Merkato e Kategorisë Superiore: Kallaku zyrtarizohet te Partizani, Hebaj rikthehet te Teuta

4 Janar 2022, 16:06Sport TEMA

Rubin Hebaj rikthehet zyrtarisht te skuadra e Teutës. Pas një sezoni si kampion te Shkëndija e Tetovës, shkodrani është rikthyer te bregdetarët me të tjera objektiva.

Pas largimit të maqedonasit Giorgiev, drejtuesit e Teutës u vunë menjëherë në punë për të gjetur një tjetër numër 9 në skuadër dhe afrimi i parë ishte pikërisht shkodrani Rubin Hebaj.

Një emër i dashur për tifozerinë pasi 23-vjeçari fitoi me Teuten një Kupë Shqipërie dhe një Superkupë, ndërsa tani do e ketë dhe më të vështirë për të arritur synimet duke parë gjendjen që skuadra ndodhet.

Ndërkohë, Partizani ka zyrtarizuar transferimin e Kallakut. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, “demat e kuq” kanë bërë të ditur se mesfushori do të jetë pjesë e Partizanit deri në fund të sezonit.

“FK Partizani me kënaqësi njofton arritjen e marrëveshjes me Sherif Kallakun. Mesfushori i spikatur, bashkohet me 16-të herë kampionët e Shqipërisë pas eksperiencave të suksesshme në kampionatin tonë me ekipet e Laçit dhe Teutës si dhe jashtë vendit te NK Lokomotiva Zagreb.

Drejtuesit dhe mesfushori me tipare sulmuese, kanë arritur marrëveshjen me klubin kroat të NK Lokomotiva Zagreb për huazimin e 23-vjeçarit, i cili do të jetë pjesë e të kuqve deri në fund të këtij sezoni futbollistik”.

Aktualisht Teuta është në vendin e gjashtë me 18 pikë po aq sa Partizani, shumë larg zonës Europë apo dhe mbrojtjes se titullit kampion, dy objektivat primarë të skuadrës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje