Muli shpjegon pse po vonojnë datën e protestës

27 Mars 2026, 20:02Antena TEMA

Shumë demokratë janë shqetësuar që po prishet ritmi i protestave, që ka qenë zakonisht një herë në dhjetë ditë. Kanë kaluar 7 ditë nga protesta e fundit dhe akoma nuk ka një datë.

Lelo i shprehu këtë shqetësim edhe në emër të gazetarëve, që tani kanë investuar për këto mitingje, pasi kanë blerë kundragaz dhe uniformë.

-Kemi një problem, tha Muli. Grupi i molotovit na u dekonspirua dhe policia ua ka marrë të gjitha shenjat e gishtave. Pas çdo proteste, pak nga pak, janë ndaluar të gjithë dhe janë dekonspiruar. Duhet të bëjmë gati grupin e ri dhe do fillojmë.

-Po çfarë t’u themi mediave? tha Lelo.

-Sajo ndonjë taktikë, sikur kemi një plan final, i tha Muli. Për shembull që tani do ketë një sulm final dhe Rama rrëzohet.

-Këtë rrëzimin s’e hanë më, tha Lelo, po të paktën të themi që do të bëjmë një të fuqishëm.

-Po tamam ku është problemi? tha Lelo, se ndoshta gjej edhe unë ndonjë zgjidhje më të besueshme.

-Problemi është që Doktorit i kanë mbaruar këto datat historike, tha Muli. Më 20 shkurt s’u bë gjë, më 22 mars s’u bë gjë, tani kemi edhe 8 prillin, të shikojmë.

-Po pse më 8 prill?

-Është dita kur është bërë president më 1992.

-Po kemi edhe 2 prillin, tha Lelo, kemi marrë festë për NATO-n.

-E di, po ia lidhin me Gërdecin, atë nuk e ka qejf.

-Unë them ta lëmë më 24 maj, tha Lelo, një ditë pasi të rizgjidhet kryetar dhe të marrë fund kjo etja për pushtet në PD.

-Jo, tha Muli, se duket sikur festojmë Kongresin e Përmetit.

-Ah po, tha Lelo. E kanë ndotur gjithë vitin me festa këta komunistët, s’ke kur bën miting.

1 Komente

  1. O
    Oficeri dulles

    Ta bejne me 7 prill me pushtimin fashist

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje