Mallkimi që Doktori sot i bëri Dashit bëri shumë përshtypje te demokratët. Ata e kishin parë Doktorin të sulmonte, të shante, të kërcënonte, madje dhe të vriste, por të mallkonte si plakat s’e kishin parë kurrë. Kjo i bëri përshtypje edhe Mulit dhe thirri Lelon të diskutonin si mund ta zbusnin.
– Duhet të gjejmë një arsye, tha Muli, se janë shqetësuar demokratët. U duket sikur Doktori u plak e i lanë fuqitë dhe vetëm mallkon si plakat.
– Nuk besoj se mërziten për këtë, tha Lelo. Kam frikë mos u duket sikur e ka dashur shumë dhe është mërzitur që ka ikur.
– Po ta donte e bënte deputet, tha Muli. Aq e kuptojnë ata. Puna është që nuk duhet ta bëjmë rrugë që ata që ikin nga ne përfundojnë më mirë. Kjo është e rrezikshme. Ata që ikin nga ne duhet të vdesin për rrugëve, të mos kenë më alternativë. Ndaj dje Doktori i vë në provë njerëzit, i fut në luftë personale me Ramën që të mos kenë ku të shkojnë.
– Rama është shumë i poshtër, tha Lelo. Ai pikërisht ata merr për t’u hequr turpin. E ka kot këtë Doktori, nuk funksionon.
– Duhet të përhapim sloganin “demokrat lind, nuk bëhesh”, tha Muli. Kjo nënkupton që demokrat të lind nëna, ndaj Doktori mallkon qumështin e nënës. Nuk ka faj Dashi. Ka pasur faj qumështi i nënës.
– Nuk e ha njeri këtë, tha Lelo.
– E ha, e ha, tha Muli. E dëgjove atë demokratin që i tha Doktorit: të dua më shumë se babën tim. Ai e shpjegon qartë fenomenin. Domethënë e ka nga qumështi i nënës.
– Domethënë ti thua që, meqë jemi me Doktorin, i kemi pasur nënat demokrate, tha Lelo. Si ka qenë ajo kënga: “Ju kish lindur nëna për një botë të re…”
– Fiks ajo, tha Muli. Duhet ta modifikojmë kundër Dashit dhe aq.
– Po mund ta bëjmë kështu, tha Lelo:
Ju kish lindur nëna
për një botë të re
harram, mo Dash Sula,
ike dhe na le
– E bukur, tha Muli. Kjo i bind demokratët që ai ka tradhtuar qumështin e nënës.
MOS VDEKSH KURRE O MERO