“Kjo nuk është një çështje e shqetësimeve të Rusisë. Është çështje e urisë së saj”.
Shqipëria e mbështet pa asnjë kusht Ukrainën, pas agresionit rus të natës së 24 shkurtit, kur bombardimet nga ana e Kremlinit filluan të godisnin Ukrainën, pas urdhrit të presidentit rus, Vladimir Putin.
Sipas të dërguarit të përhershëm të Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Ferit Hoxha, ky agresion gjakftohtë, nuk është gjë tjetër, veçse një veprim vetëshkatërrues i Moskës.
“I bëjmë thirrje Rusisë të ndalojë dhe të reflektojë menjëherë. Misioni i tyre si një vend i madh në botë, është ta ruajnë paqen dhe jo ta prishin atë”.
Me këto fjalë, Hoxha theksoi se është e papranueshme, që Rusia të sulmojë në të tillë mënyrë vendet fqinje dhe të kërkojë pushtimin e tyre.
I vetmi “faj” që Ukraina ka bërë sipas tij, është fakti se ka zgjedhur të jetë një shtet sovran dhe demokratik.
“Diplomacia, është si shpresa”, theksoi Hoxha. “Ajo vdes e fundit. Por, që të funksionojë, duhet pranuar, jo injoruar”.
Një reagim ka ardhur edhe nga kryeministri i vendit, Edi Rama, i cili i është bashkuar thirrjeve të NATO-s, Bashkimit Evropian dhe aleatëve, për të dënuar sulmin ndaj Ukrainës.
“Mendimet tona janë me qytetarët e Ukrainës”, përmbledh me pak fjalë Rama në Twitter.
Ndërsa, Hoxha, i ka kërkuar zyrtarisht anëtarëve të tjerë në Këshillin e Sigurimit dhe në OKB, që t’i qëndrojnë pranë ukrainasve dhe t’i mbështesin ata në këtë agresion të radhës rus.