Edhe një trofe tjetër që Man. United mund ta fitonte edhe pse nuk ishte e lehtë, tani duhet ta harrojë.
Në “Old Trafford”, Ronaldo me shokë detyrohen të ngrenë flamurin e bardhë pasi Atl. Madrid arrin të fitojë në ndeshjen e kthimit që i jep kështu një vend në çerekfinalen e Champions League.
Sfida e parë u mbyll në barazim 1-1 teksa sot fitoi 1-0 Simeone skuadra e të cilit në pjesën e parë ishte më e rrezikshme dhe me De Gean që shmangu golin momental, nuk mund të bënte asgjë në 41’ kur pas një krosi të Felix, Renan Lodi me kokë kalon me meritë përpara spanjollët.
Pjesa e dytë është më emocionuese dhe në 62’ Sancho rrezikon dukshëm portën e Atleticos por nuk shënon ndërsa në 77’ Jan Oblak bëhet heroi i mbrëmjes duke larguar një goditje me kokë nga Varane. Minutat tensionojnë “djajtë e kuq” që nuk krijojnë dot raste të pastra dhe me meritë Atl. Madrid arrin çerekfinalen teksa Ronaldo i bashkohet Messit duke u eliminuar në 1/8.
Ndërkohë në duelin tjetër, Ajaxi favorit për të avancuar më tej dhe që barazoi 2-2 në takimin e parë eliminohet papritur nga Benfica që arrin të fitojë në “Amsterdam Arena”.
Nuk mjaftoi një ndeshje e mirë dhe me shumë raste apo dominim të lojës nga harkëtarët sepse Benfica u tregua cinike dhe me golin e Nunez në 77’ i jep kualifikimin portugezëve për në çerekfinalen e Champions League.