FOTOT: Ndërron jetë ikona e kinematografisë italiane

3 Shkurt 2022, 13:30Lifestyle TEMA

Aktorja Monica Vitti, një ikonë e kinemasë italiane në vitet 1960 -1970 ka ndërruar jetë sot në moshën 90-vjeçare.

Vdekja e saj u njoftua nga ish-kryetari i bashkisë së Romës, Walter Veltroni, në emër të bashkëshortit të Vitti-t, Roberto Russo.

Vitti, e cila pati sukses si në komedi ashtu edhe në role dramatike, u bë e njohur në dramën “L’Avventura” të Michelangelo Antonioni-t, e konsideruar gjerësisht një kryevepër duke e kthyer atë në një yll ndërkombëtar.

Regjisori i Hollivudit Martin Scorsese dikur shkroi: “L’Avventura’ më dha një nga goditjet më të thella që kam pasur ndonjëherë në kinema”.

“Një aktore ironike dhe me talent të jashtëzakonshëm, Vitti pushtoi breza italianësh me zgjuarsinë, guximin dhe bukurinë e saj. Ajo solli magjepsje në kinemanë italiane dhe në mbarë botën”, tha kryeministri Mario Draghi.

Krahas Sophia Loren, Gina Lollobrigida dhe Claudia Cardinale, Vitti ishte një nga aktoret më të spikatura të Italisë.

Vitti u bë simboli melankolik i vetmisë në filmat intelektualo-ekzistencialë të Antonioni-t dhe më vonë talentin e saj komik e shfaqi në komedi si “La ragazza con la pistola” (“Vajza me pistoletë”).

Maria Luisa Ceciarelli lindi në Romë. Ajo u vlerësua me çmimin Ariu i Argjendtë në Berlinale 1984 për performancën e saj të jashtëzakonshme në filmin “Flirt”. Në vitin 1995, ajo u nderua me çmimin Luani i Artë për arritje të jetës në Festivalin e Filmit në Venecia.

Dy dekadat e fundit Vitti jetoi e izoluar nga sytë e publikut për shkak të një sëmundjeje të rëndë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje