Nga Kimete Berisha
Një shoqëri gati 100% myslimane, mjerimin kulturor e mbulon me drita të Krishtlindjeve.
Në çdo rrugë, në çdo kafene, këndohet për Jezusin.
Jezusin që e fali Maria Magdalenën.
Në këtë “atmosferë perëndimore”, në një tubim politik në Skenderaj, një grua deputete u shpall “prostitutë”.
Dihet.
Feja e shqiptarëve është folklor.
Burrëria është krim: ashpërsi, armë, ndëshkim...dajak.
Dashuria: çfarë është dashuria për njerëzit e prapambetur, aman?
Shqiptarët e kanë zemrën në Lindje, dritat në Perëndim, dhe lirinë që Perëndimi ua ruan me armatim të rëndë.
Ndërsa burrat lëshojnë mjekra, sundojnë gra dhe grabisin.
Në Kosovë nuk është e ndaluar me ligj që publikisht ta quash një grua “prostitutë”.
Po të ishte e ndaluar linçimi publik i grave, së paku gratë e partisë do të duhej të distancoheshin nga “Policia morale” e Skenderajt.
A nuk e dinë ato zonja se njësoj mendojnë edhe për to?
Se për 'Policinë morale', çdo grua e lirë është “prostitutë”.
Edhe kur nuk është.
Edhe sikur të ishte…do të ishte punë e saj, jo armë politike e meshkujve që, kur më nuk ndihen burra, i shohin gratë si “prostituta”.
Kështu fillon Lindja: njëherë me fjalë, pastaj me gurë.
P.S.
Për ironi, kënga shoviniste “This is a man’s ëorld” e thotë të vërtetën.
Në Fjalorin e gjuhës shqipe nuk e gjen “kurvar-in”, sepse fjalorin e kanë bërë meshkujt.
E gjen vetëm “kurvën”.
Gjuha shqipe e ka vendosur në Kongres: morali ka gjini.
Dhe unë i them vetes gjuhëtare.
- Më vjen ta shqyej emrin tim.
AUTOKRITIKË:
Hë?
Të mashtroi?
Të dhemb tash?
A ndjen sikur kapakët e syve t’i kanë mbushur me gurë të vegjël?
Një fjalë - një gur.
Mirë.
Se lakmove.
Në fjalët e tij të huazuara nga filmat që i ke parë.
Se besove.
Deshe të ishe e kuptuar, jo e lirë.
Pastaj iku.
Mbete pa të, dhe pa lirinë.
(Autokritika vazhdon në heshtje, sepse degradon.)
Kjo shoqëri nuk është as fetare, as perëndimore, as tradicionale. Është thjesht patriarkale dhe frikacake. Kur një grua flet, bëhet “prostitutë”. Kur një burrë ofendon, bëhet “trim”. Dritat e Krishtlindjeve janë dekor. Mentaliteti është gur. Këtu morali përdoret si shkop për gratë dhe si amnisti për burrat. Fjala vret para se guri të hidhet, dhe guri gjithmonë gjen dorën e burrërisë së rreme. Nuk është problem feja, as Lindja, as Perëndimi. Problemi është një shoqëri që e quan dhunën “vlerë”, turpin “nder”, dhe frikën nga gratë “traditë”. Dhe po, morali këtu ka gjini. Sepse pushteti ka frikë nga gratë e lira.