” Serish nuk donte të ikte pa zbritur trupi i pajetë i Ndocit, teksa ushtarët ishin nisur serish drejt majës që normalisht ju duheshin te paktën dhe 5 orë për tu kthyer. Punonjësit e urgjencës sugjerojnë nisjen e menjëhershme të Fredit drejt Spitalit të Traumës e kështu u bë. Mbaj mend që kisha 4 paracetamol, ja dhashë edhe pse e dija se nuk do i bënin asnjë punë në gjendjen ku ishte.  Trupi më ishte mpirë, këmbët ishin lagur e i ftohti më kishte kapluar aq sa makina nuk ngrohte, ndërsa rruga e kthimit dukej shumë më e gjatë se ajo e mberritjez. Në Xham gjithë kohës më dukej sikur më shfaqej Ndoci me zërin e tij kumbues, teksa sa herë e takoja më thoshte Pukës ke çfarë i promovon. Gjithnjë më thoshte se na ka fal Zoti resurse pa hesap e se duhej ti promovonim por edhe të punonim nga pak me malësorët tanë që nuk mjaftonte veç mikëpritja, por duhet edhe të kishin kulturën e gatimit e shërbimit. Ai gjithnjë fliste për shtigjet që kishte markuar, e më kujtonte si i kishte promovuar duke i kthyer në të vizitueshëm, Lumin e Shalë, Currajt, Nikaj-Merturin, Cukalin  Munellen, Terbunin e plot vende të tjera.

Por tek kthjellohesha në mendime e dija se Ndoci nuk do ishte më. Mali që Ndoci i dha jetë, atë natë ja mori jetën, e tash se di. A ka me pas naj Ndoc tjetër që mundet me e vazhdu me aq pasion punën e tij. Për diçka jam i bindur se kush e ka njohur prej afër siç e kam njohur unë, ka me udhëtu gjithnjë me këshillat e Ndocit për Malin./BW

9 komente në “Alpinisti ra në humnerë në Pukë dhe vdiq, gazetari rrëfen prapaskenat: Dëgjoja rënkimet”

  1. Alban Dega says:

    BASHKIA E PUKES TI VENDOSI EMRIN SHKAMBI I NDOCIT VENDIT KU AI DHA JETEN PER TE PROMOVUAR

    Pervec asaj ti jepet titulli Nderi I Pukes
    dhe Deshmor i Atdheut pasi saktifikoi jeten e tij per nje nga shtyllat kryesore te zhvillimit dhe perparimit te Vendlindjes se vet dhe Shqiperise- turizmit malor.

    1. Asd says:

      Shume dakort. Propozim me vlere.

  2. Davidi says:

    Kur te ha koka per brire…

  3. TURIEMIGR says:

    DIKUSH DUHET TE MBAJE PERGJEGJESI PENALE PER KETE NGJARJE. SI MUND TE NISESH NE NJE KOHE TE TILLE, KU TEMPERATURAT E ULTA E KANE KTHYER DEBOREN NE AKULL, NE NJE KURTH VDEKJEPRURES, APO KEMI NE SHQIPTARET EKSPERIENCEN DHE MJETET TEKNIKE PER TE TILLA AVENTURA . DIKUSH TJETER DUHET TA PAGUENTE KETE AVENTURE. NGUSHELLIME FAMILJES I LEHTE QOFTE DHEU QE DO E MBULOJE. NUKE NJOF TE NDJERIN POR NGA SHKRIMI DUKET NJERI QE ESHTE FATKEQESI QE U LARGUA NGA KJO BOTE NE KETE MENYRE, IKU PER ATE QE E DONTE ME SHPIRTE . UDHETIM TE MBARE I NDERUAR NDOC. PSE IKIN NE MENYRE TE PADREJTE KETA NJEREZ DHE JETOJNE CA VEMJE

    1. Genci says:

      Ata që e pajtuan për udhëtimin,,, po bëjnë shkrime….

  4. Roberto says:

    Ngjarje e dhimbshme.Ngushellime familjes,miqve dhe shokeve.U prehte ne paqe.

  5. Donald Trapi says:

    Po pse mer gazetar bole,film po benin ata qe po tregon prapaskenat ky ??? Ka vdek robi o ju qifsha lajmin. Si mund ta perdoresh termin prapaskene. O robt edhe pastaj thone qe gazetar eshte pune e veshtire dhe duhet te durojme sharjet e njerezve. Beni mer legena punen sic duhet se sju shan njeri. Te paafte dhe analfabete.

  6. SADIU says:

    Ndoci nje njeri i persosur, lum ai qe e ka njohur dhe lum ai qe ka bashkpunuar me të. Ndocin nuk do e harroj kurr, nuk do te harroj kur atë butësinë ne muhabet, çdo fjali kishte vetëm pune dhe keshilla. Sa punë ka bërë ai burre, sa punë la në mes, por besoj që shoket e tij Zefi, Shkëlzeni e shume te tjere do ti nxisin dhe do ti shtyjnë me tej. Ministria e turizmit dhe te mjedisit duhet ta vlersoj, punen e tij e gjen në faqen e tij. I paharruar ai burre malësor.

  7. Aleksander Thana says:

    I qofte dheu I lehte, ngushellime familjes.
    Me beri pershtypje autori I shkrimit (si ky jane shumica sot ne Shqiperi), me “lokacionin” qe e perserit pa mbarim, ne vend te shqipes, “vendndodhja”, “vendi I aksidentit”, “vendqendrimi” etj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje