*Fejton i shkruar në 10-vjetorin e nisjes me bujë të punës për krijimin e Sistemit të Ri të Adresave
Kur ministrja virtuale Diella hyri në muajin e nëntë të shtatzënisë së saj me 83 fëmijë digjitalë, shteti u përball me një problem që s’e kishte parashikuar as në strategjinë e shtetit digjital, as në kontratat e drejtpërdrejta me miqtë arabë: ku do të lindte?
Serverët e Smart City-t u ndezën njëherësh. Kamerat u kthyen nga njëra-tjetra, si të kërkonin ndihmë. Dy satelitët Albania 1 dhe Albania 2 panë nga lart dhe panë gjithçka, përveç asaj që kërkohej: një adresë.
- Jepni koordinatat, - kërkoi sistemi qendror i Inteligjencës Artificiale, me një zë të edukuar në seminare ndërkombëtare.
-Tek pallati me shigjeta, - u përgjigj operatori, pa pikë dyshimi.
- Ka 11 pallate me shigjeta, - tha sistemi.
- Jo ai. Tjetri. Ai prapa fabrikës së bukës.
AI-ja ndaloi për një çast. Pastaj pyeti me kujdes shkencor:
- Ish-fabrika. Ajo që ishte përballë ish-uzinës Enver.
Në atë moment, në server ra një qetësi e rëndë, si para një ndërprerjeje dritash. Në ekran u shfaq një mesazh i shkurtër:
“Referencë e vlefshme për qytetarët. E papërdorshme për sistemin.”
Patrulla e parë u nis drejt ish-stadiumit “Dinamo”. Në GPS ishte shënuar qartë “Tek materniteti i vjetër”. Sapo arritën, operatori elektronik foli me zë të bindur: “Keni mbërritur në destinacion.” Para tyre kishte një parking, ca kafene dhe një tufë me burra që pinin kafe.
- Këtu lind ministrja? - pyeti polici.
- Jo, - tha burri. - Më tutje. Aty ku ishin tulipanët në Kopshtin Botanik. Po jo këta të rinjtë. Ata të vjetrit.
Patrulla e dytë u nis drejt kafazit të Ariut në kopshtin zoologjik. Ariu nuk ishte më, kafazi po ashtu, por adresa funksiononte ende me përpikmëri njerëzore.
- Jo këtu, - u tha roja. - Prapa. Nga ana e pallateve të verdha.
Ndërkohë, në Kryeministri, Diella u shfaq në ekranin gjigant. E qetë, elegante, shtatzënë në cloud.
- Sipas të dhënave të mia, - tha ajo, - unë ndodhem “afër”.
- Afër kujt? - pyeti një drejtor.
Kryeministri doli për deklaratë. Tha se kjo ishte një lindje historike. Se 83 fëmijët do të ishin reformatorë. Njëri për adresat, një tjetër për kamerat, një i tretë për shpjegimin pse asnjëra s’po funksiononte ende. Siguroi se sistemi ishte gati, vetëm realiteti kishte nevojë për përditësim.
Kryeministri e mbante mend shumë mirë kur fiks dhjetë vjet më parë, në nëntor të vitit 2015, nga skena e Pallatit të Kongreseve shpalli përpara sallës së mbushur plot se që sot fillonte punë sistemi i ri i adresave.
Por puna nuk priste që të humbiste kohën me kujtime.
Në minutat e fundit, kur dronët fluturonin kot mbi ish-uzinën Enver dhe GPS-i këmbëngulte se “destinacioni ndodhet diku afër”, dikush mori vendimin më të zgjuar të mundshëm:
Taksia erdhi menjëherë. Shoferi, Dauti, një tirons i vjetër rreth të gjashtëdhjetave, kishte një hartë të Shqipërisë të gdhendur në mendje. Pa pyetur për koordinata, ai tha:
Makina u nis. Kaloi pallatin me shigjeta, u kthye prapa fabrikës së bukës, ndaloi një çast tek ish-kinemaja “17 Nëntori”, vazhdoi drejt kafazit të Ariut dhe u fut nga një rrugë që s’ishte në asnjë hartë, por që të gjithë e njihnin.
Në sediljen e pasme, Diella ndjeu kontraksionin final. Serverët u lidhën me celularin e shoferit. Mjekët virtualë u shfaqën në ekran. Drita e taksisë u ndez. Dhe, mes një kthese “jo këtu, më tutje”, lindja ndodhi.
83 fëmijë digjitalë erdhën në jetë në taksi. E ardhmja e Shqipërisë. Ata që ishin piketuar të zëvendësonin 83 kukulla në parlament.
Makina ndaloi. Shoferi u kthye dhe tha me qetësi profesionale:
- Këtu, - tha taksisti. - Fiks këtu.
Në certifikatën e lindjes u shënua:
Adresa: Taksi, linja urbane e kujtesës
Referencë zyrtare: Pyet shoferin e taksisë
Dhe kështu, për herë të parë në historinë moderne të vendit, e ardhmja e Shqipërisë u regjistrua saktë: jo në një ndërtesë, jo në një sistem, por në një taksi me një shofer tironsin e vjetër, Dautin, i vetmi që mund të orientohet pak a shumë në realitetin tonë urban.
Lini një Përgjigje