Asgjë nuk di në hollësi për rrethanat e vetëvrasjes së 17-vjeçares I.M., edhe pse lexoj se shkaku ka qenë bullizmi në shkollë, dhe këtë duket sikur e mbështet një shënim që ka lënë e ndjera.
Por po shtyhem të shkruaj dy rreshta, ngaqë disa media kanë saktësuar se letra që ka lënë I.M., fshehur në kapakun e celularit të saj, paska qenë në anglisht.
Letër e dhimbshme, me shumë pyetje dhe fare pak përgjigje.
Një gjimnaziste që zgjedh t’i thotë fjalët e fundit anglisht: të thuash se sot vdekjen tënde të paramenduar mund ta lajmërosh më mirë në gjuhë të huaj, se në gjuhën tënde amtare.
Vallë nuk ka arritur t’i formulojë në shqip mendimet? Apo i ka ardhur më lehtë të shprehet ashtu, sepse anglishtja edhe i ka shërbyer si lëndë gjuhësore për ato mendime?
Duke ia sugjeruar të paktën arsyetimin për një veprim kaq të papërfytyrueshëm?
Përballë gjërave të tilla, njeriu bëhet paranojak, për t’u mbrojtur. I pari shpjegim që më vjen në mendje, është se vajza nuk ka dashur që atë shënim t’ia lexojnë prindërit, ose ndonjë tjetër person i afërt me të, që nuk di anglisht.
Ose e kundërta – që ai shënim i drejtohet dikujt me të cilin ajo ish mësuar të komunikonte anglisht.
Ndonjë psikolog do të thoshte se anglishtja mbase ia ka bërë më të lehtë që të shprehë mendime me natyrë delikate, të vështira për t’u formuluar në shqip.
Më ka qëlluar të jem i pranishëm, në rrethana shumë të trishtuara për mua, kur njerëz që përballeshin me ankthin e vdekjes të kenë filluar të flasin në një gjuhë tjetër. Ndoshta pasojë e çorientimit, ose e ndonjë çorganizimi tjetër të vetëdijes.
Por besoj se më shumë se gjithçka tjetër, në këto përsiatje me zë, është zgjedhja e anglishtes – që është për adoleshentët gjuha e botës online, edhe alternative ndaj asaj materiale, edhe e njësuar me këtë.
Bëra një kërkim të thjeshtë online me emrin e viktimës, sepse doja të krahasoja lajmet që ishin sjellë nga mediat për ngjarjen; por ashtu më doli përpara që ajo kushedi e ka pasur një llogari në Tik-Tokun turk.
Nuk e njoh këtë rrjet social, dhe aq më pak atë të Turqisë.
Kam parë, megjithatë, raporte nga burime pak a shumë të respektuara si Bloomberg, The BBC dhe Amnesty International, se algoritmi i burimit (feed) “For You” i Tik-Tokut priret t’i ekspozojë përdoruesit ndaj videove që romantizojnë, normalizojnë ose inkurajojnë vetëvrasjen.
Sistemi i rekomandimeve i këtij rrjeti amplifikoka materiale me përmbajtje depresive dhe suicidale, që përfundon i përdorur nga adoleshentë dhe të rinj me probleme të shëndetit mendor.
Në media u tha gjerësisht se vajza e vetëvrarë kish përjetuar bullizëm në shkollë dhe bullizmi nuk ka doemos lidhje me mediat sociale; por mediat sociale mund të ofrojnë – qoftë edhe pa dashur – një pseudo-ngushëllim ndaj persekutimit, dhe ta orientojnë viktimën drejt një zgjidhjeje pa kthim.
Me fjalë të tjera, këto media dhe rrjete mund të funksionojnë si një rrjet i shpërndarjes së një droge fatale.
Kam vënë re edhe më parë (Street English), se brezi më i ri sot në Shqipëri, përfshi edhe gjimnazistët, po ia gërryen vendin vetes nëpërmjet anglishtes – një lingua franca e një universi që më të rriturit nuk e kuptojnë mirë.
Nuk është aq anglishtja në vetvete, sa vendimi për ta përdorur, zgjedhja e saj si mjet komunikimi dhe solidarizimi brenda një komuniteti horizontal, i cili njëfarësoj i heq kufijtë midis realitetit dhe virtualitetit, që meriton vëmendje.
Adoleshenti që flet (dhe shkruan) anglisht sa i afrohet “të vetit”, aq edhe i largohet një “të veti” tjetër, duke ngritur një barrierë mirëfilli linguistike, që vjen e i shtohet asaj të natyrshmes së moshës.
Mediat sociale, përfshi edhe TikTokun, nuk janë detyrimisht malinje; vetëm se u mungon çdo lloj ndjeshmërie morale. Në kuptimin që, për algoritmin, vdekja – sugjerimi i vdekjes – mund të vijë në vështrim si një rrugëdale logjike ndaj një situate të dëshpëruar.
Mbase gjithçka shkrova nuk vlen, për ngjarjen konkrete; por është më shumë produkt i paranojës sime, ose të paktën i asaj çfarë anglishtja e quan overthinking (edhe unë iu fala anglishtes këtu).
Por te TikToku më çuan disa indicie që nuk i shpërfill dot: nga letra e vetëvrasjes e hartuar anglisht, te fshehja e saj në telefonin celular dhe te zbulimi – aksidental prej meje – i një pranie sado aksidentale të viktimës në TikTokun turqisht.
Kohë të vështira, dramatike, jo aq për prindërit dhe fëmijët, sa për çfarë i ndan dhe i bashkon; me telefonin celular në rolin e fyelltarit magjik të Hamelin-it.
© 2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi është përfytyruar me Midjourney. Botohet me leje te "TemA".
Konstatimi ka nevoje per argumentim. Perse adoleshtja ndjehet "rehat" ne anglisht e jo ne gjuhen e saj te origjines? Diferencat qyteteruese?
Vehbiu, e verteta e kesaj vajze martire, eshte shume e thjeshte: Ajo ka dashur, qe me anglishten e saj, te imigroje, nga ai ambient prej fekalesh kanibale, qe flasin gjuhen, qe e perdoren si arme, per te vrare kete vajze te mrekullueshme.
Zoti Vehbiu, Duhet ta fillosh radioskopine nga 08 Nentor 1941...
Sa m'i ja dika shijet - Rozafë . E Argjiro , vallë ? S'kujtuam dje liqenet e Lurës me t'im ungj , s'i vajta . Oj Argjiro ! ? Si merresh me vello ti vallë , kur venë e m'i vellojnë mortajën . E , Argjironë ! Ç'reçka ?Rozafë , - ti vallë ? Kush rron si , e kush për kë ? I ka deh mid'hes ? Oj Rozafat , ç'reçka more ! ?