Muli paralajmëron Luan Baçin për mitingun e Salianjit

3 Shkurt 2026, 20:31Antena TEMA

Pas mitingut të madh që Salianji mbajti në Fier, duke mbushur plot sallën e Kinoteatrit, Muli i kërkoi Lelos të mbahej qëndrim ndaj Luan Baçit.

– Po me se mund ta ndëshkojmë atë? – tha Lelo.
– Të ndalohet të dalë në televizor një muaj – tha Muli.
– Po çfarë fitojmë nga kjo?
– Po sa herë që del ai, thonë njerëzit: këtij ia futi Salianji në Fier.
– Po ai këtë punë ka – tha Lelo. – Deri më sot thoshin: ia futi Gazi në Fier, tani do t’i thonë: ia futi Salianji. Nuk i bën ndonjë përshtypje.
– Ashtu? – u kujtua Muli. – Atëherë po ia ndreq unë. S’po i jap më fjalën në Parlament.
– S’besoj se ka efekt as kjo – tha Lelo. – Ai ku ta gjejë, s’do të flasë.
– Po diçka duhet të bëjmë – tha Muli – se po na vënë para. Në grup vënë para Doktorin për Reformën, në Fier shkojnë me Salianjin, ne s’do rrimë të bëjmë sehir.
– Kam një ide – tha Lelo. – Myslym Murrizi ka thënë që ky Luani ka tatuazh një drapër e çekan në gjoks, që e ka bërë kur ka qenë ushtar. T’i kërkojmë ose ta përgënjeshtrojë këtë, ose të na tregojë që nuk ka tatuazh. Të paktën ta detyrojmë të shkojë të vuajë e ta djegë tatuazhin.
– Kjo qenka ide e mirë – tha Muli. – Po kam frikë se shkon e modifikon, e bën si temë të PD-së dhe thotë: “Kam tatuazh PD”.

Lini një Përgjigje