8 Maji, një ditë çlirimi edhe për gjermanët

5 Maj 2025, 09:32Blog Nga Mimoza Cika Kelmendi

8 Maji, një ditë çlirimi edhe për gjermanët

80 vjet më parë, më 8 maj 1945, një epokë mori fund: Lufta e Dytë Botërore mbaroi, Gjermania naziste u mund dhe Holokausti mori fund. Për shumë vende në Evropë, kjo ditë ka qenë një ditë festimi që atëherë; për ta, është dita e çlirimit. Megjithatë, Gjermania gjithmonë ka pasur dhe vazhdon të ketë vështirësi me këtë ditë përkujtimore

Lufta e Dytë Botërore i mori jetën rreth 55 milionë njerëzve, shumica prej tyre civilë. Ish Bashkimi Sovjetik u prek më rëndë, me rreth 24 milionë të vdekur. Gati gjashtë milionë hebrenj u vranë dhe qindra mijëra romë dhe sinti, njerëz me aftësi të kufizuara dhe të sëmurë ranë viktima të politikave raciste të regjimit nazist. Fundi i Luftës së Dytë Botërore e gjeti Gjermaninë nën rrënoja. Më shumë se pesë milionë ushtarë gjermanë ishin vrarë, sulmet ajrore kishte marrë rreth 570,000 jetë njerëzish në Gjermani dhe rreth 14 milionë gjermanë ishin larguar ose u dëbuan nga ato që atëherë ishin territore lindore gjermane. Ndarja e Gjermanisë, e cila zgjati deri në vitin 1990, ishte po ashtu një nga pasojat më të rënda të Nacional Socializmit.

Për gjermanët edhe sot, 8 maji nuk është një ditë për të festuar. Njerëzit që e kanë përjetuar në mënyrë të vetëdijshme atë, kujtojnë përvoja shumë personale dhe për këtë arsye shumë të ndryshme. Njëri u kthye në shtëpi, tjetri mbeti pa strehë. Ky u lirua, sepse filloi burgimi i tjetrit. Shumë ishin thjesht mirënjohës që netët e bombardimeve dhe të frikës kishin mbaruar dhe që ata kishin mbijetuar. Të tjerë ndjenë dhimbje për humbjen e plotë të atdheut të tyre. Shumë gjermanë qëndronin me hidhërim përpara iluzioneve të shkatërruara, gjermanë të tjerë mirënjohës për fillimin e ri që u ishte dhënë.

Megjithatë, fjalimi i Presidentit Federal Richard von Weizsäcker me rastin e 40-vjetorit të përfundimit të luftës më 8 maj 1985, konsiderohet një pikë kthese dhe një moment historik në kulturën zyrtare gjermane të përkujtimit. Në të, Weizsäcker tha: "Nuk kishte orë zero, por patëm mundësinë për një fillim të ri. E shfrytëzuam sa më mirë që mundëm. E zëvendësuam mungesën e lirisë me liri demokratike." Ai e përshkroi 8 majin si “një ditë çlirimi… nga sistemi çnjerëzor i tiranisë nacionalsocialiste..”.

Në Gjermani, u desh deri në vitin 2005, pas shumë vitesh plot debate, që Memoriali për Hebrenjtë e Vrarë të Evropës të përurohej në Berlin. Tre vjet më vonë, një memorial i veçantë në përkujtim të persekutimit dhe vrasjes së homoseksualëve u ngrit jo shumë larg Fushës së Stelave, dhe në tetor 2012, pasoi një memorial i veçantë për romët dhe sintit. Vetëm Berlini e ka zyrtarisht ditë feste 8 Majin në Gjermani, ku edhe kanë nisur një sërë aktivitetesh me këtë rast. Fundi i Luftës së Dytë Botërore përkujtohet si një ditë përkujtimi ose  si festë publike në Francë, Republikën Çeke dhe Sllovaki më 8 maj. Në Rusi, 9 maji festohet si Dita e Fitores dhe në Holandë, 5 maji festohet si Dita e Çlirimit. Italia feston Ditën e Çlirimit më 25 prill. Ndërsa Shqipëria më 29 Nëntor.

2 Komente

  1. M
    Messerschmitt

    mos i qaj hallin gjermonve se ata prap se prap jane numri 1 i botes por qai hallin njerzve te tuj qe virten per nje shikim prej shekujsh ....

    Përgjigjjuni
    1. s
      shqiptari pa shqiperi

      Mire e ke, por ke harruar te shtosh, qe kur populli shqiptar, priste te clirohesh, nga bunkeri komunist dhe mentaliteti islamit, po perjeton nje vet pushtim nga rami dhe sali, ku jane bashkuar te dy ato lloj sundimi qe thame me lart, shume te keqinj se pushtimi nazi-fashist.

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje