Teuta është skuadra e parë që kualifikohet në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Durrsakët eliminuan Skënderbeun në çerekfinale, duke i mposhtur korçarët në të dyja ndeshjet me rezultat minimal.
Ashtu si në ndeshjen e parë, edhe në sfidën e kthimit, Rubin Hebaj, ishte heroi i skuadrës së Arapit në “Elbasan Arena”.
Sulmuesi shkodran shënoi golin e vetëm të takimit në minutën e 8-të, duke u treguar i saktë nga pika e bardhë e penalltisë.
Në minutën e 63-të, Skënderbeu gjeti golin e barazimit me Dajan Shehin, por u anulua nga VAR për pozicion jashtë loje.
Teuta tani pret të mësojë kundërshtarin e radhës, ndërsa ditën e enjte do të luhen edhe 3 ndeshjet e tjera në çerekfinalen e Kupës.