Një mundësi për të parë botën, për të zbuluar vende të reja por edhe veten. Kjo është çka ofron për studentët Kolegji Profesional i Tiranës, ndërsa synimi mbetet një dhe i vetëm: Arsim sa më cilësor dhe punësim i garantuar. Nuk janë të paktë ata të rinj që kërkojnë të largohen nga vendi, dhe e konsiderueshme është edhe përqindja e të larguarve për studime jashtë Shqipërisë. Arsyet vërviten tek ambiciet për një arsim më cilësor, punë më të paguar dhe mbi të gjitha, për vlerësim bazuar në aftësi. Prej 7 vitesh, Kolegji Profesional i Tiranës është angazhuar për një tjetër realitet, ku mbizotëron besimi dhe siguria për një të ardhme më të mirë. Puna ka qenë e vazhdueshme, gjithmonë e orientuar drejt mundësive që japin programet dhe projektet europiane në mbështetje të një diplome të vlefshme profesionale. Dhe ky përkushtim, vlerësohet më së shumti me pjesëmarrjen e KPT-së si i vetmi partner në projektin MoVet-Mobility for VET in Europe.
Një projekt ky i përzgjedhur nga Komisioni Europian, nën drejtimin e *ENAIP NET, që bën bashkë 6 partnerë nga BE-ja (Greqi, Gjermani, Spanjë, Belgjikë, Itali) dhe 6 partnerë nga Ballkani Perëndimor (Shqipëri, Kosovë, Mali i Zi). Objektivi është kontribuimi në përmirësimin dhe modernizimin e sistemit të arsimit profesional në Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi, si dhe forcimi i lidhjeve me tregun e punës pikërisht në sajë të mobilitetit të stafit dhe studentëve. Përzgjedhja e Kolegjit Profesional të Tiranës për luajtjen e një roli kyç në stimulimin dhe mbështetjen e zhvillimit të arsimit profesional në Shqipëri, tregon se si KPT mbetet i vetmi institucion i arsimit të lartë që ofron programe moderne që stimulojnë praktikën në terren dhe kombinim efektiv të teorisë më zbatimin praktik të dijeve të marra.
Në vitin akademik 2022- 2023, në kuadër të projektit MoVet, 25 studentë të kolegjit do të kenë mundësi të trajnohen e ndjekin praktika pranë kompanive prestigjioze europiane e nën supervizimin e pedagogëve të tyre, pa para të nxjerra nga xhepi. Kostot do të mbulohen nga projekti, pavarësisht se sa mund të zgjasë qëndrimi i tyre – 2 javë, 3 ose 6 muaj – si dhe vendit europian ku do të shkëmbejnë eksperienca personale, jetësore, akademike e kulturore.
Në këtë kuadër, stafi i KPT-së është bërë pjesë e trajnimeve intensive 2 javore – të mbajtura online dhe fizikisht në Dolo (Venecia). Të vetëdijshëm se ka gjithmonë për të mësuar kur bëhet fjalë për orientimin e metodologjisë e praktikave moderne të mësimdhënies drejt tregjeve europiane të punës. Por mbi të gjitha, të bindur se të rinjtë shqiptarë, nën udhëheqjen e duhur, mund të kalojnë çdo kufi, çdo barrierë të krijuar nga mungesa e shpresës.
Pedagogët dhe studentët bashkëudhëtojnë në Kolegjin Profesional të Tiranës, modelojnë e formojnë fillimisht modele e më pas profesionistë në shërbim të shoqërisë dhe ekonomisë sonë.
* ENAIP NET është një nga rrjetet më të mëdha në Itali për ofrimin e arsimit profesional dhe punësim.