Një person i pestë u arratis pas aksidentit, misteret e ngjarjes tragjike ku humbi jetën 30-vjeçari shqiptar

1 Shkurt 2022, 18:36Kronika TEMA

Rreth orës 21:20 të së premtes, furgoni i një ndërmarrjeje që vinte nga Cingoli në drejtim të Jesi doli nga rruga. Në timon ndodhej 30-vjeçari shqiptar Dorjan Andoni, i cili gjeti vdekjen në vendin e ngjarjes.

Me të ndodheshin të paktën 3 persona të tjerë: një maroken i cili ndodhet i shtruar në spital për shkak të plagëve të marra dhe dy italianë të cilët morën dëmtim më të lehta.

Nga sa është mësuar deri më tani, të gjithë kishin qenë për darkë në një restorant në Cingoli. Pas darkës ishin kthyer për në Jesi, ku duket se kishin një shtëpi ku qëndronin.

Por teksa aksidenti tragjik është raportuar më herët, shumë detaje mbeten ende për t’u sqaruar. Para se gjithash, shqiptari mësohet se ishte pa dokumente.

Po ashtu, mediat italiane shkruajnë se, në furgon dyshohet se ndodhej edhe një person i pestë, po shqiptar, që dyshohet se mund të jetë larguar nga vendngjarja pa mbërritur ende autoritetet.

Mbetet për t’u sqaruar lidhja që kishin me njëri-tjetrin personat që ndodheshin në mjet. Hetuesit thonë se bëhet fjalë për muratorë të cilët punonin në një kantier në zonë. Nëse është ky rasti, mbetet e paqartë se për cilën ndërmarrje punonin.

Një tjetër detaj që krijon edhe më shumë konfuzion është fakti se autoritetet kanë marrë një denoncim nga një ndërmarrje që pretendon se furgoni me të cilin udhëtonin personat në fjalë ishte e tyre dhe ishte vjedhur. Kjo bën që natyrshëm të ngrihet pyetja se ç’bënin personat në fjalë në bordin e këtij furgoni.

Por mbi të gjitha, mbetet për t’u sqaruar shkaku i aksidentit të rëndë. Si dhe përse e humbi kontrollin e mjetit 30-vjeçari, duke dalë më pas nga rruga. Shqiptari rezultoi se nuk kishte konsumuar alkool. Për të sqaruar të gjitha këto pikëpyetje thelbësore pritet të jenë dëshmitë e personave të tjerë që ndodheshin në mjet.

Ndërkohë sindikatat e punëtorëve në provincën e Macerata shprehën keqardhjen e thellë për humbjen e 30-vjeçarit Dorjan Andoni. Në reagimin e tyre sindikatat shprehin po ashtu shqetësimin për parregullsitë në punë, duke marrë parasysh faktet e dala në dritë se shqiptari nuk kishte leje pune dhe po ashtu për largimin e një personi të pestë nga vendi i aksidentit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje