Sulmuesi i Kombëtares, Myrto Uzuni është prezantuar ditën e sotme te Granada. Beratasi nuk i kurseu fjalët e mira për skuadrën e re, ndërsa tha se trajneri e ndihmon shumë dhe është i sigurt që në të ardhmen do të jetë një lojtar edhe më i mirë.
Uzuni deklaroi gjithashtu se Granadën e kishte ndjekur edhe ndaj Teutës në Kupa e Europës, ndërsa shtoi se për këtë ekip i ka folur edhe sulmuesi tjetër i Kombëtares, Rey Manaj.
“E kam njohur skuadrën pasi e kam parë që ka luajtur përballë Teutës vitin e kaluar në Europa League. Gjithashtu këtu ka luajtur edhe miku im Rey Manaj dhe më ka treguar shumë për këtë ekip.
Për mua ishte një ëndërr e bërë realitet të luaja në “Santiago Bernabeu” me lojtarë të mëdhenj. E rëndësishme për mua është të kem minuta e të luaj e për këtë arsye duhet të punoj shumë. Doja të shënoja gol në atë moment, por nuk kisha fat. Do të përpiqem të bëj maksimumin për të shënuar gol.
Ka shumë ndryshime, La Liga është kampionati më i fortë në botë, teknikisht dhe fizikisht. Jam gati për këtë aventurë dhe do të bëj më të mirën në kampionat.
Besoj shumë te vetja ime dhe për këtë arsye jam këtu. Kam besuar që në momentin e parë që kam luajtur futboll, këtë gjë e vendos trajneri nëse luaj apo jo. Kemi shumë sulmues të mirë, nuk dua ta krahasoj veten time me asnjë dhe dua të bëj më të mirën time këtu.
Që në momentin e parë kam parë njerëz pozitivë që më kanë ndihmuar të përshtatem. Jam ndjerë shumë mirë që nga dita e parë që kam ardhur.
Mentaliteti im është të mos dorëzohem dhe të bëj maksimumin për këtë fanellë. Do të jap maksimumin për këtë ekip e të shënoj sa më shumë gola e të jap shumë asiste. Trajneri është një nga më të mirët që kam punuar deri tani. Më ndihmon shumë dhe mendoj se në të ardhmen do të jem një lojtar akoma më i mirë.”, u shpreh Uzuni.
Ka mbi nje jave qe eshte luajtur kjo ndeshje. Jeni te vonuar juve te TEMAs